Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kerkoni parane

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Kerkoni parane

Ka 40 vjet që shoferi i taksisë i thotë xha Sulos: “Në çdo sherr cherchez la femme”, që taksixhiu ynë e thosh alla shqiptarçe: “shershe la fam”. Shkojuni deri në fund këtyre radhëve, të merrni vesh se ç’hyn Kapedani këtu.

Shpesh kur më mbarohen fjalët apo kur dua t’ua lë të tjerëve të nxjerrin përfundimet, më pëlqen të flas me anë të fotografive. E madje kam tash 6 vjet që mbaj nëpër revista një rubrikë me fotografi të vjetra, ku fjalët e mia janë vetëm kontorno e imazhit. Bash për këtë arsye edhe sot po ju flas me një kolazh fotografish. Më nj’anë janë më të shumtit e atyre që po përpiqen të mbrojnë kujtesën historike që na ka mbetur, ndërsa në anën tjetër është një njeri i vetëm që, i veshur me mandatin e rojtësit të monumenteve, në fakt po përpiqet të marrë mbi vete mallkimin e 100 vjetëve të ardhshëm, duke tjerrë teorinë e dhënies me qira të tyre. Ne të gjithë që i gumëzhijmë në vesh e i japim argumente, e në mes i marri që ka vendosur me doemos ta hedhë hurin më ujë. Tani për një çast po ja lë në dorë secilit prej jush o lexonjës të gjykojë se nga ç’anë mund të qëndrojë e vërteta, duke ju shtuar se sidoqoftë, janë edhe më të shumtë ata të njërit krah, por cave s’u gjeta fotografitë e ca se s‘kishte vend, e lashë me kaq.

Po bëhet një muaj a dy, që e vetmja mençuri që ka nxjerrë Instituti i Monumenteve të Kulturës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, është se do japë me qira për 100 vjetët e ardhshëm pasurinë e vetme që kanë krijuar brezat, monumentet. Po bën gjithaq kohë që, të gjithë specialistët e vërtetë të monumenteve, restauratorë, historianë studiues, arkeologë e dashamirë, i janë vënë me ç’kanë në dorë kësaj marrëzie, që më shumë se e radhës, është marrëzia e fundme që s’lë vend më për të tjera pas.

Ka raste që për çështje të ndryshme të na duhet t’i ngacmojmë ne gazetarët e t’i bëjmë të lëvizin, ndërsa kësaj radhe nuk qahemi dot, se qoftë unë e qoftë gjithë dashamirët e monumenteve që kemi një zë publik, jo vetëm që kemi dhënë intervista e prononcime sa kemi dashur, po në shumë raste na kanë pyetur dhe vetë gazetarët, ata kanë qenë të shqetësuar sa ne; po me ç’duket marrëzia në këtë vend po arrin në kufijtë që të na lozë nga mëntë sa të flasim me veten.

Si të mos mjaftonin gënjeshtrat që thonë vetë, po na vënë në gojë edhe gjëra që nuk i kemi thënë, sikur demek ne qenkemi të prapambetur dhe se jemi kundër kësaj shpikjeje gjeniale që na qenka dhënia me qira e së shkuarës. Qoftë unë vetë, e qoftë edhe shumica e specialistëve të trashëgimisë, në parim nuk jemi kundër rijetëzimit të monumenteve, apo futjes së funksioneve të reja, apo edhe përshtatjes së tyre për funksione bashkëkohore. Madje, unë vetë kam qenë ndoshta ndër nismëtarët e këtyre koncepteve, që përpara më shumë se 10 vjetësh.

Problemi është se deri më sot, shteti shqiptar dhe strukturat e veta, nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë nën kontroll ato pak monumente të cilat janë rijetëzuar apo janë dhënë me qira. Praktikisht, të gjitha objektet mbi të cilat kanë vënë dorë privatët janë dëmtuar, ku më shumë e ku më pak. Dhe për këtë, fajin kryesor nuk e ka privati, pasi ai as nuk është specialist, e as nuk ka dalë për sevap. Faji është i institucioneve shtetërore dhe, në radhë të parë, i Institutit të Monumenteve të Kulturës, që herë ka ofruar projekte rijetëzimi të cilësisë skandaloze, herë ka lejuar që projektet e miratuara të zbatohen keq e më keq dhe mbi të gjitha, as që ka ndjekur ecurinë e mëtejshme, pas hapjes së bizneseve në këto monumente. Mund të numëroj këtu Kalanë e Prezës, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Lëkurësit, klubet e dhëna në Kalanë e Shkodrës, në Kalanë e Krujës, në Kalanë e Elbasanit, të Tepelenës etj. Të gjitha këto kanë çaluar nga një faktor i vetëm dhe kryesor: praktikisht shteti ka hequr dorë prej tyre dhe privati, ku më shumë e ku më pak, ku me vetëdije e ku nga padija, ka bërë ç’ka mundur e ç’ka dashur.

Tani, drejtori i Institutit të Monumenteve, përpara se të kërkojë të shkatërrojë edhe monumente të tjera, le të verë nën kontroll monumentet që po vazhdojnë të degradojnë, megjithëse janë të dhëna me qira, të penalizojë ndërhyrësit, të kontrollojë punimet e kryera, kontratat e lidhura, të ristabilizojë situatën e tyre dhe, vetëm pasi të ketë bërë këto, mund të ketë gojë e fytyrë të dalë e të thotë: “Ja si i rregullova dhe shëndosha monumentet që ishin dëmtuar nga privatët, tani hajt të vazhdojmë më tej”. Në atë moment, do isha unë i pari që do ta uroja dhe do ta mbështesja. Ndërsa ai ka zgjedhur të thotë: “Këto që kemi dhënë deri tani u shkatërruan, ndaj unë do vazhdoj të shkatërroj edhe të tjerat”.

Vihet re që, me gjithë numrin shumë të madh të prononcimeve nga më seriozet kundër qiradhënies, deri tani nuk ka pasur asnjë debat në ndonjë media, ku në njërin krah të jenë ulur ata që e mbrojnë këtë ide dhe në krahun tjetër të ulen kundërshtarët e saj. Dhe të kemi parasysh se të paktën mua më kanë ofruar tri a katër studio për këtë çështje dhe pak a shumë njësoj ka ndodhur me shumicën prej nesh. Problemi, me ç’duket, ka qenë i thjeshtë. Askush nuk ka dashur të bëhet palë në një çështje të pisët që qelbet erë që atje tej.

Në rastin e kësaj çështjeje nuk kemi të bëjmë me dy shkolla studiuesish, njëra që mendon se dhënia me qira i mbron monumentet dhe shkolla tjetër që mendon se mirëmbajtja është detyrë ekskluzive e shtetit. Jo, këtu kemi thjesht dikë që do të bëjë pazaret e fundit tani që, siç e tha z. Shkreli në një prononcim, është pranë fundit biologjik të jetës së vet dhe, në anë tjetër, të gjithë ata që për mirë e për keq janë përpjekur me sa kanë mundur të kontribuojnë në këtë çështje. Në këto kushte, as që ka kuptim të bëjmë sikur bëjmë debat.

Se ja, po të marrim si shembull Kalanë e Lezhës, që është edhe më e përfolura deri tani, as që bëhet fjalë për nismë të Institutit të Monumenteve për këtë punë, e as për dëshirë për të mbrojtur kalanë. Pazari është shumë më i thjeshtë, shumë më i pisët dhe shumë më i vockël. Që para nja dy vjetësh, një dorë biznesmenësh italianë, se leçezë se barezë nuk e di mirë, që ishin të njohur të kryetarit të një prej partiçkave të koalicionit qeveritar, i kërkuan mikut-kryetar të investonin në turizëm në ndonjë vend që ja vlente. Ju tha të bënin një xhiro nëpër Shqipëri dhe të vinin gishtin ku të donin. Barezët zgjodhën Lezhën, bënë projektin sipas midesë së tyre dhe pas dy vjet hilesh e pazaresh, projekti u miratua nga Instituti. Kaq është e gjitha. Tani, a ka kuptim të shkojmë ne e të tjerrim teorira nëpër studio televizorësh, kur muhabeti është kaq i ulët! Se edhe ky burri, teksa sheh që një ministër privatizoi pyjet apo lagunat, një tjetër gjylet e topat e ushtrisë apo centralet, një i tretë fabrikat, repartet, guroret, skrapin, e ku di unë ç’tjetër, edhe ky zotëria që na rri përballë të gjithëve, me të vetën thotë: Po unë, nuk paskam të drejtë të kap diçka nga kjo që kam në dorë, sa për të shtyrë pleqërinë rehat!.

Mario Puzo, shkrimtari italo-amerikan që aq shumë ka shkrojtur e hetuar për mafian, thotë se në çdo çështje ku nuk arrini të kuptoni lëvizjet e politikanëve apo arsyet e veprimeve tyre, duhet të kërkoni interesat e ndokujt apo paranë dhe menjëherë çdo gjë do të sqarohet. Po ta mbyllnim Marion, sot në taksi me Kapedanin që, i çuditur nuk do kuptonte pse-në e kësaj dalldisë për të shitur jo vetëm të sotmen e Shqipërisë, por edhe të shkuarën e saj, do t’i thosh “cherchez l’argent”, “kërko paranë”!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama