Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sido që të shkojë puna, beteja presidenciale e Ramës është e humbur

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Sido që të shkojë puna, beteja presidenciale e Ramës është e humbur

Rama është duke e humbur dhe këtë ‘betejë’, dhe është e n-ta që humb si i pari i socialistëve. Deri në takimin me Berishën, ai ka qenë i pafaj në këtë histori; madje, duhet thënë se ka lëvizur për bukuri: ka refuzuar prerë emrin e Jozefina Topallit dhe të topallëve të tjerë të mazhorancës, ka kërkuar që presidenti të zgjidhet me negociata, ka këmbëngulur te procesi që do të pillte një emër të denjë presidencial, e nuk ka propozuar asnjë emër, me të cilin mund të startonte një proces i rremë e i pilotuar, i është mbajtur idesë së një marrëveshjeje me mazhorancën, e nuk ka dëgjuar sirenat që i kanë kërkuar ta shndërronte lojën presidenciale në një garë po me mazhorancën. Janë qëndrime që nuk kanë të sharë, apo jo? Me këto qëndrime, o arrihej një zgjidhje e përshtatshme, o lihej Berisha të ecte në të vetën e ta trashte zullumin.

Por… pak më sipër përmenda takimin e tij me Berishën, dhe lashë të kuptohej se ish një gabim. E nënvizoj: ishte një gabim. Jo takimi në vetvete, pasi negociatat e kërkuara me ngulm do të finalizoheshin sipas shumë gjasash me një takim të tillë, por mënyra se si u kërkua dhe se si u realizua. Ishte Rama që e ka kërkuar, gati me lutje, që të ndodhte, a thua se kaq do të mjaftonte për ta zgjidhur nyjën presidenciale. Dhe me këtë krijoi kotmëkot një pritmëri, mú si të ish fjala për një takim providencial, ndërkohë që e dinim shumë mirë distancën që i ndante interlokutorët para këtij takimi (ka të drejtë Ngjela, kur thotë se “dukej sikur në mes kishin një arkivol”).

Përveç kësaj, takimi ishte shumë i shpifur. Edhe krerët e dy shteteve koreane nuk do të ishin takuar me një pompë të tillë. Ato dy minuta, në harkun e të cilave Berisha e Rama s’dinin ku të çonin sytë e s’dinin ç’grimasë të bënin përpara kamerave, ishin një nausea e plotë. Mund të thuhet se mënyra e organizimit të takimit nuk ishte në dorë të Ramës, dhe se ky i fundit nuk mund të imponohej për një takim të rezervuar, larg reflektorëve të mass-media-s, por puna është se së pari Rama nuk e shprehu kurrë dëshirën e tij për një takim që të fillonte e të mbaronte larg syve të njerëzve, e së dyti po bëhen ca si shumë takimet, në të cilat Rama shkon si fanti spathi, pa e ditur, ose pa e vrarë mendjen, ose duke dashur, që në vendin e takimit të ndodhet kush të mundet.

Vijmë tani te gabimi tjetër. Editoriali. Dhe gabimi nuk është që kërkon rrëzimin e Berishës, gjë që po ia thonë të tjerët, mes të cilëve dhe Meta. Kjo është idiotësi: duan të bëjnë me faj shefin e opozitës që ka bërë një shkrim, ku kërkon rrëzimin e qeverisë!!!! Fiu! Dhe Rama, në vend ta prapësojë qartë e prerë këtë presion, e merr shumë seriozisht. Gabimi pra është që ai po i del në mbrojtje me gjysmë zëri atij shkrimi, gabimi është që ai po jep përshtypjen se po mendon se do ish mirë t’mos e kish bërë atë ‘mut’ editoriali, gabimi është se të jep përshtypjen se nuk di si të shfajësohet etj. Çfarë ish gjëja më e tmerrshme që thuhej në atë shkrim? Thuhej se “e vetmja mënyrë për ta kremtuar ditën e pavarësisë është që ky njeri [Berisha] të mos jetë më kryeministër kur të gdhihet 28 Nëntori e të këndohet himni kombëtar”, dhe po aty apelonte “për të bashkuar çdo forcë e çdo votë të mundshme, pa humbur kohë, duke menduar se sa ia vlen apo nuk ia vlen bashkimi me këdo qoftë për të qeverisur vitin e ardhshëm”. Dhe në fund lëshonte thirrjen: “Ose ta largojmë përpara se sa Shqipëria të hyjë në zgjedhje, ose të presim se si do t’i vjedhë përsëri zgjedhjet e do ta bëjë shkrumb ëndrrën e Shqipërisë europiane”.

Ç’ka këtu që s’shkon? Ku është skandali këtu? A mos vallë Edi Rama është Astrit Patozi? A nuk është i lirë një udhëheqës opozite të kërkojë rrëzimin e një qeverie? Pse u dashka përzier nervi opozitar me negociatat presidenciale? Pritej që, në përgjigje të këtyre pyetjeve, Rama të thoshte: “Dua president konsensual, por nëse ky lloj presidenti ‘më jepet’ me kusht që unë të heq dorë nga denoncimi i një regjimi, atëherë mbajeni dhe presidentin, dhe kompletojeni regjimin, e kështu ma bëni dhe më me kuptim betejën time opozitare”. Rama nuk eci fare kësaj ane. Në të kundërt, ai ngjan i çarmatosur përballë atyre, që ia bëjnë për të madh këtë editorial. Keni parë ju? Nuk duan ta lënë të bëjë opozitarin. Dhe ai ndihet në faj për këtë.

Vijmë te gabimi i tretë, më i madhi, më i fundit, që më bën mua të besoj se ‘beteja’ presidenciale e Ramës është e humbur, sido që të përfundojë. Ai tha në programin “Top Story” atë ditë, që po zhvillohej raundi i dytë i votimit presidencial (60 sekonda ishte procedura parlamentare; më e shkurtra në botë; është për Guinness), se “jemi të vendosur të japim konsensus, në rast se vendosemi në pozitën e duhur; kemi një kandidaturë të vendosur në mënyrë të njëanshme; nuk imponojmë një zgjedhje që ta vërë në vështirësi palën tjetër; ne kërkojmë mundësinë për arritjen e një konsensusi”. Si përkthehen në një shqipe të qartë këto fraza të Ramës? Përkthehen shumë thjesht: “Ne jemi dakord që ti Berisha të zgjedhësh një kandidat që vlen shumë më pak se sa Zaganjori, por mjaft që të jepet ideja se e kemi zgjedhur bashkë”.

Siç shihet, Rama e ka ulur stekën e kërkesave të veta deri në minimum, gjë që e komprometon të tërë ‘rezistencën presidenciale’ të zhvilluar për muaj të tërë; e ka ulur aq shumë këtë stekë, sa në këto rrethana do të ishte më mirë që Berishës t’ia jepte në kokë e të zgjidhte Topallin me 71 vota (kështu do kishim të bënim me një ndyrësi më tepër të regjimit të Tiranës), se sa një kandidat konsensual që t’mos quhet Zaganjori (kështu do të kishim po njësoj një president të Berishës, dhe ky i fundit do të dilte i larë e me kredenciale të një babaxhani të vërtetë nga kjo histori). Po pse Rama e kërkon këtë gjë? Sepse në këtë pikë të muhabetit atij i intereson të shpëtojë fytyrën e tij (do të thuhet që “presidenti u zgjodh me konsensus”, e që “Rama ishte pjesë e negociatave presidenciale”), e nuk i intereson fare se kush do të jetë kreu i shtetit, apo se ky mund të jetë një apendiks i Berishës.

Kjo është arsyeja që mendoj gjithë ditën e ditës se ‘beteja presidenciale’ është apriori e humbur. Lind pyetja: A nuk do ta humbte këtë betejë Rama, sido që të shkonte puna? Po, gjasat janë që do ta humbte (ka alibinë që përballë ka një si Berisha), por së pari një humbje nuk është e barabartë me një tjetër, dhe së dyti nga humbjet dilet me dinjitet. Rama po humb, dhe po del nga kjo humbje kështu si po del. Si gjithnjë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama