Korrupsioni fillon tek partite politike

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 15 vite më parë

Mustafa Nano
Korrupsioni fillon tek partite politike

Bie erë të keqe kjo punë. Partitë tona, sidomos udhëheqësit e tyre, nuk lënë rast pa e thënë të tyren lidhur me të gjitha çështjet që shqetësojnë opinionin publik; shpeshherë e bëjnë këtë gjë në mënyrë propagandistike, duke vënë thekse të forta e duke lëshuar britma e ulërima, të cilat më së pari synojnë të ngarkojnë me përgjegjësi kundërshtarët e tyre politikë. Retorika e tyre ka qenë laramane sa s‘ka ku të shkojë, mirëpo në këtë pikë kanë heshtur. Do të na duhet të zhbirilojmë me zell në arkivin e deklaratave të tyre të kohëpaskohshme për të gjetur ndonjë aluzion të përmbajtur e me gjysmë zëri mbi nevojën për transparencë në veprimtarinë e partive. Zërat nga jashtë partive, të cilët kanë dashur t‘u bien borive të alarmit, e të cilët e kanë lidhur këtë mungesë transparence me korrupsionin endemik që gjallon në trupin e gjithë klasës politike, nuk kanë munguar asnjëherë, por këto zëra janë injoruar. Dhe kështu, ky argument nuk është vënë asnjëherë në fokus të debatit publik e mediatik. Edhe tani që është bash momenti për t‘i hyrë kësaj çështjeje seriozisht, duket se të gjithë politikanët e të gjitha krahëve e konsiderojnë këtë shqetësim një çikërrimë, me të cilën nuk ia vlen të merresh. Por do të bënim mirë të ndaleshim ne të tjerët.

Ajo që ka ndodhur deri më sot është një maskaradë e vërtetë, përmasat e së cilës dalin në shesh prej ballafaqimit të deklarimeve të vetë partive mbi shpenzimet elektorale (secila ka deklaruar jo më shumë se 300 mijë euro) me shpenzimet reale. Nëse marrim për të vërteta llogaritë e gazetarit Malaj (ai thosh se praktikisht janë shpenzuar rreth 12 milionë euro në fushatën elektorale të vitit 2007), na duhet të themi se kjo situatë përbën aferën më të ndyrë korruptive të klasës politike shqiptare. Të kuptohemi, nuk është afera më e ndyrë në pikëpamje të masës së parave që lëvizin jashtë mekanizmave shtetërorë e jo shtetërorë të kontrollit e të monitorimit (është e sigurt se shuma shumë më të mëdha lëvizin nën skrivanitë e zyrtarëve tenderbërës); është e tillë, ngaqë kjo situatë përbën një korrupsion spektakolar, një korrupsion ditën me diell, një korrupsion që nuk maskohet asnjë çikë, një korrupsion që është legalizuar prej heshtjes e miratimit të faktorëve politikë, një korrupsion që, pikërisht për këtë arsye, nuk bën të skuqet e zverdhet askënd prej atyre që e kryejnë. Në ndryshimet pra nga aktet e tjera korruptive, ku kundërvajtësit jetojnë vazhdimisht me frikën se do të zbulohen, se do të ndiqen penalisht e se do të dënohen, autorët e një korrupsioni të tillë janë të sigurt se nuk mund t‘u hyjë gjemb në këmbë. Ata janë të mbrojtur në këtë paudhësi prej asaj që anglezët e quajnë complicity.

Nëse ndonjë gazetar do të guxojë të shkojë në selitë e partive për të kërkuar e për të marrë një informacion të saktë mbi shpenzimet e financimet elektorale, ai do ta gjejë me siguri derën të mbyllur. Madje, mund ta përzënë me shkelma. E të mendosh se e drejta për t‘u informuar lidhur me financimet e partive është një e drejtë elementare dhe themelore e çdo qytetari të këtij vendi; është një e drejtë, që nuk mund t‘i mohohet askujt me arsyen, se nuk ka ligj që e bën të detyrueshme këtë gjë; është një e drejtë që buron prej detyrimit për transparencë. Dhe sido që t‘i vijmë rrotull argumentit, detyrimi për transparencë në këtë rast nuk ka nevojë për asnjë ligj. Ky detyrim është fiziologjik në çdo demokraci.

Nga ana tjetër, shuma e 12 milionë eurove të shpenzuara gjatë fushatës së vitit 2007 është një shifër e rrumbullakosur. Me siguri, paratë e shpenzuara janë më të mëdha se sa kaq. Ata që kanë pasur mundësi të rrinë afër politikanëve shqiptarë, të cilët kanë kandiduar më se njëherë në zgjedhje të ndryshme e të cilët kanë organizuar me këtë rast fushata parambledhëse, e dinë shumë mirë se për çfarë shumash bëhet fjalë, ashtu siç e dinë shumë mirë se nga kush jepen këto pará (jepen nga sipërmarrës, suksesi i të cilëve bazohet te puna në të zezë), për ç‘qëllim jepen këto pará (jepen për të siguruar një lloj mbulimi politik), në ç‘mënyrë regjistrohen e shpenzohen (gjithçka bëhet me metoda të shpenguara e sportive, ndonjëherë edhe në sfond mejhanesh).

Dhe çfarë vjen më pas është në sytë e të gjithëve. Një nga shqetësimet më të para të pushtetit të sapoinstaluar është të shpërblejë sipërmarrësit që kanë financuar fushatën e saj të suksesshme dhe këtë e bën me politikën e tenderave, me qëndrimin ledhatues të organeve tatimore e doganore, me variantin "një sy qorr e një vesh shurdh" ndaj shkeljeve, abuzimeve e kundërvajtjeve të kompanive që komandohen prej tyre, me sulmet e porositura e të programuara që u bëhen sipërmarrjeve konkurrente, e kështu me radhë. Përveç kësaj, kjo duket edhe tek fakti, që me ndërrimin e pushtetit, kemi automatikisht edhe një ndërrim të elitave e të klientelave sipërmarrëse. Më në fund, kjo duket edhe tek fakti, që me të ardhur në pushtet një parti e caktuar, fillon e merr rrugë procesi i shpikjes së sipërmarrësve të rinj që vijnë nga hiçi. Vetëm ndonjë i marrë mund të besojë se një pushtet i caktuar do të ketë kurajon për të kërkuar abuzimet e kundërvajtjet edhe tek ato biznese, që kanë financuar nën rrogoz suksesin elektoral e lindjen e këtij pushteti.

E keqja e gjithë kësaj dukurie nuk ndalet thjesht te mungesa e transparencës së financimit të partive politike, e te fakti, që kjo mungesë transparence përbën - po i rikthehem përcaktimeve të mësipërme - një korrupsion spektakolar e të pamaskuar. E keqja shkon më tutje, duke lënduar deri në palcë deontologjinë e ontologjinë e tregut të lirë, duke vrarë çdo logjikë të garës e duke krijuar monopole të reja mbi shpinën e monopoleve të vjetra, duke u kallur frikën te të gjithë sipërmarrësit, shumica e të cilëve, bash për këtë shkak, bëjnë lojën e sponsorizimeve bipartizane. Me një klasë të tillë biznesmenësh, të cilët janë shndërruar në skllevër të pushteteve, është e vështirë të flasësh për një klimë lirie në Shqipëri. E në këtë kuptim, ato klasifikimet e organizatave të huaja, të cilat na shpallin si vendin me lirinë më të madhe ekonomike në botën lindore, janë një pesë me hiç. Nuk mund të ketë liri ekonomike në një vend, ku bota e sipërmarrjes është krejt e skllavëruar dhe kliente e pushteteve të radhës. Nuk mund të ketë liri ekonomike në një vend, ku asnjë sipërmarrës nuk guxon të deklarojë zëplotë vokacionin e vet prej opozitari. Dhe nuk do të bënim keq që arsyen e kësaj memecërie të sipërmarrjes ta kërkonim, përveç të tjerash, e më së pari, edhe te këmbëngulja e politikës për të mos e prekur sistemin e ndyrë të financimeve të veprimtarisë së tyre elektorale e politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama