Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A duhej rrëzuar apo vazhduar debati për paketën e PS?

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 12 vite më parë

Kastriot Islami
A duhej rrëzuar apo vazhduar debati për paketën e PS?

Vullneti politik i palëve në një marrëveshje dhe sigurisht luajaliteti i tyre janë shumë të rëndësishme për cilësinë, funksionalitetin e jetëgjatësinë e produktit të saj. Në Kushtetutë përcaktohen rastet kur kërkohet maxhorancë e cilësuar (84 vota) dhe rastet kur kërkohet maxhorancë e thjeshtë (71 vota maksimalisht) si për emërimin e drejtuesve të organeve kushtetuese, ashtu dhe për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme që quhen kode. Se cila nga dy vendimmarrjet do të ishte e preferueshme, ajo me shumicë të cilësuar apo me maxhorancë të thjeshtë, është çështje e diskutueshme, sepse varet nga statusi i vullnetit politik dhe luajaliteti i palëve.

Natyrisht secili opsion ka avantazhet dhe disavantazhet e tij dhe, në vende të ndryshme, përdorimi i secilit prej tyre është çështje e një gjykimi kompleks, ndërkohë që ekzistojnë edhe disa standarde të gjithëpranuara për përdorimin e tyre në kushtet kur synohet një “check and balance” midis institucioneve. 

Arritja e maxhorancës së cilësuar do të mund të sillte normalisht pjesëmarrjen reale të disa palëve në emërimin e drejtuesve të institucioneve kushtetuese, balancim e pavarësi më të lartë të tyre, stabilitet më të lartë nëse do të ekzistonte vullneti i mirë politik e luajaliteti i palëve, por mund të prodhonte edhe cilësi të dobët apo edhe bllokim e paralizë të këtyre institucioneve, nëse ky vullnet apo luajalitet do të ekzistonte pjesërisht apo nuk do të ekzistonte. Prezenca e vullnetit politik apo e luajalitetit është nga ana tjetër çështje maturie politike e tradite demokratike, që lidhet edhe me reagimin qytetar ndaj vendimeve politike.

1. Gjatë tranzicionit, vullneti politik dhe luajaliteti, në nivel të ulët

Në Shqipëri, gjatë këtyre 22 viteve tranzicion, ka pasur raste kur vendimmarrjet janë marrë me shumicë të cilësuar, por jo të pakta kanë qenë rastet kur detyrimi kushtetues apo ligjor për vendimmarrje me shumicë të cilësuar ka gjeneruar bllokim e ngërç. Mund të nxirren disa përfundime i) më shumë nuk ka ekzistuar vullneti politik e luajaliteti i palëve për vendimmarrjet me shumicë të cilësuar dhe palët kanë preferuar të luajnë në sytë e publikut shqiptar e të faktorit ndërkombëtar “lojën e obstruksionit të maskuar e bllokues”, duke akuzuar reciprokisht njëra-tjetrën për mungesë vullneti; ii) sa më i rëndësishëm ka qenë rasti i vendimmarrjes, aq më e lartë ka qenë tentativa për bllokim, gjë që tregon se në fakt vullneti politik i palëve nuk ka ekzistuar, por ato e kanë toleruar për rastet e parëndësishme; iii) në jo pak raste “konsensusi” (term i përdorur për vendimmarrjet me shumicë të cilësuar) është arritur ose me ndërhyrjen energjike të faktorit ndërkombëtar, ose se produkti i një vendimmarrjeje të tij ka qenë pjesë e axhendës të integrimit në NATO ose BE apo diçka tjetër të lidhur me angazhimet ndërkombëtare.

2. Pyetjet që shtrohen për përdorimin e maxhorancës së cilësuar apo të maxhorancës politike

Disa pyetje mund të shtroheshin në këtë rast. Së pari, cilat lloj vendimmarrjesh janë më të mira, ato me maxhorancë të thjeshtë apo ato me maxhorancë të cilësuar? Cili produkt është më solid, ai që del nga vendimmarrja me maxhorancë të thjeshtë apo ai që del nga vendimmarrja me maxhorancë të cilësuar? Nëse nuk ekziston vullneti politik apo luajaliteti midis palëve, cila do të ishte zgjedhja më e përshtatshme? Po nëse nuk ekziston ky vullnet? Dhe çfarë vendimmarrjeje do të ishte më efikase, nëse ky vullnet herë ekziston dhe herë nuk ekziston? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, ndonëse duken evidente në pamje të parë, janë më komplekse, sepse zgjerimi i kuorumit vendimmarrës rrit rëndësinë e prezencës së vullnetit politik apo të luajalitetit reciprok. Më poshtë, një analizë logjike dhe një opinion modest jepet për këtë çështje.

3. Rasti kur vullneti politik i palëve apo luajaliteti nuk ekziston…

Nga një analizë e thjeshtë logjike arrihet ne përfundimin se, në rastin kur palët nuk kanë vullnet politik për t’u marrë vesh apo në bashkëveprimin midis tyre nuk janë luajalë, imponimi i konsensusit përmes vendosjes në Kushtetutë të miratimit me maxhorancë të cilësuar për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve do të prodhonte me siguri bllokim. Kjo do të çonte në mosfunksionimin e institucioneve dhe, për rrjedhojë, në anarki, sidomos kur bëhet fjalë për bllokimin e institucioneve të Drejtësisë. Në këtë rast mund të përdorej vendimmarrja me shumicë të thjeshtë që në periudhën afatshkurtër mund të çonte në “rreshtim politik” të shtetit, por që në periudhën afatmesme dhe afatgjatë do të balancohej.

4. Rasti kur vullneti politik i palëve apo luajaliteti ekzistojnë…

Nëse palët kanë vullnet politik për të arritur marrëveshje dhe vendosin interesat publike mbi ato thjesht partiake, atëherë ato në mënyrë të përgjegjshme janë të prira për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin, për të emëruar personat më të përshtatshëm në krye të institucioneve kushtetuese dhe për të miratuar kodet në funksion të reformave integruese. Në këtë rast nuk do të ishte e rëndësishme nëse në Kushtetutë ishte përcaktuar për këto raste miratimi me maxhorancë të cilësuar apo maxhorancë të thjeshtë, sepse vendimmarrja do të ishte në çdo rast konsensuale, pavarësisht se si do të ishte përcaktuar në Kushtetutë, sepse palët me vullnet të mirë dhe luajale do të prireshin të gjenin zgjidhjen më të mirë e më afatgjatë.

5.Rasti kur vullneti politik herë ekziston dhe herë nuk ekziston…

Ky është një rast që i afrohet më shumë realitetit shqiptar, në kuptimin që në disa raste është arritur vendimmarrja me shumicë të cilësuar, jo rrallë ajo është vonuar në kufij të paarsyeshëm dhe, në disa raste të tjera, bllokimi ka penguar ose funksionimin normal të institucionit, ose miratimin e reformave integruese me impakt në frenimin apo vonimin e procesit të integrimit. Në këtë rast, një mënyrë votimi që do të qasej me këtë status të vullnetit politik, do të ishte ajo e zgjedhjes së Presidentit sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Në fakt, votimi në një fazë të parë (në rastin e zgjedhjes së Presidentit, bëhet fjalë për tri raundet e para) me shumicë të cilësuar jep mundësi për të shprehur vullnetin politik për konsensus, ndërkohë që votimi me shumicë të thjeshtë shmang bllokimin nëse ky vullnet mungon. Në fakt, për të qenë të saktë, votimi me shumicë të cilësuar në këtë rast vetëm do të testonte se cila nga forcat politike nuk do të kishte vullnet politik.

6. Sistemi i ri zgjedhor, klientelizimi partiak dhe mungesa e vullnetit politik

Sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonal, do të prodhojë në të ardhmen e afërt një konfiguracion politik bipolar, me një koalicion maxhoritar të brishtë dhe një opozitë të madhe dhe të fortë. Bugajski e ka përshkruar sistemin politik shqiptar i) bipolar të personalizuar, ii) me drejtim autoritar e klientelist, dhe iii) sjellje te tipit “fituesi i merr të gjitha dhe humbësi i humbet të gjitha”. Ky konfiguracion e bën të vështirë vendimmarrjen me shumicë të cilësuar dhe, në kushtet kur mungon vullneti politik i palëve apo luajaliteti reciprok, ai prodhon me shumë gjasa bllokim e ngërç. Ky ishte argumenti i shumicës masive parlamentare të të dy partive kryesore, kur në vitin 2008 votoi ndryshimin kushtetues për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në kushtet e prezencës së dy blloqeve solide parlamentare, maxhoritare e opozitare, pothuajse në madhësi të njëjtë, imponimi i zgjedhjes së Presidentit me shumicë të cilësuar do të gjeneronte me shumë gjasa bllokim dhe krizë politike e kushtetuese. Rasti i Moldavisë është shembulli tipik se si maxhoranca e cilësuar në kushtet e mungesës së vullnetit politik gjeneron krizë politike. Mënyra e re e zgjedhjes së Presidentit (ndryshimi kushtetues i vitit 2008) ka evituar përdorimin e kërcënimit për bllokim.

7. Në vend të përfundimit

Fatkeqësisht në Shqipëri mungon ende vullneti politik dhe luajaliteti reciprok. Ato në rastin më të mirë apo kur çështjet janë të parëndësishme janë të pjesshme. Disa vendimmarrje merren me “konsensus” vetëm për shkak të presionit ndërkombëtar. Reagimi qytetar për këtë aspekt është minimal, për të mos thënë inekzistent.  Në asnjë palë zgjedhjesh, asnjëra nga forcat politike nuk është ndëshkuar nga votuesit se i ka munguar vullneti politik apo nuk ka qenë luajale, për të mos thënë ka ndodhur e kundërta. Dispozitat kushtetuese apo ligjore ku përcaktohen vendimmarrje më shumicë të cilësuar, janë përdorur më shumë për bllokim apo obstruksion negativ. Të kundërshtosh apriori vendimmarrjet me shumicë të cilësuar, duket relativisht e vështirë, por t’u hapësh rrugën vendimmarrjeve me shumicë të cilësuar do të thotë të projektosh bllokim e krizë. Një dilemë që më shumë priret të zgjidhet në favor të vendimmarrjeve më shumicë të thjeshtë. Një formulë që mund të ishte më e përshtatshme në kushtet e nivelit mediokër të vullnetit politik dhe të luajalitetit reciprok është ajo e përshkuar aktualisht në Kushtetutë për zgjedhjen e Presidentit, zgjidhje që është kritikuar rëndë, sidomos nga ata që konsensusin e duan për bllokim. Natyrisht ky është në diskutim i hapur, gjë që e kërkuan edhe ekspertët në seancën dëgjimore për paketën e ndryshimeve kushtetuese të paraqitur nga PS. Fatkeqësisht ky debat që duhet të vazhdonte u mbyll, sepse PS e kishte bërë propozimin thjesht dhe vetëm për të shpëtuar faqen nga qëndrimi tejet i gabuar ndaj kufizimit të imunitetit dhe provokoi duke kërkuar që paketa e saj të hidhej në votim, kurse PD, e detyruar nga ky kurth, u nxitua ta votonte kundër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama