Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Statusi i vendit kandidat? Në Bruksel janë duke u menduar

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Statusi i vendit kandidat? Në Bruksel janë duke u menduar

“Jo pushim, por integrim”, tha ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, në një konferencë për shtypin, e cila duhet të jetë e fundit e tij në këtë sezon politik që mbyllet në fillim të gushtit. Me këtë mesazh, ai dha idenë se, nëse bëhen ca përpjekje të fundit, ka ca gjasa që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë.

Shkurt, Sequi i dha ca shpresa opinionit publik shqiptar, ndoshta edhe me synimin e dëshirën që ky i fundit ta inkurajojë sa të jetë e mundur klasën politike që të bëjë dhe ca detyra të tjera deri në vjeshtë.

“Deri në vjeshtë” është shprehja që u ka mbirë në buzë të gjithë atyre që e ndjekin këtë proces.

Mirëpo me kalimin e kohës, fraza “deri në vjeshtë” merr gjithnjë e më pak kuptim. Ta thoshe “deri në vjeshtë” në fillim të vitit kish mjaft kuptim. Por ta thuash sot, mú në prag të vjeshtës, nuk ka dhe aq kuptim. Madje, duhet thënë që nuk ka fare kuptim. E merret vesh pse. Vjeshta në këtë rast nuk është një stinë e gjatë. Është thjesht një datë, në të cilën në Bruksel do të mblidhet Komisioni Europian e do të miratojë një raport progresiv mbi punët në dheun e shqipeve. Me një saktësi të përafruar, është një datë në dhjetëditëshin e fundit të shtatorit. Në rastin më të mirë, le ta zëmë se komisioni do të mblidhet më 30 shtator. Atëherë, sa është data sot? Është 30 korrik. Sa kohë i mbetet politikës shqiptare? I mbeten ca ditë, saktësisht një javë, derisa të mbyllet sezoni parlamentar, deri më datë gjashtë a shtatë gusht (jo më kot Arvizu-ja u kap pas datës 6 gusht si afati i fundit për të miratuar heqjen e imunitetit). Më pas fillojnë pushimet, dhe jeta politike do të mbahet në një regjim minimal pune (vetëm Berishën do kemi duke çaprashitur mëngjes, mesditë, mbrëmje, 24 orë non stop; të tjerët do gjejnë ndonjë qoshe, e do i dorëzohen për ca javë një shtendosjeje të plotë tok me familjet e me të dashurit. Sequi tha “jo pushim, por integrim”, por këtë e ka pasur një mënyrë metaforike për të inkurajuar një aktivizëm konstruktiv para e pas pushimeve). Sezoni tjetër parlamentar rinis në fillim të shtatorit, dhe mbetet kohë deri në fund të shtatorit, d.m.th një muaj kohë për të mbërritur “deri në vjeshtë”. E ç’është një muaj kohë për politikën shqiptare? Po të pyesim Arvizu-në, që i njeh mirë ritmet e lëvizjes së politikës shqiptare dhe që ka një matës të vetin të kohës që rrjedh këtyre anëve, do t’na thotë: Një fraksion sekonde është.

Është e zorshme pra të besosh se në Tiranë do të ndodhin gjëra të papritura e të mëdha “deri në vjeshtë”. Mos vallë kjo do të thotë se Shqipëria nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat? Në fakt, në Bruksel nuk duket se është marrë një vendim për këtë çështje. Ende jo. Edhe vetë ata nuk janë të qartë mbi vendimin që duhet të marrin, Një ‘po’ mund të ishte një vendim që do ta merrnin me qejf (nuk para janë vënë re qëndrime antishqiptare të mbajtura nga eurokratët), por gjërat që kanë ndodhur e ndodhin këtu janë të tilla që nuk u japin dorë dashamirësve të Shqipërisë në kryeqytetin europian. Një ‘jo’ do ishte një vendim i drejtë, por kjo së pari komplikon axhendat e zgjerimit që vetë BE-ka ka, e së dyti shkurajon forcat demokratike e europeiste në Shqipëri.

Sinjalet që kanë ardhur nga Brukseli në rrugë ‘jozyrtare’ thonë se komisioneri i zgjerimit të BE-së, Fule, është ndër ata që do donte që Shqipëria ta merrte këtë status “të nëmur”. Por ai ka dhe një problem tjetër extra (përveç ngjarjeve e zhvillimeve të pakëndshme në Shqipëri) në këtë mes. Pas vendimit që do të merret në komision, do të lipset miratimi i secilit vend anëtar.

Edhe sikur pra në fund të shtatorit, Stefan Fule të ish i zoti e i gatshëm t’i kandiste të gjithë në Bruksel mbi statusin e kandidatit për Shqipërinë, ai nuk do donte të merrte një vendim që do të refuzohej e do të hidhej poshtë nga një, apo nga disa, vende anëtare, të cilat do të shprehen për këtë vendim të komisionit disa javë më pas, ndoshta në mes të tetorit. Fule do të ndihej ligsht nga ky refuzim i vendimit të marrë, apo inkurajuar, prej tij. Kjo ngjarje do të shënonte një dështim të tijin, një njollë në karrierën prej komisioneri.

Mirëpo, nga ana tjetër ai e di mirë, siç e dinë mirë dhe në Tiranë, se vendet anëtare të BE-së nuk kanë të gjitha qëndrimin e Hungarisë së Orbanit, apo të Italisë sonë fqinje, apo të vendeve të tjera të ish-lindjes, që nuk mund të mos jenë solidarë me një ‘sivëllain’ e tyre. Ka vende që nuk të falin gramin, kur vjen puna te standardet demokratike. Fjala vjen, Holanda, ose Danimarka, ose vendet skandinave në përgjithësi, kanë ca ndjeshmëri të tjera në raport me ca vende të tjera. Përveç kësaj, këto janë vende që s’kanë as interesa kushedi se çfarë në Shqipëri. E të dy këta faktorë shpjegojnë dhe faktin që në të gjithë trupin diplomatik që shërben në Tiranë, vetëm ambasadori holandez e ai danez janë dëgjuar të ngrenë zërin e të skandalizohen nga bëmat e politikës shqiptare. Të tjerët, të cytur prej interesave të vendeve të tyre në Shqipëri, apo jo shumë të vëmendshëm kur vjen puna për standardet demokratike, nuk para e kanë vënë ujin në zjarr.

Ndërdyshja në Bruksel pra nuk vjen prej zhvillimeve shqiptare (të cilat atje i njohin, por bëjnë sikur nuk i shohin për shkak të axhendës së tyre të zgjerimit e të integrimit), por prej frikës se ‘po’-ja e tyre mund të bëhej ‘jo’ nga ndonjë vend anëtar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama