Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gazetari rrihet, gazetaret heshtin

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Gazetari rrihet, gazetaret heshtin

Më pas më thanë se lajmin e kishin botuar në mënyrë telegrafike e pa ndonjë nënvizim kushedi se çfarë "Gazeta Shqiptare" dhe "Standard". Të tjerat, edhe pse nga njëra anë u kish rënë në dorë një letër e shqetësuar e agjencisë informative, në të cilën punon gazetari Besar Likmeta, edhe pse nga ana tjetër ishin informuar e nxitur prej "Mjaft"-it, as që e kishin vënë ujin në zjarr. Një dreq e di se pse. Ndoshta e kanë marrë si një pretekst për një protagonizëm të ri të kërkuar nga ana e "Mjaft"-it; ose ndoshta kanë qenë të mendimit se publikimi i disa batutave të pashijshme mes deputetësh në Kuvend është ku e ku më i rëndësishëm se sa informimi mbi rrahjen e një gazetari "mistrec" jo fort të njohur prej një deputeti gjithashtu jo fort të njohur; ose ndoshta kanë qenë të tendosur nga një ditë e lodhshme në ndjekje të politikës e politikanëve nëpër kafenetë e kryeqytetit; ose ndoshta … e kështu me radhë. Çështja është që askush nuk i kish dhënë peshë këtij lajmi, aq sa edhe unë, i prirur për t‘u besuar kolegëve të mij të Tiranës, fillimisht nuk po përjashtoja mundësinë, që e gjitha mund të ish një sendërgjí e gazetarit Likmeta (emrin e të cilit e dëgjoja për herë të parë) dhe një ngut e turravrap i tepërt i "Mjaft"-it në fushatën e vet të antipolitikës.

"I keni njoftuar të gjithë gazetarët për protestën"? - e pyeta Qafmollën, pasi krijova bindjen se gjëja ishte serioze dhe e rëndë. "Sigurisht", mu përgjigj Qafmolla, "u kemi dërguar sms gazetarëve ‘free lance‘ dhe u kemi dërguar një njoftim të gjitha redaksive të gazetave e të televizioneve". "Ok", i thashë, "shihemi në protestë, atëherë". Dhe të nesërmen shkova në protestë. Por ç‘të shihja? Në atë protestë ishin një duzinë aktivistësh të "Mjaft"-it, dy gazetarë të njohur (Gjergj Erebara e Ben Andoni), e një numër reporterësh e kameramanësh. Kaq ishte e gjitha.

E ky ishte zhgënjimi i parë, të cilin në të vërtetë e prisja dhe i cili në të vërtetë nuk ma bjerrte asnjë çikë dëshirën e motivimin për të qenë në atë protestë. "Nuk prish punë" mendova, "kolegët e tjerë do ta ndjekin në televizion këtë protestë modeste në pikëpamje numerike, e bën vaki do të turpërohen prej mungesës së tyre". Por erdhi zhgënjimi i dytë. Duke përjashtuar nja dy televizione, të tjerët as që e kishin parë të arsyeshme të jepnin informacion mbi këtë protestë. E kanë trajtuar si një çikërrimë? Apo e kanë parë si një çalltisje njerëzish të ngeshëm? Apo i kanë dhënë karar punës, duke menduar se nuk ia vlen të merresh me dërdëllitjet e protagonizmin e nja njëzet vetëve?

Sido që të kenë menduar, ky është një turp i botës mass-media-tike shqiptare. Dhe - të kuptohemi - problemi nuk është që nuk transmetuan pamje nga protesta. Problemi është që nuk u gjet e udhës të trajtohej ngjarja me titull "një deputet rreh një gazetar", nuk u gjet e udhës të informohej publiku, se gazetari është rrahur për shkak të ushtrimit të detyrës e nuk u gjet më në fund e udhës të thuhej - ndoshta me gojën e ndonjërit prej njerëzve të protestës - se rrahja e një gazetari për shkak të ushtrimit të detyrës është një sinjal i fortë alarmi për të gjithë gazetarët. Në vend të gazetarit Likmeta - nëse rrethanat tekanjoze do të urdhëronin ndryshe - mund të ish secili prej atyre gazetarëve, që nuk denjuan të vinin në protestë e që nuk denjuan të informonin publikun mbi këtë ngjarje. Dhe kjo që them nuk është një shajní e imja. Përkundrazi, është në logjikën e gjërave. Dhuna e verbër dhe arbitrare është një dhunë shetitëse. Sot kjo dhunë goditi gazetarin Likmeta, por nuk duhen shumë mend për të kuptuar se mund të godiste secilin prej nesh. Nëse nuk i themi ndal kësaj dhune, ajo nesër gjithashtu mund të godasë secilin prej nesh (edhe sërish gazetarin Likmeta).

E keqja shkon edhe më tej. Kjo dhunë ushtrohet ndaj gazetarëve. Me këtë nuk dua të them se gazetarët janë një soj i veçantë homo sapiens-i. Jo, me këtë dua të them, se të rrahësh një gazetar për shkak të ushtrimit të detyrës është atentat ndaj të drejtës së publikut për t‘u informuar, e cila nga ana e vet (kjo e drejtë pra) përbën një nga themelet e egzistencës të një qeverisjeje transparente e të një demokracie funksionale e të shëndetshme. Unë e di që kjo e drejtë, edhe pa këtë rrahje, edhe përpara kësaj rrahjeje, edhe pas kësaj rrahjeje, ka qenë e do të jetë e nëpërkëmbur nga faktorë të tjerë endemikë në botën e gazetarisë shqiptare, siç janë fragmentarizimi e tribalizimi mass-media-tik, kontrolli manage-rial e padronal i politikave editoriale, lidhjet e shkurtëra midis financuesve të mass-media-s e tutorëve politikë të këtyre financuesve, mjerimi profesional e pozitat prej skllavi të gazetarëve, e për rrjedhojë, shkrehja e squllja e këtyre të fundit, kur vjen puna që duhet të mbrojnë të drejtat e dinjitetin e tyre. Gati 99% e gazetarëve që njoh - dhe këtu po bëj një konfesion të pazakontë - nuk kanë ngurruar të më thonë në biseda private, se "padroni i gazetës apo i televizionit ka gjithë të drejtën legjitime të ndalojë publikimin e një lajmi apo të urdhërojë publikimin e një lajmi tjetër në emër të mbrojtjes së interesave të tij të biznesit, pa të cilat as gazeta, as televizioni nuk mund të ekzistojnë". Të gjitha këto pra i japin vendimin e dënimit me vdekje gazetarisë së vërtetë, por rrahja e gazetarëve prej njerëzve me pushtet dhe pafuqia e gazetarëve për të reaguar në këtë situatë, shkon një hap më tutje: e ekzekuton këtë vendim.

Dhe tani është radha e zhgënjimit të tretë, i cili në një farë kuptimi është tronditës. Ishte Ambasadori amerikan ai, që e vuri tamam në lëvizje makinën mass-media-tike. Vini re pra: mass-media, e cila nuk ish sëmbuar as nga ngjarja e rëndë, as nga protesta e lehtë e nja njëzet vetëve përballë ndërtesës së Kuvendit, papritur zgjohet nga gjumi prej një pickimi të fortë: ka folur Ambasadori amerikan. "Heu, qenka serioze puna!", duhet të kenë menduar aty për aty punëtorët e mass-media-s, "prandaj, o burra, t‘i bëjmë jehonë kësaj ngjarjeje!". Vetëm pas konferencës për shtypin të Ambasadorit Amerikan mua më morën në telefon një numër njerëzish e kolegësh. E kishin marrë vesh ngjarjen, e kishin ndjekur protestën në TV (pasi e kishin bojkotuar në terren), e nuk ishin bërë të gjallë. Me të marrë vesh se ka mbajtur qëndrim edhe Ambasadori amerikan, zgjohen nga gjumi.

O Zot, sa do donin ca e ca këtejpari ta kishin këtë fuqi për të ndukur ndërgjegjet e shqiptarëve, dhe sa do donin ta kishin këtë forcë magjepsëse, jo vetëm për të bërë lajm me shfaqjet e tyre publike, por edhe për t‘u treguar të tjerëve se çfarë është një lajm i vërtetë e se çfarë duhet konsideruar një ngjarje e rëndë për ta. Mirëpo nuk e kanë. Nuk janë Ambasadorë.

E përsa kohë nuk e kanë, nuk bëjnë keq të thonë: Faleminderit, Ambasadori Withers! Është një falenderim i trishtuar (kuptohet përse), por është një falenderim i sinqertë. Pa fjalën tuaj, kjo ngjarje do të ish arkivuar si një gjë banale. Thanks a lot, indeed!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama