Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

First Lady? Nuk është një “rol publik” që ka kuptim në Shqipëri

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
First Lady? Nuk është një “rol publik” që ka kuptim në Shqipëri

Termin “First Lady” kanë filluar ta përdorin shumë shpesh në Shqipëri. Rëndom e përdorin në shqip, d.m.th. thuhet “Zonja e Parë”, por edhe në gjuhën angleze është mjaft familjar, tanimë; është familjar edhe për njerëz që me këtë gjuhë nuk kanë asnjë marrëdhënie. E nuk është se ky term asociohet veç nga imazhi i bashkëshortes së Presidentit amerikan. Jo, asosacioni mund të jetë dhe e shoqja e Presidentit shqiptar. Madje, nuk është çudi që, sa herë dëgjojmë këtë term, në mendje t’na vijë së shumti kjo e fundit.

Përdorimi rutinor ka bërë që të besohet tek-tuk se “First Lady” është një titull apo post zyrtar. Por në fakt, nuk është kështu. Tek ne jo dhe jo; por edhe në SHBA, atje ku termi është shpikur, nuk bëhet fjalë për ndonjë titull zyrtar. Është thjesht një titull, më saktë një gjetje, me të cilën në SHBA janë mësuar aq shumë sa gati nuk bëjnë dot pa të. Nuk ka asnjë ligj amerikan, aq më pak Kushtetuta, që ta përkufizojë këtë rol, por merret vesh se personazhi “First Lady” është tanimë prej shumë kohësh një personazh i rëndësishëm, që merr pjesë në mënyrën e vet në jetën publike e në jetën politike të Amerikës. Është një personazh që rrethohet me vëmendje, që rri gjatë “në skenë”, që bën protagonisten (ndoshta më tepër se sa eksponentë të rëndësishëm të politikës, deri dhe më shumë se sa kreu i Kongresit), që ftohet nëpër studio televizive, nëpër veprimtari të ndryshme, që bën vizita jashtë vendit, që jep intervista, që ndërmerr nisma, që i bëhet krah të shoqit publikisht në të mirë e në të keq, e për rrjedhojë, që ndikon jashtë mase në imazhin presidencial.

Mass-media e këtushme, ndoshta për shkak të magjepsjes stilistike që bart e ushtron ky funksion publik, e ka shndërruar në një institucion, bash si në SHBA. Ngjarja jonë presidenciale e pak kohëve më parë (zgjedhja e Nishanit) e ilustron më së miri këtë dukuri. Ditën e ceremonisë së marrjes së detyrës presidenciale, sytë e kamerave televizive mbetën për një kohë të gjatë mbi pamjen e asaj gruaje që përkufizohej fare kollaj, e gjithë qejf, nga reporterët si “Zonja e Parë”, duke u dhënë shumë pas shijeve të saj në veshje. Të nesërmen e të pasnesërmen, gazetat e kishin si lajm më vete “Zonjën e Parë”, dhe me atë rast i bënin një biografi në detaje.

Është pak e stisur dhe artificiale kjo gjë tek ne. Duket si një butafori. Për më shumë se një arsye. Së pari, ngaqë është një imitim symbyllazi i një praktike të huaj. Së dyti, ngaqë kjo praktikë i përket një vendi, me të cilin nuk ndajmë modele të njëjtë të organizimit politik apo shtetëror. Ne përgjithësisht kemi qenë të prirur të huazojmë nga Italia, por në këtë rast nuk kuptohet pse e kemi injoruar Italinë, ku institucioni i Zonjës së Parë ose nuk njihet, ose është krejt pa peshë (është interesante të vihet re që “posti” i Zonjës së Parë është shumë në modë në vendet afrikane e të Lindjes së Mesme, ku lloj-lloj satrapësh kanë marrë me të mirë me këtë imitim tekat vanitoze e spitullaqe të grave të tyre). Së treti, ngaqë kreu i shtetit tek ne nuk është njeriu më i pushtetshëm. Së katërti, ngaqë Zonja e Parë duhet të luajë një rol publik, dhe përvoja jonë ka treguar që Zonjat tona të Para nuk mund ta luajnë këtë rol. Nuk është faji i tyre, e prandaj me këtë nënvizim nuk është se po bëj një qortim (s’do t’ia lejoja vetes këtë gjë). Është një rol publik që atyre u bie për hise në një kohë që ato kurrë s’e kanë çuar në mendje (rëndom ngaqë e dinë se s’kanë këllqe për ta luajtur). Ndërsa në SHBA kemi të bëjmë me një rol publik, të cilin Zonjat e Para e kërkojnë, tok me burrat e tyre e për shkak të këtyre burrave, përpara se të jenë Zonja të Para.

Në ndryshim nga to, Odeta Nishani, bashkëshortja e Presidentit tonë të Republikës, nuk e ka kërkuar funksionin publik të Zonjës së Parë, dhe kjo ka lidhje më së shumti me mënyrën se si zgjidhet Presidenti këtejpari (“Kush e kish menduar se do të isha Zonjë e Parë?”, thosh ajo, me plot të drejtë, në një intervistë për “Shekullin” e djeshëm). Madje, para se ajo të bëhej Zonjë e Parë kanë qenë nja dy zonja të tjera që jetuan ca ditë apo ca orë me idenë e të qenit Zonjë e Parë. Dhe është kjo arsyeja që e bën qesharak këtë si “post”, qoftë dhe jo zyrtar, dhe i bën qesharake gratë e Presidentëve, të cilat përndryshe nuk janë hiç qesharake. Përkundrazi, mund të jenë zonja të vërteta. Por jo të Para.

Le të bëjmë një ballafaqim. Në intervistën e djeshme për “Shekullin”, Odeta Nishani kish folur si bashkëshorte, si nënë, si shoqe jete e Presidentit, por nuk kish folur si Zonjë e Parë. Nuk është se kish thënë gjëra të gabuara, gjëra jo korrekte, gjëra që binin në sy për keq. Jo, absolutisht jo, madje nuk ka asnjë kuptim as ta qortosh e as ta vlerësosh për ato që thosh. Ajo thjesht nuk fliste si Zonjë e Parë. Si të gjitha paraardhëset e veta. Dhe kjo është logjike, sepse në Shqipëri – kjo është ideja që dua të theksoj në këtë shkrim – nuk është e thënë që ky rol të luhet se s’bën. Sipas meje, në Shqipëri nuk ka vend që të ekzistojë ky funksion. Kush është në gjendje ta “ushtrojë këtë funksion”, mund ta bëjë këtë gjë pavarësisht trysnisë së modelit të Zonjës së Parë, por nga ana tjetër ne nuk mund t’i bëjmë gratë e Presidentëve, për hir të këtij modeli të huazuar, të sillen me pahir si Zonja të Para.

Meqë ra fjala, parmbrëmë, në Konventën e Demokratëve amerikanë ku do të zyrtarizohet kandidimi për herë të dytë i Barack Obama-s për postin e Presidentit, foli dhe Zonja e Parë e SHBA-ve. Ca ditë përpara saj, foli një grua tjetër në një Konventë tjetër, bashkëshortja e Mitt Romney-t, d.m.th. kandidatja për Zonjë e Parë e Amerikës. Folën si Zonja të Para. Mbajtën fjalime që ua kanë përgatitur të tjerët? Nuk ka rëndësi fare ky fakt. Politika në SHBA, sidomos fushata elektorale, ka një ritëm të tillë, saqë nuk është ndonjë çudi që një fjalim ta përgatisë dikush e ta mbajë dikush tjetër. Por ato folën si Zonja të Para, amá. Ato janë në gjendje të flasin çdo herë si Zonja të Para, dhe për këtë po ju jap një ilustrim tjetër më të qartë. Këto ditë po ndiqja programin “David Letterman Show”, dhe e ftuar ish Michelle Obama. Në studion e Letterman-it nuk mund të recitosh gjëra të menduara më parë; aty biseda është spontane, dhe aty sytë të shihnin një Zonjë të Parë që dinte mirë se ç’thoshte. Shkurt, ish një Zonjë e Parë në një vend ku institucionit të Zonjës së Parë i kanë dhënë kuptim.

Ndërsa në Shqipëri ky institucion është një sendërgji mediatike, që i bën gratë e Presidentëve ta sfidojnë më kot veten, teksa kërkojnë brenda vetes personazhin që kurrë s’kanë për ta gjetur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama