Gjërat janë keq? Duhet pasur frikë se ka më keq se sa keq

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 9 vite më parë

Mustafa Nano
Gjërat janë keq? Duhet pasur frikë se ka më keq se sa keq

Në Shqipëri gjërat po shkojnë keq, shumë keq. Vendi dhe tërë institucionet kanë rënë një e nga një në dorë të një njeriu të vetëm, Sali Berishës. Kanë mbetur dhe dy a tre sosh, por dhe këto asëll-asëll nuk është se i kanë hapur ndonjë problem e nuk është se i janë bërë pengesë tahmasë së tij për ta sunduar këtë vend (Presidenca e Republikës, Prokuroria e Përgjithshme, SHISH). Ai ka për t’i marrë dhe këto, megjithatë. Sikur bota të përmbyset, ka për t’i marrë. Tani ka dhe ligjin aleat. Ligji thotë se krerët e këtyre institucioneve zgjidhen nga mazhoranca, dhe kësisoj vetëm naivët mund të shpresojnë se mund t’mos e marrë atë që të tjerët s’kanë si ta pengojnë që ta marrë. Dhe këto do të jenë ‘qershiza mbi tortë’.

Pas kësaj, të gjitha do të jenë në dorë të tij. Po i numëroj: 1. Pushteti ekzekutiv; 2. Mazhoranca ligjvënëse; 3. Parlamenti; 4. Presidenti; 5; Gjykata e Lartë (nuk ka nevojë të shohim përbërjen; mjaft të shohim vendimet dhe sjelljen e saj); 6. Gjykata Kushtetuese (e kemi parë atë kryetarin e Gjykatës, se si shkoi të nesërmen e emërimit të rrinte si rosë e lagur përballë tij); 7. Prokuroria e Përgjithshme; 8. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (e merr këto ditë, me ndihmën e Presidentit); 9. Gjithë administrata publike; 10. Policia e Shtetit; 11. Garda e Republikës; 12. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë; 13. Financat (bën ç’të dojë me qesen e shtetit; kush do ta kundërshtojë? Ridvani?); 14. Diplomacia (dhe për këtë nuk është provë dhëndri buzëqumësht i Jozit, apo nipi gangster i vetë Berishës, që janë bërë pjesë e trupit diplomatik; është i gjithë trupi diplomatik që është në shërbim të tij); 15. Ushtria (apo s’mund ta përdorë, nëse ia do puna, ngaqë i bëhet pengesë Imami ynë?); 16. Televizioni publik; 17. Universitetet; 18. Të gjitha shkollat publike të sistemit parauniversitar (ka arritur deri atje sa u ka vënë drynin shkollave për të nxjerrë nxënësit në tubime elektorale); 19. Pushteti lokal (atje ku s’e kontrollon dot, e saboton); 20. Banka e Shtetit; 21. INTAT-i etj., etj., etj.

Çfarë ka mbetur në këtë mes pa u kontrolluar? Një vëzhgues i jashtëm do mendonte se janë dobare jashtë kontrollit të regjimit zgjedhësit, opozita, intelligentsia, dhe media. Është kështu? Zgjedhësve nuk kanë ç’t’u bëjnë, pasi nuk mund të blihen votat një e nga një; sigurisht, thasë me miell shpërndahen, ashtu siç bëhen dhe presione sa të duash, por megjithëkëto, zgjedhësit nuk mund të blihen; ata mund të konsiderohen relativisht të lirë; e vetmja rrethanë, ku shumica e shqiptarëve ndihen relativisht të lirë, është dhoma ku ata futen për të votuar. Po, është e vërtetë, këtë liri të zgjedhësve regjimi e kompenson duke kontrolluar në një masë jo të vogël zgjedhjet, procedurat dhe rezultatin, por jemi ende në kushtet, ku ky regjim mund të mundet me votë; mjaft të mbrohet integriteti i procesit të numërimit.

Për sa i takon opozitës, duhet thënë se atë s’është e lehtë ta marrësh të tërën nën kontroll. E vërteta është që mund të kontrollohet duke kushtëzuar, ndikuar e diktuar garën brenda saj, në mënyrë që në udhëheqje të zgjidhen njerëz të shantazhueshëm, apo kinse opozitarë, por opozita si e tërë nuk mund të kontrollohet. Ka plot qejflinj teorish konspirative që shkojnë deri atje sa thonë se mund të blihen drejtuesit e opozitës, ose të paktën kryetari i saj, por unë nuk po eci asaj ane. Është mirë t’mos i besosh këto gjëra, ngaqë ndryshe mund të luash fare nga fiqiri.

Për mua, opozita e sotme është në gjendje të ketë një sovranitet në gjykim e në ndërtimin e aksionit politik (e mban në këto nivele të sovranitetit në gjykim e në aksion, jo ndonjë standard etik apo ndonjë kredo politike e doktrinore, por ‘ideja e bukur’ se mund të vijë në pushtet nga një moment në tjetrin). Kjo opozitë që kemi gjykimet mund t’i ketë të dobëta dhe aksionin politik jo eficient, por këto pafuqira nuk vijnë prej ndonjë varësie të supozuar apo hamendësuar nga regjimi; janë pafuqira fiziologjike; kaq di, kaq bën.

Me intelligentsia-n ndryshon puna. Atë e kanë nëpërkëmbur dhe poshtëruar më keq se sa në kohët e Enver Hoxhës; si të ishte vulgu i vulgut, është përfshirë e tëra nga ethet e betejës për kotheren e bukës, e nuk kemi pse të çuditemi fare në këto rrethana, që një vend pune për veten, për fëmijët, për gruan, për motrën a vëllain të vlejë më shumë se sa një vet-vlerësim akademik, një ndershmëri intelektuale, një pasion civik, apo një dinjitet human. Një ilustrim? Është 21 janari, dita kur regjimi vrau katër shqiptarë, krimi i të cilëve ish se ishin kundër regjimit. Qëndrimi që mbajti intelligentsia atë ditë, e në ditët që vijuan (kur ekzekutimi i atyre katër vetëve u motivua me thikat me helm, me stilolapsat-pistoletë, me grushtin putativ të shtetit të përgatitur nga politikanë, institucione e gazetarë, etj, etj), ishte heshtja.

E gjithë ndërgjegjja civike e morale e një kombi u la ato ditë në dorë të do gazetarëve, të cilëve ka qenë e lehtë t’ua shpërfillje, t’ua çoje dëm apo t’ua bëje pis aksionin apo mesazhet me damkën “të rreshtuar me opozitën”. Nuk u dëgjua asnjë zë tjetër. Më saktë, mezi u dëgjua ndonjë zë tjetër. Ismail Kadare, personifikimi par excellence i kësaj intelligentsia-je (ose me fjalë që atij me të drejtë s’i pëlqejnë, “babai i kombit”), guxoi të thosh një frazë të ngjashme me: “aha, tani hyri vdekja në mes”, u ul t’i shkruante një letër naive e qëllimmirë Lulzim Bashës, dhe kaq. Pastaj heshti. E kur hesht Kadareja, që s’ka më nevojë ta ketë mirë me (apo t’i ketë frikë) regjimet, nuk kemi pse të tronditemi nga heshtja e atyre, që në këmbim marrin dhuratë nga regjimi një karar minimal për vete e për të vetët.

Më në fund media. Ajo është në ditët e veta më të zeza. Mediat që janë kritike me pushtetin ndodhen nën presion. Në disa raste pronarëve të tyre u është ofruar pará e madhe në mënyrë që t’i lëshojnë në duar të tjera. TV ‘News 24’, ‘Gazeta Shqiptare’ e ‘Balkanweb’-i kanë qenë qysh në krye të herës me një frymëzim strategjik opozitar, ndërsa tani ato janë të regjimit. ‘Alsat’-i që kish një natyrë paqësisht e asnjanësisht pan-kombëtare, tanimë – me emrin ‘AS’ – është ajo që duket se është. ‘Korrieri’ u detyrua të mbyllet. ‘Tema’ ka mbijetuar falë mendjes kapsolle të botuesit të saj. Gazeta ‘Shekulli’ është bërë për të ardhur keq; sot po mbahet në pjesën më të madhe me shkrime të marra sa andej, këtej. Kokëdhima ka vendosur, me sa duket, ta lërë të vdesë krijesën e tij (deri më sot nuk ua ka vënë veshin sugjerimeve të arsyeshme për t’ua shitur biznesmenëve të regjimit). ‘Shqipi’ mbahet falë dhjamit të vënë në kohë të tjera të ‘Top Media’-s. ‘Top Channel’-i dhe ‘Vizion Plusi’ nuk kanë nervin opozitar të qëmotshëm, ndonëse nuk kanë hequr dorë nga kritikat ndaj pushtetit.

Ndërsa në krahun tjetër, mediat punojnë në një regjim këndelljeje të plotë. Asnjë media e lidhur me pushtetin nuk ka falimentuar e nuk dalë në treg për t’u shitur. Të gjitha janë në treg të pashqetësuara; të gjitha janë me humbje, e shumica janë pa ndonjë ndikim në opinion, por ato janë në treg, të sigurta në pikëpamje financiare, ndoshta më të sigurta se sa multinacionalja Apple Inc. në Silicon Valley.

Të kuptohemi, nuk është problemi i një ballafaqimi numerik. Bën vaki që në këtë plan, media opozitare të mbahet akoma. Por problemi është tek një frymë dhe klimë gjenerale e frikës, e nënshtrimit ndaj regjimit, madje  më keq akoma, tek një klimë gjenerale e mirëkuptimit me regjimin, që ca gazetarë (dhe media) i bën të jenë me bujë në mbështetje të tij (regjimit), ca të tjerë i bën të ndërrojnë pllakë, ca të tjerë më tej të kontrollojnë e moderojnë qëndrimet e tyre ‘mistrece’, e ca të tjerë akoma ta nxjerrin regjimin në breg nëpërmjet barkës së relativizimit të gjërave. Si? Duke thënë, fjala vjen, se ky regjim është i ndyrë sa të duash, por opozita është edhe më e ndyrë, ose po aq e ndyrë. E kanë thënë këtë para se të ndodhte Gërdeci, para se të vidheshin miliona euro të rrugës Durrës-Kukës, para se të dilte video-përgjimi, para se të qëllohej me plumba mbi qytetarët në bulevard, para se regjimi të vidhte brutalisht zgjedhjet në Tiranë. Sipas tyre, nuk ka rëndësi se ç’bën regjimi; opozita i mbetet aty në krah, më e ndyrë; ose në rastin kur nxjerrin nga xhepi pak bujari, po aq e ndyrë.

E vërteta është se për opozitën shqiptare – të rrimë shtrembër e të flasim drejt – ka plot gjëra për të thënë. Në këtë kuptim, nuk ke ç’u thua atyre që e mbajnë target të kritikave. Dhe në këtë kuptim, nuk do ishte e drejtë ta shihnim këtë animozitet ndaj opozitës si një problem. Problemi i madh është një tjetër; problemi është kur nuk arrijnë të shohin regjimin, kur shkruajnë e thonë gjëra të tipit – po marr disa qëndrime në kohë të ndryshme të F. Lubonjës që e përfaqëson më mirë se të tjerët këtë kategori – “Berisha nuk është i korruptuar, por është dorëzuar para korrupsionit”, ose “ç’keni që merreni me familjen  e kryeministrit?”, ose “mjaft u morët me ca metra katrorë ujë deti” (kur ishte për diskutim çështja e marrëveshjes mbi kufijtë detarë mes Greqisë e Shqipërisë), ose “ka ca që thonë se ka faj pushteti që shtiri me armë mbi njerëzit, por ka ca të tjerë që thonë se ka faj dhe ai që i çoi përpara Kryeministrisë për t’u vrarë”, ose “media është në dorë të biznesmenëve të korruptuar të llojit të – Sandrit? Irfanit? Jo, ç’është ajo fjalë – Koço Kokëdhimës e Dritan Hoxhës” etj., etj.

Është kjo ‘përtaci intelektuale’ për t’u marrë me regjimin, tok me nervin civik pothuaj të ngordhur të shoqërisë, tok me median e me intelligentsia-n e pazëshme, tok me opozitën që s’ka fuqi të krijojë një frymë kapilare të mospajtimit me regjimin, që të hedhin në dëshpërim. Thashë në krye të herës se gjërat po shkojnë keq? Hm, kam frikë se ka më keq se sa keq. Që m’u thaftë goja!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama