Islami: Edhe nxenesit mbetes s’e besojne se u perjashtova per shkelje te disiplines

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 8 vite më parë

Kastriot Islami
Islami: Edhe nxenesit mbetes s’e besojne se u perjashtova per shkelje te disiplines

Deputeti reagon pas vendimit të Grupit të PS.

“Deri para pak kohësh Rama më thoshte: Kam respekt për inteligjencën tënde”

Sot, i qetë dhe i vendosur në bindjet e mia, që i konsideroj tërësisht e plotësisht të drejta. Pas 20 vitesh sakrifica, punë dhe kontribute në PSSH, pas gjashtë vjetësh qëkur Edi Rama përpiqet që gjithçka ka realizuar PS para vitit 2005 ta konsiderojë politikë të vjetër, pas dy vitesh përpjekje për të shpëtuar PS nga veprimet radikale e antieuropiane të dështuara, unë, kryetari i Parlamentit të parë pluralist, një nga pjesëmarrësit aktivë në themelimin dhe reformimin e PSSH nga Partia Komuniste, një nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar në institucionet ndërkombëtare, profesori i diplomuar në Francë e Gjermani, një nga drejtuesit e komisioneve për hartimin e Kushtetutës, të Kodit Zgjedhor e të sistemeve zgjedhore në këto 20 vjet, e shumë e shumë angazhimeve të tjera: pasi izolohem prej dy vjetësh nga punët e partisë e të Kuvendit, pasi shantazhohem e kërcënohem deri në krijimin e shqetësimeve për familjarët dhe banorët e lagjes, pasi margjinalizohem për shkak të vajtjes në Kuvend për miratimin e reformave proeuropiane dhe pasi linçohem publikisht për parashikimin e humbjeve në 7 minibashkitë e Tiranës, më së fundi Rama më dëbon nga forumet drejtuese të PS me porosi, orientim e pjesëmarrje direkte të vetë atij. Ndiej keqardhje kur deri pak kohë më parë thoshte “kam respekt për inteligjencën tënde”! Dhe më tej, po vetë Rama kërkon në mbledhjen e parë të Kryesisë së re “çregjistrimin tim nga Grupi i PS”. Më shumë se keqardhje. Trishtimi i madh… sepse pikërisht një vit më parë, një bisedë telefonike nga Tirana në Vlorë më thoshte se “ti nuk mund të ikësh nga PS për shkakun tim”, pasi kishte dëgjuar një thashethem sikur unë do të vetëlargohesha, që nuk më ka shkuar ndër mend asnjëherë. Dhe unë po përjashtohem nga vetë ai për shkakun e tij.

Unë sot i qetë po ju sqaroj…

Të nderuar kolegë,

1) Kjo që ndodh sot nuk është çështje e përballjes sime personale me Edi Ramën, as çështje disipline, siç përpiqet ta paraqesë atë Edi Rama. As çështje e zbatimit të rregullores së Grupit apo e Statutit të PS-së. As çështje e largimit apo çregjistrimit tim apo akoma më pak, e vetëlargimit tim nga PS, që as ka ndodhur dhe as do të mund të ndodhte ndonjëherë. Kjo është çështje e ballafaqimit të dy filozofive të ndryshme të drejtimit të PS-së, të sjelljes së PS-së, të veprimeve të PS-së; asaj që mbështes unë në funksion të fitimit të së majtës së bashkuar në të gjithë ballafaqimet elektorale të deritanishme e sidomos atë të radhës në vitin 2013, në funksion të ndërtimit të një mirëqeverisje e shteti ligjor funksional dhe, mbi të gjitha, në funksion të përshpejtimit të integrimit të vendit në BE; dhe të gjitha këto vetëm e vetëm në funksion të interesit publik dhe filozofisë së vjetër të Ramës për të drejtuar në mënyrë personale e autoritare. Kjo është përballje e një projekti që më jep tanimë legjitimitetin ta pagëzoj Projekti Fitues i së Majtës së Bashkuar për integrimin e vendit në BE me projektin “Rama”, përmes të cilit tentohet fuqizimi i autoritetit personal në krye të PS, të mbështetur ashtu siç e ka pikturuar analisti amerikan Bugajski, prej një klientelizmi në funksion të fitimit të zgjedhjeve nga PS e vetme, gjë që ka dështuar si kur e ka tentuar PD më 1996-n dhe 2001-shin, ashtu edhe sa herë ka tentuar ta aplikojë qoftë edhe pjesërisht PS në 2005-n, 2009-n dhe 2011-n.

2) Kjo është çështje e ballafaqimit të Projektit Fitues të së Majtës së Bashkuar që socialistët e kanë ndërtuar me shumë mund e sakrifica për 21 vjet me radhë, për të sjellë të majtën në qeverisjen e vendit me projektin “Rama” që nga viti 2005, kur prej tetë vjetësh mbetet në opozitë dhe rrezikon të mbetet edhe në vijim. Sot përballja është me projektin që kërkon të forcojë përfundimisht pozitat e Ramës në krye të PS në funksion të fitimit të pushtetit i vetëm dhe vetëm për vete, pa bashkim të së majtës dhe me aleatë satelitë, projekt që tenton të ndërtojë Rama që nga viti 2005 dhe që në shumicën e përbërësve të tij nuk ka qenë i suksesshëm, për të mos thënë ka dështuar. Nëse vazhdohet me këtë projekt, suksesi është i dyshimtë, për të mos thënë dështimi ka shumë gjasa të ndodhë edhe në 2013-n. Unë jam i bindur për këtë, por kam përshtypjen se edhe shumë nga kolegët ndajnë këtë shqetësim me mua, ndonëse nuk kanë guximin për ta thënë me zë të lartë.

3) Për rrjedhojë, duke dëgjuar shumë nga kolegët këto ditë, por edhe që prej dy vitesh, disa duke i mirëkuptuar dhe disa të tjerë duke i toleruar, duhet t’ju bëj të qartë se ajo që do të them sot, si dhe vlerësimet e qëndrimet e mia të deritanishme nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë kundër asnjërit prej kolegëve. Nuk e them këtë sot për oportunizëm apo për t’ju prekur që të ndryshoni vendimmarrjen tuaj, por thjesht për të qenë i sinqertë me ju. Jua them këtë sepse besoj gjithçka në projektin fitues të së majtës së bashkuar përballë projektit “Rama”. Ndërkohë që disa prej jush ndjehen të sigurt me projektin “Rama”, disa të tjerë janë të shqetësuar, disa të tjerë të pasigurt dhe disa të tjerë të demotivuar. Kurse unë ju ripërsëris se projekti dhe alternativa tjetër përballë projektit “Rama” i mbron të gjithë, i përfshin te gjithë, i motivon te gjithë, jo vetëm kolegët deputetë, por të gjithë socialistët kudo që janë, por natyrisht me një renditje tjetër vlerash, meritash e kontributesh, me një solidaritet dhe frymë bashkëjetese brezash, eksperiencash e energjish që ka qenë tipike për PS dhe janë në themel të vlerave të socialdemokracisë europiane.

4) Vlerësimet dhe qëndrimet e deritanishme nuk janë kundër të rinjve e të sapoardhurve në PS, sepse për këtë kam luftuar prej 21 vitesh, por natyrisht, projekti përballë projektit “Rama” nuk mund të pajtohet me eliminimin apo përjashtimin e të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe kanë eksperiencë e energji ende për të dhënë për projektin fitues të së majtës.

5) Gjatë dy viteve, por edhe më parë, kam zhvilluar apo mbështetur Projektin Fitues të së Majtës së Bashkuar pa asnjë sharje apo shpifje, as personale dhe as në adresë të PS, ndonëse një makinë trillimesh dhe shpifjesh e deri veprime jodinjitoze janë adresuar ndaj meje; natyrisht, këto as i kanë përkulur qëndrimet e mia dhe as i kanë tronditur bindjet e mia. Unë vetëm kam zhvilluar dhe mbështetur projektit fitues të të majtëve.

Le t’ju a them pak më ndryshe e më troç. Unë edhe për shkak të eksperiencës sime nuk mund të isha aspak dakord me bojkotin e parë 6-mujor që shkoi deri në kufijtë e djegies se mandateve kuvendore, dhe PS u fut në kufirin limit të humbjes së mandateve duke mos nxjerrë asnjë përfitim, bile edhe në aspektin e sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar vlerësimet për këtë veprim të PS ishin jo pozitive, për të mos thënë me prishje të imazhit të saj europian. Dihen tanimë qëndrimet e BE e SHBA, dhe më konkretisht të Kantrimen e Lajçak ndaj bojkotit. Po të ishte reflektuar në kohë, nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi dhe natyrisht PS do të ishte më e suksesshme. Sot kjo është një nga arsyet politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë.

Unë nuk kam qenë dakord me veprimet e rrugës në funksion të arritjes së zgjedhjeve të parakohshme, jo se kam qenë dhe jam kundër zgjedhjeve të parakohshme, por nuk mund të pranoja që PS të kishte projekt për të rrëzuar qeverinë përmes veprimeve të rrugës, ndërkohë që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kjo ishte e pamundur në rrugë kushtetuese. Kjo rrugë dështoi dhe po të kishte pasur reflektim, nuk do të kishte shpenzuar aq energji e kohë me diçka që jua parashikova që nuk funksionon dhe ashtu ndodhi. Sot PS e ka pranuar legjitimitetin e këtij Kuvendi dhe merr pjesë në Kuvend duke përgatitur zgjedhjet e vitit 2013, kjo është normale dhe unë e përshëndes, por duhet pranuar që ajo rrugë dështoi se ishte gabim. Sot kjo është një nga arsyet politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë.

Unë kam qenë kundër instrumentalizimit politik të grevës së urisë së bashku me Ben Blushin dhe më vjen mirë që kam qenë me Blushin, që është sot anëtar i Kryesisë së re. Duhet të hap një parantezë, se kam përshtypjen se edhe për këtë çështje ka pasur keqkuptime. Unë kam respektuar dhe e them edhe sot me zë të lartë se respektoj të gjitha sakrificat e kolegëve që janë në këtë sallë, por edhe jashtë kësaj salle. Këtë e përsëris sot pasi e kam thënë edhe në ato ditë dhe nuk e them sot aspak për oportunitet. Por nuk kam qenë dhe nuk jam dakord që një forcë politike që ka 66 deputetë të marrë vendim politik për t’u futur në grevë urie; kjo për mua nuk është efikase, siç edhe rezultoi, por bile e gabuar politikisht. Në kufijtë ekstremë të rezistencës njerëzore greva u përmbyll me një darkë në Strasburg, që nuk prodhoi asgjë, bile më shumë dyshime për sjelljen e lidershipit të PS. Jua them me sinqeritet se në një mbledhje në Paris, ku është diskutuar kjo çështje, të gjithë pjesëmarrësit e APKE kanë qenë të befasuar që ka filluar një grevë urie deputetësh, për më tepër masive, me vendim politik; ishte hera e parë që ata ballafaqoheshin me një veprim të tillë politik duke vënë në dyshim edhe imazhin e vendit. Po të ishte dëgjuar zëri i arsyes, kjo nuk do të kishte ndodhur. Sot kjo është një nga arsyet politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë.

21 janari është një moment tjetër. Nuk kam për të thënë më shumë dhe më bukur se çka thënë Blushi për këtë çështje: “Vrasjet ndodhën sepse edhe Edi Rama nuk e drejtoi protestën dhe nuk u fut mes protestuesve dhe gardistëve…”. Por kjo Blushit fatmirësisht nuk iu llogarit, dhe unë e përshëndes këtë qëndrim të PS ndaj Blushit, ndërkohë që kjo përbën për mua një argument për përjashtim politik. Sot kjo është një arsye tjetër politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë.

Marrëdhëniet e kushtëzuara me Kuvendin ishin një sajesë tjetër që e ka dëmtuar shumë imazhin e PS në sytë e ndërkombëtarëve. Gjithashtu besoj se secili nga kolegët e ka të qartë se publiku në shumicë e perceptonte këtë si një veprim thjesht pragmatist që deputetët të merrnin pagën. Po ashtu, publiku ka kuptuar qëndrimin dyfaqesh të PS duke tentuar nga njëra anë të bindin votuesit socialistë se PS nuk po bashkëpunon me shumicën e po bojkoton Kuvendin, kurse nga ana tjetër, t’u tregohej ndërkombëtarëve se PS nuk bojkoton më; jua them edhe këtë me sinqeritet, se i gjithë faktori ndërkombëtar e kishte shumë të qartë sjelljen tonë dhe nuk mund ta miratonte. Edhe për këtë pikë nuk u reflektua në kohën e duhur, u humb kohë, dhe ky veprim nuk prodhoi asgjë. Sot kjo është një nga arsyet tjetër politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë.

Aspak inteligjente ka qenë edhe qasja e PS lidhur me liberalizimin e vizave. Nuk po flas se çfarë thoshte maxhoranca, siç mund të tentojë dikush të mendojë apo thotë, po flas për perceptimin publik. Publiku, në vend që ta perceptonte PS si bashkautore të liberalizimit të vizave, e ka perceptuar fatkeqësisht si forcë frenuese. Unë nuk pranoj që PS ka bërë veprime kundër liberalizimit të vizave, por sjelljet e saj radikale dhe qasja e saj në ato momente kanë ndihmuar në keqperceptimin e publikut. Po të kishte reflektuar Rama ashtu siç duhej dhe të dëgjohej zëri i arsyeshëm, PS do të perceptohej më shumë si bashkautore e liberalizimit, sesa frenuese e saj, për më tepër që në të gjitha qeverisjet e saj e kishte pasur objektiv madhor këtë çështje, pavarësisht se sipas projektit “Rama”, këto qeverisje janë konsideruar politikë e vjetër. Sot kjo është një arsye tjetër politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë.

Përsa i përket çështjes së marrjes së statusit të vendit kandidat, vonesat me bojkotin e Kuvendit, vendimmarrja e pakuptueshme dhe e pakuptimte për marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin, mosvotimi i ligjeve me tre të pestat, natyrisht, pa harruar të gjitha mangësitë që lidheshin me punën e qeverisë e kthyen PS nga një promotore të axhendës integruese që duhet të ishte, në një bashkëfajtore të dështimit të marrjes së statusit të vendit kandidat. Vajtja me vonesë në Kuvend, debatet e stërzgjatura për axhendën e diskutimeve për çështjen e integrimit me planin me 10 pika etj., ishin hapa që krijuan idenë se edhe PS, po ashtu si edhe PD, nuk interesohej seriozisht për integrimin e vendit në BE. Këtu ka një moment që më duhet ta sqaroj. Në atë moment unë së bashku me kolegun Harasani kemi vajtur në Kuvend jo për t’i bërë karshillëk PS, por thjesht për t’u dhënë një mesazh partnerëve europianë se në PS ekziston dëshira dhe vullneti minimal për ta fituar statusin e vendit kandidat dhe nuk është aspak e vërtetë, ashtu siç deklaronte maxhoranca, që e gjithë opozita ishte kundër integrimit. Po të na kishit dëgjuar dhe ndjekur në atë kohë, gjë që ndodhi vetëm dy muaj më vonë, ndoshta gjërat do të ishin ndryshe, ose së paku PS vetëm një muaj para daljes së raportit të progresit nuk do të vlerësohej si bashkëfajtore e mosfitimit të statusit. Sot kjo është një arsye tjetër politike që kërkohet përjashtimi im nga Rama, ndërkohë që disa të tjerë pranë Ramës e kanë kërkuar që në atë kohë dhe bile vetë Rama ka filluar ta mendojë seriozisht këtë gjë.

Përsa u përket zgjedhjeve vendore 2011, kam shprehur publikisht vlerësimet e mia në pamundësi për t’i bërë ato me dije në institucione për shkak se as Sekretariati dhe as Kryesia nuk ishin funksionale. Dhe unë as nuk ftohesha për të dhënë mendime. Dy momente, ndër të tjera, janë të rëndësishme për t’u vënë në fokus për këtë rast. Rama nuk duhet të kandidonte për herë të katërt në Tiranë, dhe kjo jo thjesht se jemi në këtë situatë sot kur Bashkinë e Tiranës e drejton Lulzim Basha, por këtë gjë e kam kërkuar që në vitin 2007, me idenë se Rama ka marrë mbështetjen në 2005-n për të realizuar dy objektiva: a) bashkuar të majtën që e kishte premtimin e tij madhor; dhe b) të vihej në krye të ekipit të PS, në mënyrë që e majta e bashkuar të fitonte zgjedhjet në 2009-n. Së dyti, kam parashikuar mbi bazën e rezultateve të vitit 2009 se pa bashkim të së majtës, fitorja do të ishte e vështirë, dhe kështu ndodhi me minibashkitë në Tirane dhe në të gjithë Shqipërinë, ku koalicioni qeveritar mori mbi 140 mijë vota më shumë sesa koalicioni opozitar. Nuk po i futemi kësaj analize. Kjo është një arsye tjetër politike për përjashtimin tim, që ndoshta e ka ngacmuar tej mase Edi Ramën në atë kohë dhe shumë të tjerë që kërkuan përjashtimin tim publikisht.

Së fundi, në mbledhjen e fundit të Asamblesë, duke parashikuar me saktësi sjelljen e Ramës për formatimin e ekipeve të reja, Sekretariat e Kryesi, por edhe të gjitha anekset e tjera, veprime dhe masa të gjitha në vijim dhe në funksion të projektit për forcimin e pushtetit personal të Ramës në PS e njëkohësisht mbyllur kapitullin e zhurmave në PS, siç e quajnë disa mbështetës të flaktë të Ramës debatet e brendshme dhe e gjithë kjo në funksion të fitimit të të gjithë pushtetit vetëm nga Rama, nuk mora pjese. Rama, ndërkohë që kishte goditur në mënyrë të organizuar profesor Meidanin në Kongres, të vetmin që stigmatizoi në mbledhjen e Asamblesë duke mos më ofruar as formalisht asnjë post, ishte Kastriot Islami. Natyrisht, nuk prisja qëndrim ndryshe dhe për rrjedhojë, nuk kisha asnjë lloj mërzitjeje për këtë çështje, dhe më duhet ta theksoj këtë gjë që të mos trajtohet asnjë qëndrim i imi si reagim ndaj mungesës së ofertës për poste drejtuese në parti. Absolutisht kjo nuk qëndron. Unë heshta dhe me qetësi nuk reagova, ndërkohë që Rama priste ose largimin tim, ose atë që tanimë artikulohet si vetëlargim. Kjo ishte ndoshta tentativa e parafundit për largimin tim politik, por që nuk funksionoi.

Dhe e fundit fare, arsyeja banale që s’e beson askush, është kjo që u propozua nga Rama dhe kërkohet të diskutohet sot. Këtë po jua lë juve ta vendosni me votën tuaj, kolegë të nderuar. Por ju e kuptoni se ky vendim që ju do të merrni sot nuk ka të bëjë as me rregulloren, as me Statutin, që ashtu siç është vendosur në variantin e fundit, është jo demokratik, për të mos thënë më shumë. Akoma më pak me disiplinën që kërkoni të vendosni me forcë dhe rregullat autoritare që kërkoni të vendosni. Disa nga ju prisnit t’ju thosha arsye personale që dikush më tej të tallej dhe të përpiqej të më diskreditonte; edhe po të kisha të tilla, në këtë situatë nuk do t’jua kisha thënë. Veprimet e fundit me Ermelinda Meksin, mënyra prej partie-shtet e përzgjedhjes jo në Kuvend, por në PS e kandidaturave për Avokat të Popullit dhe parafabrikimi i fituesit dhe loja banale me kandidaturën e Bujar Leskajt, një herë pro kur mendohej se Berisha mund të ishte kundër dhe pastaj kundër kur Berisha vendosi të votonte pro, ishin në vlerësimin tim tejet të gabuara dhe të turpshme për t’u përkrahur. Unë e njoh shumë mirë prej 21 vitesh bashkëjetesën, solidaritetin, demokracinë e brendshme dhe disiplinën. Unë kam luftuar intensivisht për vendosjen e demokracisë së brendshme dhe kam qenë dhe mbetem një flamurtar i paepur i institucionalizimit të demokracisë së brendshme dhe mbi këtë bazë kam respektuar disiplinën e qëndrimeve, por duke vlerësuar, mbi të gjitha, mendimet ndryshe. Vetëm kështu PS do të mund të kthehej në një parti europiane, në një parti që mund të ndërtojë projekt fitues, në një parti me imazh pozitiv për shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtar, një parti që mund të ndërtojë shtet modern, një parti për qytetarët dhe, mbi të gjitha, në funksion të integrimit të vendit në BE.

Dua në fund të jem shumë i sinqertë me ju. Unë i kam dëgjuar së paku dy nga e variantet e vendimmarrjes suaj. Kam parasysh edhe mbështetësit e flaktë të variantit të përjashtimit dhe mbështetësit e heshtur të variantit të tërheqjes së një vërejtjeje paralajmëruese. Dua t’ju them hapur edhe troç dy gjëra. Gjithçka kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj edhe më i vendosur është në funksion të së vërtetës dhe integrimit të vendit; kjo është bindje e thellë dhe aspak retorikë boshe. Nuk i trembem as përjashtimit dhe as nuk jam naiv të mashtrohem nga vërejtja paralajmëruese, të cilën nuk e besoj se do ta merrni. E thënë ndryshe, përjashtimin nuk e parapëlqej, por nuk mund të mos ju them se ai do t’ju pikturonte shumë keq si parti me drejtim autoritar, për më tepër që askush nuk e beson se po e bën këtë përjashtim Edi Rama thjesht për disiplinë. Nuk ka nxënës në këtë vend, as ata që ngelin në klasë, ta besojnë se ju po përjashtoni për disiplinë Prof. Kastriot Islamin, të gjithë do qeshin. Unë nuk do të kisha bërë kurrë dhe do të isha larguar së bashku me atë që do të përjashtohej nga PS po të bënte Edi Rama të njëjtën gjë me një koleg tjetër timin.

Unë jam mësuar të them të vërtetën dhe për më tepër ndjehem krenar që ju po vini ngadalë tek e vërteta dhe parashikimet e mia. Për këtë ju përshëndes, por nuk mund të pranoj që së bashku me zotërimin e qëndrimeve të mia, ju të më përjashtoni mua apo të më mbyllni gojën duke më paralajmëruar. Jam i ngulur gozhdë në politikë derisa të kem energjitë e mjaftueshme për të thënë të vërtetën.

Do të bëhem flamurtar i integrimit të vendit në BE. Do ta them të vërtetën edhe për një arsye tjetër që s’e kam thënë asnjëherë deri tani, meqë shumë nga familja ime e ngushtë kanë vuajtur deri me burg e janë persekutuar nga një ngjarje e ngjashme që ka ndodhur saktësisht para 30 vjetëve, në dhjetor 1981, veçse ata kanë thënë atë që mendonin dhe unë nuk mund të mos kem respekt për ndershmërinë dhe guximin e tyre e, mbi të gjitha, burgun dhe vuajtjen e tyre. E thënë me një gjuhë më direkte, pavarësisht vendimit tuaj të sotëm, unë do të vazhdoj t’i mbroj me shumë intensitet dhe vendosmëri bindjet e mia, të vërtetën. Do të flas publikisht sepse këto ditë kam ndjerë si asnjëherë tjetër që vetëm duke qenë një personazh publik dhe me integritet ke shanse të gjesh mbështetje nga publiku dhe media. Gramozit i kam propozuar dje edhe një opsion tjetër, që do ta shpëtonte PS nga ky ngërç, por do ta shtjelloj në media sepse, me sa duket, nuk është marrë në konsideratë.

Të nderuar kolegë,

Për ta mbyllur fjalën time të shkurtër dhe ju lënë të qetë në vendimmarrjen tuaj, po ju kujtoj se kjo ngjarje do të mbetet në historinë e politikës shqiptare si një njollë e zezë për PS. Këtë mos e harroni. Një ngjarje për të dënuar me dyer të mbyllura dhe në mungesë, një vendimmarrje që do të etiketohet si staliniste. Do të ishte mirë të votonit nominalisht sepse ky film do të mund të shikohet edhe pas 30 vjetësh. Dhe unë shpresoj dhe uroj që të gjithë ju do të gëzoni shëndet të plotë deri atëherë.
Me këtë rast ju uroj Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2013! Edhe për familjet tuaja.
Faleminderit për vëmendjen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama