Bota po e përcjell Steve Jobs-in me dhembshuri

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 9 vite më parë

Mustafa Nano
Bota po e përcjell Steve Jobs-in me dhembshuri

Vdekja e Steve Jobs-it po shoqërohet me vëmendje e nderime të jashtëzakonshme. Nuk di kush është rrethana e fundit, në të cilën dikujt pas vdekjes i është kushtuar një vëmendje më e madhe se sa kjo. Iu bënë Michael Jackson-it nderime të tilla postume? Jo, nuk duket kështu, edhe pse në këtë rast të fundit, ikjes së një gjeniu të muzikës, iu shtua një motiv më shumë: vdekja e mistershme e tij, mbi të cilën po flitet dhe nëpër salla gjyqesh. Mos vallë ishte vdekja e terroristit Osama Bin Laden, që tërhoqi më shumë vëmendje? Jo, çuditërisht jo, ndonëse vdekja e tij ishte përgatitur të ish një vdekje e bujshme. Apo iu bënë ish-presidentit amerikan, Gerald Ford? Apo Ronald Reagan-it? Ndoshta këtij të fundit, por përsëri nuk mund të flitej në atë rast (viti 2004) për një homazh kaq të shtrirë në pikëpamje globale.

Nderimi që po i bëhet Steve Jobs-it është ndryshe, megjithatë, më i sinqertë, më i vetvetishëm. Është nderimi që i bëhet dikujt që nuk pati pushtet, nuk pati as dëshirën për të pasur pushtet. Ai pati ndikim, por kjo ishte një gjë që ai s’e kërkoi. Ndikimi erdhi si rrjedhojë. Ai nuk kërkoi as famën e vizibilitetin, gjë jo fort e kuptueshme në botën e sotme, ku promovimi i imazheve është një gjë që lakmohet më së shumti. Në fakt, Jobs-i është një nga pak njerëzit e shquar, që nuk e duronte dot, dhe afërmendsh nuk e synonte, vëmendjen e mass-media-ve për motive që s’kishin të bënin me kompetencën e profesionin e tij. Jeta e tij ishte e tëra e harxhuar larg reflektorëve.

Nuk pati asnjë agjenci lajmesh e asnjë gazetë të printuar apo online, të mos mbante për orë e orë të tëra si lajm të parë vdekjen e këtij shpikësi par ecexellence. Në fillim doli lajmi i shkurtër, njoftimi i marrë nga homepage i kompanisë “Apple”, e pastaj lajmi saktësohej, pasurohej e plotësohej në çdo pikëpamje. Personalitete të tjera mund të jenë rrethuar për një arsye, apo për një tjetër, edhe me armiqësi, prandaj edhe mund të jenë sulmuar sa ishin gjallë e mund të jenë “injoruar” pas vdekjes, ndërsa Jobs-i u ish përkushtuar gjërave që qëndronin mbi interesat nacionale, mbi pasionet fetare, mbi ideologjitë politike, e mbi çdo gjë tjetër, që mbjell e provokon ndezje gjakrash në këtë botë. E prandaj, nderimi për të nuk kish si të prekej prej logjikave sektare.

Nuk u kursyen emërtimet, etiketat, përkufizimet e përshkrimet që iu bënë dje, e që do të vijojnë të bëhen sot, nesër e pasnesër, në adresë të Steve Jobs-it. “Ai është një amerikan nga maja e gishtave të këmbës në fijet e flokëve; ne europianët s’do mund ta prodhonim kurrë një të tillë”, thosh dikush në një gazetë të kontinentit. “Guru, vizionar, gjeni, the top manager, hiperkompetitiv, shpikës i së ardhshmes, revolucionar, artist, leader, Leonardo da Vinci”, u tha nga njerëz të ndryshëm dje. Teprime? Tek-tuk edhe po, por nuk janë të kërkuara. Personazhi në fjalë të kall ngasjen e pafajshme për të bërë ndonjë teprim të vockël teksa përpiqesh ta përshkruash.

Ai ishte personifikim i asaj që sociologët e kanë emërtuar si American Dream, e që rëndom ilustrohet nga jeta e atyre njerëzve, të cilët lindin nga asgjëja për t’u bërë gjithkushi. Është një teprim e mit edhe ky koncepti i Ëndrrës Amerikane, por ja, janë njerëz të tillë me një jetë të jashtëzakonshme që të bëjnë ta besosh se ëndrra amerikane është e mundur të bëhet realitet. Steve Jobs-i, ashtu si Barack Obama, kanë një origjinë shumë pak amerikane (apo është e kundërta? Apo është një origjinë tipikisht amerikane?). I dyti pati për nënë një amerikane e për baba një afrikan, ndërsa Jobs-i pati për baba biologjik një sirian, për nënë një studente amerikane, dhe për prindër de facto dy amerikanë të tjerë, që e adoptuan me zemër të madhe dhe e rritën me shumë mundime. Dhe Steve u bë ai që u bë. Nuk është kjo ëndrra amerikane në variant manualesh, njësoj si në rastin Obama?

Nga ana tjetër, njësoj me Bill Gates-in, Jobs-i nuk ia thosh shumë për shkollë. Të dy e lanë shkollën. Gates-i e la Harvard-in, pasi pëlqente më shumë poker-in. Ndërsa Jobs-i nuk duroi dot më shumë se një semestër në shkollën “Reed College” të Oregonit. I duhej të siguronte mbijetesën, gjë që e bënte duke shitur e ricikluar shishe të “Coca-Cola”-s për 5 dollarë. Edhe kjo flet për një Ëndërr tipike Amerikane, për një ëndërr nga ato që rrëfehen në Hollywood, d.m.th një djalë i ri që rropatet për të siguruar bukën e gojës, e që pas dy dekadash bën për vete botën me gjenialitetin e vet.

Ndoshta mund ta ketë ndihmuar dhe fati, por nga ana tjetër, ta thuash këtë për një njeri që ikën nga kjo botë pa bërë të gjashtëdhjetat është disi cinike. Mirëpo, nuk duket se e përjetoi në mënyrën më dramatike se sa duhet kancerin e vet në pankreas. Përkundrazi, e përjetoi si shortin e tij, e përjetoi ashtu si do donte që të gjithë njerëzit ta përjetonin, kur vdekjes t’i binte udha nga lagjja e tyre e t’u trokiste në derë. E ka thënë në vitin 2005 në një bisedë me studentët e Stanfordit: “Askush nuk ka qejf të vdesë. Edhe ata që presin e duan të shkojnë në parajsë, nuk kanë ndonjë ngut për të vdekur, s’ka gjë se vdekja është destinacioni i gjithsecilit. Nuk mund t’i përvidhemi vdekjes dhe shyqyr që është kështu. Vdekja është shpikja e vetme më e mirë në jetën tonë, është agjenti i ndryshimit në këtë jetë. Vdekja largon të vjetrën dhe i hap rrugë të resë. Tani, në këtë moment, ju studentët jeni e reja, por do kalojë ca kohë, dhe ju do jeni e vjetra, që duheni larguar nga udha, e cila i takon së resë. Më vjen keq që po bëj nënvizime të tilla dramatike, por ja, që kështu është”.

Kështu ishte. Tamam. Duket sikur, ndërsa ka folur me studentët, ka qenë duke përgatitur a ndjellë ikjen e vet nga kjo botë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama