Reformat do te kryhen shpejt e shpejt!?

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 15 vite më parë

Mustafa Nano
Reformat do te kryhen shpejt e shpejt!?

Reformat me konsensus të gjerë bipartizan janë të mundimshme kudo në botën e demokracive të pjekura e të konsoliduara. Kjo vjen kryesisht prej faktit që aktorët në skenën politike kanë interesa e vizione të ndryshme, të cilat është e vështirë t‘i përputhësh. Ndonjëherë kanë edhe teka të ndryshme, të cilat e kanë burimin te përmasa irracionale e dialektikës demokratike (aty ku ka veprim human, ka domosdo edhe emocione, inate, mëri, antipati, dyshime, paragjykime, etj., etj.).

Por le të mbetemi tek interesat e tek vizionet e ndryshme të partive, të cilat në botën perëndimore - me pak përjashtime - kanë një histori të tyren relativisht të gjatë. Dhe është pikërisht kjo histori që dikton në çdo moment e në një masë të madhe sjelljen politike të tyre. Të gjithë e tundin vazhdimisht flamurin e ndryshimit, por nuk është e zorshme të kuptohet se edhe ndryshimi më i madh nuk është gjë tjetër, veçse një evolucion i lehtë e i përkorë i traditës. Tradita është një gjë, së cilës nuk mund t‘i ikësh për fare e menjëherë; përndryshe, je i dënuar të dështosh. Tradita kushtëzon qëndrime e sjellje në çdo kohë, qoftë në planin individual, qoftë në planin kolektiv. Dhe te tradita e partive mund të përfshihet edhe historia e aksionit politik, edhe pionierët e etërit e lëvizjes politike, edhe korpusi i ideve dhe i vizioneve, te të cilat është besuar e për të cilat është luftuar, edhe aleanca ideologjike me shtresa e kategori të caktuara të shoqërisë (deri para pak kohësh, këto shtresa e kategori thirreshin klasa), edhe - kjo është praktikisht më e rëndësishmja - shqetësimi për ta mbajtur të gjallë e të suksesshme kauzën (kjo kauzë në asnjë rrethanë nuk është e pastër; përkundrazi, është e nakatosur keqas me ambicien e leader-ëve apo të leadership-eve për të mbijetuar në betejat politike për pushtet).

Kjo është arsyeja që klasa të ndryshme politike ngecin në përpjekjet e tyre për të bërë reforma të ndryshme, të cilat mund të kenë të bëjnë me sistemin e përshtatshëm zgjedhor, që duhet adoptuar në një kontekst të ri, por mund të kenë të bëjnë edhe me përtëritjen e modernizimin e gjithë sistemit politiko-shtetëror. Ngecin në baltën e mosmarrëveshjeve për vite e dekada të tëra, pasi secila palë ka një projekt të ndryshëm modernizimi, për të cilin beson apo bën sikur beson se është i vetmi që rrit e siguron eficencën e funksionalitetin e sistemit. Kur them "bën sikur beson", kam parasysh faktin, që shpeshherë partitë as që e vënë ujin në zjarr për ndërmarrjen e reformave të njëmendta apo për ngritjen e sistemeve eficente të qeverisjes e të kontrollit të qeverisjes. Shpesh herë pra, prapa dënglave të tyre në emër të parimeve e të merakut për të mirën publike, fshihen interesa banale. Fjala vjen, mund të mendohet vallë se në kuadrin e diskutimit mbi pragun elektoral, të gjitha partive të vogla u digjet barku për parimin demokratik të përfaqësimit, teksa këmbëngulin për mbajtjen në nivele të ulëta të këtij pragu? A mund të mendohet gjithashtu se partitë (këtë herë jo vetëm të voglat), teksa diskutojnë mbi adoptimin e një sistemi zgjedhor, na e paskan mendjen veç te synimi për t‘i bërë zgjedhjet optimalisht të pamanipulueshme dhe te synimi tjetër për të prodhuar qeverisje të qëndrueshme? Absolutisht jo. Të gjitha, më shumë partitë e vogla e më pak partitë e mëdha, e kanë mendjen edhe te ndërtimi i një sistemi zgjedhor, i cili ua bën të lehtë mbijetesën apo suksesin. Në raste të tilla interesi është më i shenjtë se sa meraku për parimet apo bindjet, por kjo s‘do të thotë se nuk ka raste të tjera, ku meraku për parimet e bindjet e tyre del në plan të parë. Në shumicën e rasteve këto bindje janë të ndryshme nga bindjet e palës tjetër apo palëve të tjera. Nëse shtojmë këtu edhe kontekste të caktuara politike të ngarkuara ca si shumë me emocione, me animozitet e me dyshime, vështirësia e kryerjes së reformave bëhet gjithmonë e më e madhe. Kjo është ajo që ndodh gjetkë.

Le të zhvendosemi në terrenin shqiptar, ku ngecja e reformave është një dukuri e njohur dhe e prekshme. Por këtu, vështirësia e kryerjes së reformave është e një natyre të ndryshme, pasi faktorët që i krijojnë këtë vështirësi (interesat e vizionet e palëve nga njëra anë, dhe animoziteti mes palëve nga ana tjetër) nuk kanë peshën, ngarkesën e ndërvarësinë "fiziologjike", që vihet re në vende normale. Në Shqipëri gjërat do të duhej të lehtësoheshin prej faktit, që sistemet nuk kanë nevojë të reformohen, por të ngrihen nga e para. Do të duhej të lehtësoheshin gjithashtu prej faktit, që partitë nuk janë ngritur, nuk ekzistojnë e nuk funksionojnë si entitete ideologjike. Më tej, asnjëra sosh nuk tërhiqet zvarrë prej ndonjë tradite të rëndë. Shkurt, në procesin e kryerjes së reformave nuk ka pengesa, që kanë të bëjnë me britma identitare. Fjala vjen, para pak kohësh, teksa diskutimi mbi ndryshimin e kodit zgjedhor po njihte një kulm të vetin, Kryeministri s‘e pati për gjë të deklaronte se "nuk kam asnjë preferencë timen e se jam i hapur për çdo sistem zgjedhor". Po kështu, opozita është fokusuar më së shumti në evitimin e "Dushkut", në përpilimin e saktë të listave e në prodhimin e kartave elektorale, e me këtë dëshmon se nuk e vë ujin në zjarr për "çikërrima" të tjera. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë konflikt vizionesh apo projektesh.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për reforma të tjera, siç është kjo, që ka të bëjë me fushën e drejtësisë. Nuk kanë munguar zëra, të cilat na kanë bërë me dije, se reforma e sistemit të drejtësisë do të kryhet brenda dy javësh me një konsensus të gjerë mazhorancë-opozitë. Sikur kjo të bëhej realitet, do të mund të thoshim me plot gojën se palët nuk kanë asnjë ide e asnjë projekt, pas të cilave të jenë të fiksuara. Në fakt, kështu është e kështu ka qenë gjithmonë. Por reformat nuk janë kryer megjithatë. Pse? Shpjegimi është shumë i thjeshtë: Ndërsa palët nuk kanë asnjë vizion e asnjë projekt të veçantë mbi reformat, ato dinë megjithatë të dallojnë humbjet e tyre te çdo reformë e kryer. E kjo i ka bërë e i bën ose të mos e iniciojnë, ose ta sabotojnë procesin e reformave të nevojshme në një klimë të animozitetit të fortë. Është pikërisht ky animozitet i shpërpjestimuar dhe shpeshherë i ngritur në mbrojtje të interesave tejet banale e tribale, që e ka dalluar vazhdimisht klasën politike shqiptare. Është pikërisht ky animozitet, që ka bllokuar më së shumti procesin e reformave serioze në Shqipërinë e shtatëmbëdhjetë viteve të fundit.

Nëse tani duket se ka një lloj vendosmërie për të kryer një numër reformash (serioziteti i këtyre reformave të bëra me shpejtësi marramendëse e me konsensus të hazërtë duhet vënë në dyshim gjithë ditën e ditës), kjo nuk ka të bëjë me faktin, që palët janë ftilluar. Jo! Palët janë në prag të summit-it të NATO-s, e kjo gjë, shoqëruar edhe me presionin ndërkombëtar që e lidh anëtarësimin në NATO me kryerjen e reformave, i ka bërë partitë tona më të përunjura e më pak arrogante. Duhet shpresuar që anëtarësimi në NATO (nëse bëhet) të shërbejë si një presion më i madh në të ardhshmen. Vetëm me këtë mund të lidhet shpresa për një klasë politike të përgjegjshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama