Largimi i Sali Berishes eshte nje imperativ

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 15 vite më parë

Mustafa Nano
Largimi i Sali Berishes eshte nje imperativ

Dy gjëra janë përfundimisht të sigurta. Së pari, ajo që ndodhi në Gërdec të Vorës nuk ishte një tragjedi aksidentale. Në këtë moment, nuk ka asnjë rëndësi se çfarë ka qenë shkaku i shpërthimit (një gabim njerëzor apo një sabotim), gjë që nuk do të thotë megjithatë se prokurorët nuk duhet të hetojnë shkaqet e shpërthimit; përkundrazi, duhet të hetojnë që se s‘bën. Por edhe në rezultoftë, se shpërthimi ka qenë product i një gabimi banal njerëzor, kjo nuk çon ujë në favor të tezës së një aksidenti tragjik. Të ngresh një punishte të tillë mu në mes të një qëndre të banuar, do të thotë të kesh projektuar me vetëdijë të plotë një plojë e një tragjedi aspak virtuale. Në këto rrethana, do të mjaftonte qoftë një shkujdesje humane krejt e pavullnetshme, qoftë një mundim i papërfillshëm krejt i vullnetshëm (një sabotator putativ nuk do të kishte hequr asnjë çikë në aksionin e tij antropofag), për të provokuar një hatá të papërfytyrueshme. Dhe kjo që ndodhi pra ka qenë e pashmangshme. Do të ndodhte se s‘bën, në mos sot, nesër.

Thënë e pranuar sa më sipër, nuk është ca si shumë një papërgjegjshmëri e tillë shtetërore e qeveritare? Është shumë që ç‘ke me të, por nuk mbaron këtu. Ata që kanë lejuar ndërtimin e kësaj bombe gjigande mú në mes të zonës së banuar, ngjitur me të vetmin aeroport e fare pranë të së vetmes superstradë të rrjetit rrugor të Shqipërisë, nuk kanë qenë funksionarë leshko e trushkulur, edhe pse të tillë ka sa të duash këtejpari. Dua të them, se asgjë nuk është bërë nga padija. Përkundrazi, çdo gjë ka qenë e programuar, jo për të shkaktuar një tragjedi të përmasave të tilla, por për të siguruar përfitime të përmasave të jashtëzakonshme në një aferë të jashtëzakonshme korruptive, ku janë nakatosur shqiptarë e të huaj, sipërmarrës privatë e funksionarë shtetërorë. Dhe korrupsioni nuk ka të bëjë me ndonjë evasion fiscal, me blerje të ndonjë zyrtari me synimin për të reduktuar detyrimet financiare ndaj shtetit, apo ku di unë. Jo, korrupsioni është total. Në atë punishte të vdekjes nuk është shfaqur kurrë asnjë këmbë nëpunësi, polici, taksidari, apo kontrollorësh të tjerë. Atje thjesht ka punuar mafia në territorin e vet sovran, por në ndryshim nga guerrilasit mafiozë të FARC-ut në Kolumbi, mafiozët tanë kanë patur mbrojtjen e sponsorizimin e dinjitarëve të lartë shtetërorë. Sigurisht, kjo ‘bombë‘ e vendosur në Gërdec mund të vriste njerëz, por autorët kanë jetuar me shpresën që kjo nuk do të ndodhte, e në këto rrethana bomba nuk do të ishte bombë; përkundrazi, do të ishte një minierë që prodhonte pará. Por shpresa e mafiozëve nuk mbajti. E pas kësaj, erdhi tragjedia.

Gjëja e dytë e sigurtë në gjithë këtë histori është se autorët e saj nuk ditën e nuk mundën ta fshihnin këtë gjë. Kryeministrit, pasi na bombardoi për ditë me radhë me deklarata kundërthënëse (s‘ka pasur faj ‘qyqari‘, pasi nuk e kish idenë mbi atë që do të dilte zbuluar hap sas hapi), i erdhi radha për të shkuar në parlament. Nuk dihet me ç‘mendje ka shkuar në parlament, por puna është që në përfundim të asaj séance parlamentare nuk i ka mbetur asnjë degë ku të kapet. Aq keq e ka qepur këtë aferë korruptive e këtë krim, sa edhe njerëzit më besnikë të tij janë të shushatur e të shock-uar. Të tjera fakte do të dalin në dritë në ditët e javët e ardhshme, por edhe kaq sa dimë, dalin e teprojnë.

Një dreq e di se ç‘do të bëjë ai më tej e një dreq e di nëse prokuria e përgjithshme do të jetë në gjendje ta hetojë deri në fund këtë ngjarje, por ndërkohë politika duhet të ecë në shinat e veta. Tanimë është radha e opozitës, e cila përfundimisht ka në dorë ta nxjerrë Shqipërinë nga thonjtë e Sali Berishës. Duhet ta bëjnë këtë pa asnjë ndërdyshje e duke injoruar të gjitha këshillat, që mund t‘u vinë në formë dashamirëse qoftë nga ambasadorë, diplomatë e agjenci të ndryshme ndërkombëtare, qoftë nga zëra lokalë në dukje racionalë e të shtruar. Duhet ta bëjnë duke mobilizuar e ngritur më këmbë të gjithë ata shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtohen më me idenë se Sali Berisha mund të bëjë çdo gjë në këtë vend e në kurriz të këtij vendi. Duhet ta bëjnë edhe - po të dalë nevoja - duke pezulluar jetën kombëtare, duke bllokuar rrugët nacionale, duke bërë grevë fiskale, e duke shtënë në punë të gjitha format e skajshme të protestës demokratike. Nuk ka asnjë logjikë e asnjë rrethanë ta pengojë opozitën në përpjekjet për ta shporrur nga skena politike një njeri, të cilin deri para ca kohësh e kishim konsideruar thjesht insane, por tashmë na rezulton një mafioz gjëmëzi.

Mund të ketë njerëz, të cilët ikja nga politika e Sali Berishës nuk i ngroh kushedi se çfarë, pasi ndërkohë e gjithë politika shqiptare është krejt e delijorgji-zuar. Po, kjo është e vërtetë, e gjithë politika shqiptare është e delijorgjizuar; madje, gjendja është më keq akoma, pasi, me pak përjashtime, është i delijorgji-zuar i gjithë establishmenti politik e jo politik i Shqipërisë; është i delijorgji-zuar në kuptimin, që pothuaj çdo pjesëtar i establishment-it - politik, mass-media-tik, deri dhe kulturor - jeton duke u ushqyer e duke qenë i lidhur me krimin e me korrupsionin. Është kaq kapilare e kaq e rrënjosur kjo dukuri, sa ka ardhur puna që lidhjet e politikanëve të ndryshëm me gangsterë të lloj-lloj-shëm t‘i shohim me një sy krejt indiferent, t‘i shohim si pjesë e lojës, shpesh herë t‘i asistojmë, e rrjedhimisht t‘i legjitimojmë. Në këtë tavë të pistë lëvizin edhe eksponentët e politikës opozitare. Që të gjithë. Pa asnjë përjashtim.

Epo, çfarë të mire sjell atëherë një largim i Berishës? Hm, Sali Berisha, në ndryshim nga gjithë të tjerët, është guri i themelit i kësaj ngrehine, është pika fokale e kancerit. E jo vetëm kaq. Ai, në ndryshim nga të gjithë sivëllezërit e tij në politikën shqiptare, përfaqëson në vijimësi të pandërprerë hëm sistemin e korrupsionit e të krimit (ai është simbol i pakonkurueshëm i tranzicionit), hëm sjelljen banditeske në komunikimin public, hëm qasjen prej sundimtari në krye të partisë së vet e në krye të institucioneve të shtetit tonë, hëm mbjellësin e frikës tek kushdo që ka të bëjë politikisht me të, dhe - e fundit, por jo më pak e rëndësishmja - hëm praktikat e marrjes e të mbajtjes së së pushtetit me çdo kusht e me çdo çmim. Tani po na del - për çudinë e atyre që kanë besuar të kundërtën - se ai përfaqëson edhe hajdutërinë në përmasa tragjike.

Thënë me fjalë më të pakta, largimi i Berishës nga politika nuk zgjidh gjërat si me magji, por e shkarkon këtë të fundit (politikën pra) nga një peshë sfilitëse. Pas kësaj, bën vaki që ne të vuajmë po njësoj korrupsionin e klasës politike të delijorgji-zuar, po beteja kundër tyre do të jetë absolutisht më e lehtë. Asnjëri syresh nuk ka qoftë korracën e Sali Berishës (turmat e rregjura mbështetëse), qoftë forcën e tij (e dini prej nga buron forca e tij në raport me të tjerët? Nga pacipësia, të cilën e ka të pallogaritshme), qoftë virulencën e tij, e cila vjen prej sundimit absolut gati 20 vjeçar mbi një pjesë të konsiderueshme të botës shqiptare (në programin e fundit "Shqip" të Rudina Xhungës, një banor i Gërdecit që fliste nga Vora, arriti ta mbyste dhimbjen për të humburit e të vdekurit, e duke jetuar me një ndjeshmëri krejt tjetër, tha në mënyrën më të pabesueshme: Mua më kanë vdekur njerëz nga familja në këtë tragjedi, por dua t‘i them Erion Veliajt e Artur Zhejit të mos e politizojnë shumë këtë çështje).

Ja pra, kjo është arsyeja, që largimi i Sali Berishës, jo vetëm është një gjest i kërkuar prej tragjedisë së shkaktuar prej një afere korruptive, por përbën edhe një imperativ të kohëve politike që po jetojmë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama