Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse Brukseli do na thotë 'jo' edhe njëherë tjetër

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Pse Brukseli do na thotë 'jo' edhe njëherë tjetër

Në tetor pritet përgjigjja e Brukselit lidhur me kërkesën tonë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Gjasat janë që t’na refuzojnë, gjë që duket jo vetëm nga klima e atmosfera që ekziston në politikën e Tiranës një muaj para kësaj ngjarjeje, por edhe nga një logjikë e gjërave. Qysh prej refuzimit të parë, Shqipëria politike ka qenë prore e rrethuar nga kritika të vazhdueshme. Nuk është regjistruar asnjë vlerësim pozitiv në adresë të qeverisë e të klasës politike. Edhe ndonjë miku për kokë të qeverisë, sidozot Wolfgang Grossruck-ut që gjatë një periudhe na mbiu në sy në krah të Berishës a Topallit (java shtatë e ai tetë ish në Tiranë), nuk i ka bërë goja të lëshojë lëvdata në favor të qeverisë. E shumta që kanë bërë këta miq të pushtetit kanë qenë disa kritika në adresë të opozitës. Asgjë më tepër.

Eurokratët e rëndësishëm që më shumë janë bërë të gjallë me ndonjë deklaratë nga Brukseli e Strasburgu se sa me ndonjë vizitë në Tiranë (Berisha ka mbetur Kryeministri më i izoluar europian; nuk e presin e nuk e vizitojnë prej kohësh; saktësisht, qysh nga 21 janari namkeq) kanë nënvizuar detyrat që duhet të përmbushen nga qeveria shqiptare në radhë të parë e nga politika më pas. 12 pikat janë bërë të famshme, tanimë, dhe kush e di se ç’janë këto 12 kërkesa që duhet realizuar si kusht për t’u marrë në konsideratë në ambicien për t’u anëtarësuar në BE, nuk ka arsye të kapet në befasi nga refuzimi i pritshëm.

Berisha foli para dy ditësh në “Zërin e Amerikës” lidhur me këtë argument. Në një intervistë të dhënë nga New York-u, ai nuk demonstroi asnjë entuziazëm e optimizëm në pritje të tetorit.; përkundrazi, na tregoi se e di përgjigjen, e di që do t’i thuhet “jo”. Ishte i dëshpëruar nga kjo? Jo, çuditërisht ishte “në formë”. E ka të kollajtë qëndrimin me këtë rast; për çdo arritje në procesin e integrimit në BE e në struktura të tjera të organizimit ndërkombëtar meritat i merr ekskluzivisht vetë; për çdo dështim, madje dhe për dështimet e përsëritura, fajin ia hedh opozitës.

“Jemi penalizuar nga praktikat bllokuese të opozitës”, tha ai në thelb, dhe me këtë po bën gati qyrkun e fajit që do ta hedhë mbi shpinën e të tjerëve. Tani, që bojkoti i Parlamentit nga ana e opozitës ka ndikuar negativisht në qëndrimin e Brukselit, është një gjë që s’mund të mohohet. Por diplomatët e Brukselit, sa herë që kanë theksuar bojkotin e opozitës si një praktikë që s’mund të mbështetet, kanë lënë të kuptohet se i kuptojnë vështirësitë e opozitës në Shqipëri. Në këtë kuptim, për bojkotin janë bërë fajtorë të dyja palët në Tiranë, opozita që e ka aplikuar, dhe mazhoranca që i është gëzuar këtij bojkoti.

Çfarë do të ndodhte, nëse opozita nuk do ta kishte bojkotuar Parlamentin? E shumta, do ishin votuar nja dy-tri ligje që kanë nevojë për 3/5 e votave të deputetëve, e do ishin zgjedhur ca anëtarë gjykatash e ndonjë emër në krye të ndonjë institucioni. Do ishin zgjidhur sfidat e anëtarësimit me këtë? Për Berishën, po. Në intervistën në fjalë, ai shkon nga shkon dhe përmend thyesën 3/5 si një thyesë magjike, që do na garantonte suksesin e shumëpritur. “Në qoftë se është pritur deri ditën e fundit për të mos votuar ligjet me 3/5, të domosdoshme për reformat e ndryshme, kjo ka pasur vetëm një qëllim, të bllokojë këtë proces’, thotë ai.

Kjo është një rrenë kolosale. Ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve kanë të bëjnë me një a dy kërkesa të bëra nga Brukseli. Dhe janë kërkesat më pak të rëndësishme. Thelbi i asaj që i kërkohet politikës e qeverisë nga Brukseli nuk është zgjedhja e Avokatit të Popullit, as Gjykata Administrative, as kryetari i Kontrollit të lartë të shtetit. Thelbi ka të bëjë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe qeveria në mënyrën më të çuditshme bëri çmos më 8 maj që të demonstronte se zgjedhjet janë një destinacion i paarritshëm për shqiptarët. Ajo i prishi këto zgjedhje, duke i vjedhur në mënyrë spektakolare, dhe është pikërisht ky fakt që i ka mbushur mendjen Brukselit se Shqipëria nuk është gati për të kandiduar për një vend anëtari në BE.

Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me praktikat rule of law, që qeveria jonë ka dëshmuar se nuk i njeh, me administratën e politizuar (“vetëm 5% e administratës është e palëvizshme”, tha ambasadori danez pak kohë më parë. “Pjesa tjetër është plaçkë për t’u pretuar nga militantët e partisë në pushtet”), me korrupsionin që është shtrirë deri në nivelet më të larta e jo vetëm s’po luftohet, por, përkundrazi, po mbrohet, me sistemin e drejtësisë që është i korruptuar e nën varësinë e qeverisë etj., etj. Cila nga këto çështje ka të bëjë me 3/5 e votave në Parlament? Asnjë. Të gjitha janë dështime që kanë të bëjnë me qeverinë e me mazhorancën.

Berisha do të kapet te komerdarja e opozitës bllokuese, për t’u justifikuar në sytë e shqiptarëve, por nga ana tjetër ai nuk ka treguar se e bën qejfin qeder prej “jo”-së së Brukselit. Nëse do t’i lipsej “po”-ja ai do bënte çmos për të mbajtur zgjedhje të rregullta. Ndërsa ai bëri gjithçka që zgjedhjet e 8 majit të prisheshin. Si është puna: aq i bën nëse Shqipëria nuk anëtarësohet në BE? Apo duhet të mendojmë se është pikërisht kjo çfarë ai do?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama