Kush mohon krizën nuk bën gjë tjetër, veçse e thekson atë

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 8 vite më parë

Mustafa Nano
Kush mohon krizën nuk bën gjë tjetër, veçse e thekson atë

Në analizën e tij vjetore, kryeministri Berisha nënvizoi faktin që viti 2011 ka qenë një vit i shkëlqyer për shqiptarët, dhe më poshtë u mor me të gjitha. Por le të ndalemi tek “shkëlqimi ekonomik”, të cilit ai vetë i kushtoi më pak vëmendje se shkëlqimit në momente të tjera, siç janë 21 janari i plojës në bulevard dhe 8 maji i plojës elektorale në Tiranë (te këto të fundit u ndal për t’i renditur si suksese).

Për ekonominë, Berisha u mjaftua të deklaronte (marrë nga e përditshmja Panorama), se “eksportet shqiptare në harkun kohor dy vjeçar kanë shënuar dyfishimin e tyre, një rast i paprecedent; viti  mbyllet me një defiçit buxhetor 3.5% dhe me një borxh jo mbi 60%; FMN-ja është shprehur se është borxhi i shërbyer me koston më të ulët se çdo vend tjetër. Sot kostoja e shërbimit të borxheve është bërë lugat i vërtetë i kësaj krize. Kjo ka lidhje direkte me ekipin që trajton borxhin me përgjegjësinë më të lartë, por dhe me kredibilitetin e ekonomisë shqiptare, të konfirmuar nga FMN.”

Vini re: Nuk ka në këto deklarata asnjë fjalë për vështirësitë ekonomike. Madje, as shifrën e të ardhurave measatare për frymë (9 mijë dollarë/vit!!!!) dhe as rritjen ekonomike nuk i përmendi, e ndoshta prandaj nxorri një ditë më pas Ridvanin e tij të na bënte me dije se rritja për këtë vit që po ikën ka qenë 3,9%, por pa konfirmuar shifrën kryeministrore të të ardhurave vjetore për frymë. Berisha, si rrallë herë (apo është hera e parë?) përmendi borxhin publik, por jo për të mohuar problemet me të (siç ka bërë gjithnjë), por për t’na ngushëlluar se ky borxh është poshtë 60%-ëshit të GDP-së, dhe se kostoja e shërbimit të tij po administrohet mirë. Të vetmet shifra, që kish gjetur për t’i shpallur me ndihmën e superlativave që atij i dalin nga rropullitë ishin eksportet që janë dyfishuar gjatë dy viteve të fundit (shifër, që e nxjerrë nga konteksti ekonomik në tërësi s’do të thotë asgjë), dhe numri i turistëve që arriti në 4 milionë vetë (kjo është rrenë me bisht; ai llogarit dhe hyrje-daljet e veta në doganën kufitare si lëvizje turistike). Siç shihet pra, Berishës i kanë mbetur shumë pak gjëra për të thënë. Ai është në hall të madh, dhe kjo gjë ka për t’u marrë vesh gjatë vitit të ardhshëm.

Nga shumë burime po deklarohet e nënvizohet se rritja ekonomike e këtij viti është dy herë më e vogël se sa ajo që çaprashit megafoni i Berishës me emrin Bode. Dhe këtë nuk është se e thotë vetëm opozita. Ish-shefi i misionit shqiptar të FMN-së, Gerwin Bell, tha në nëntor për Zërin e Amerikës, se rritja e këtij viti nuk do ta kalojë 2%-ëshin, dhe rritja e pritshme për vitin tjetër do të jetë më e vogël se 1,5%. Bode u kap fort pas vlerësimeve të agjencive Standard&Poor’s dhe Moody’s, por vlerësimet pozitive të këtyre agjencive ngrihen mbi indikatorë e të dhëna lokale, dhe dihet që këto të fundit kanë vetëm një burim: qeverinë shqiptare. Do duhej të kishim dhe burime të tjera, si INSTAT, Banka e Shqipërisë, por ato i kanë tradhëtuar me kohë kërkesat e standardet e natyrës deontologjike, dhe janë shndërruar në institute që prodhojnë të dhëna që i duhen qeverisë, apo që konfirmojnë shifra të dhëna të deklaruara paraprakisht nga qeveria (edhe Bode në daljen e fundvitit tha se “rritjen prej 3,9% e konfirmon dhe INSTAT-i”, ndërkohë që INSTAT-i ka të dhëna vetëm për tremujorin e parë të këtij viti). Dhe kështu, të gjitha vlerësimet që bëhen mbi Shqipërinë ngrihen mbi të dhëna që dalin nga truri i Berishës.

Mirëpo trukimet s’mund të vijojnë pa fund. Vjen një moment, kur të dhënat e rreme zbulohen nga realiteti i gjërave. Dhe në të vërtetë, kanë filluar shpenzimet e kursimet në masë. Për vitin 2012 Berisha premtoi ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar dhe të Parlamentit të ri, por nuk ka gjetur para as për të hedhur themelet e këtyre veprave, të cilat në fakt janë gjithë ditën të diskutueshme edhe sikur paratë të ekzistonin. Qeveria nuk pati fuqi t’u japë pensionistëve dhe punonjësve të administratës shpërblimet e fundvitit. Për herë të parë gazetat kanë zënë të informojnë mbi shkurtime në administratë. Në të njëjtën kohë nuk gjenden para për të paguar kompanitë që kanë kryer punime në vepra publike me paratë e tyre në këmbim të premtimit të bërë nga qeveria për rimbursim të mëvonshëm, gjë që ka krijuar probleme në marrëdhëniet e tyre me bankat (vetëm CEZ-it shteti shqiptar, saktësisht institucionet e tij, i detyrohen në shifrën e 50 milionë eurove). Ka edhe më. Një numër kompanish kanë fituar gjyqet me qeverinë e me institucionet qeveritare, dhe vendimet gjyqësore (të formës së prerë) detyrojnë këto të fundit të paguajnë miliona euro. Të gjitha këto e bëjnë borxhin publik më të madh se sa e japin marifetçinjtë e qeverisë.

Berisha e të tijtë janë me mendjen se po ua hedhin shqiptarëve me këngën e suksesit të madh gjatë vitit 2011, por në të njëjtën kohë janë duke shkuar vetë drejt një udhe pa krye e drejt një theqafjeje. Nëse vazhdojnë të mos njohin vështirësitë, do të vijë shumë shpejt një moment dhe për ta, kur do të dorëzohen. Sigurisht, në këto rrethana drama do të jetë e shqiptarëve, por edhe Berisha, Bode, Fullani, etj, që nuk kanë nguruar të trukojnë një realitet të tërë me synimin për të ngjitur mirë bythët e tyre në karrike e për të gëzuar përfitime prej pushtetit, nuk kanë për t’ia kaluar paq.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama