Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Policët, shteti i gjobave dhe autoriteti i ligjit

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Policët, shteti i gjobave dhe autoriteti i ligjit

Jam mësuar t’i dalloj që larg. Nuk është se u trembem, por thjesht më shkojnë sytë tek ta, sado larg të jenë. Ka të tjerë që u tremben, dhe prandaj u ruhen. Dinë mirë se ku rrinë. Nuk është se ata rrinë në të njëjtin vend, por edhe aq kreativë nuk janë. Në zonat urbane lëvizjet e tyre janë më të lexueshme e vendqëndrimet e tyre janë më të parashikueshme, ndërsa në rrugët ndërurbane gjuajnë ndonjë zgëq buzë rrugës si vend për të qëndruar, ku edhe mund të mbikëqyrin ç’të duan, edhe mund ta maskojnë praninë e tyre. Rrugëve nacionale janë rëndom në çift.

Njëri është aty për të mbajtur vështrimin të ngulur në një si biçim kamere, ku edhe shihet kundërvajtësi që ecën me shpejtësi mbi normën e lejuar, edhe lexohet shpejtësia, ndërsa tjetri, me t’u informuar nga kolegu mbi makinën e kapur në flagrancë, bën përpara rrëmbimthi në drejtimin perpendikular me korsinë e rrugës, futet paksa në rrugë në ngut e sipër, aq sa atyre që janë brenda makinave u duket sikur u fanepset nga dheu, nxjerr tabelën, bën shenjën “ndal” me të, dhe vihet me hap të ngadaltë e të sigurt në ndjekje të grahësve, të cilët, për shkak të kontrollit të vështirë të shpejtësisë në harkun e fraksioneve të sekondës, ndalojnë gjithnjë pak më tutje vendit, ku një prej mbikëqyrësve të rregullave të qarkullimit rrugor i urdhëroi të ndalonin.

U mor vesh pra; po flas për policët e trafikut, të cilët të mbinë në sy gjithandej (më shumë se skelat Syla). Më së pari në qytete, sidomos në qytetet tona të mëdha. Rrinë në kryqëzime rrugësh, medemek për t’iu bërë krah semaforëve, por ka shumë mundësi që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse shndërrojnë në tollovi atë pak rregull që semaforët ia dalin mbanë t’na e imponojnë. Kohët e fundit e kanë bërë avaz të zhvendosen nja 30-40 metra larg kryqëzimeve, në një prej drejtimeve, ku makinave nuk u lejohet të kthehen, dhe aty, nën hijen e ndonjë peme, me tabelën e famshme në njërën dorë e me bllokun e gjobave në dorën tjetër, e kanë për kollaj të zënë gafil grahës të shkujdesur, të cilët në këto rrethana dinë të rrinë sus përballë policëve, i zgjedhin fjalët kur u kërkohet të flasin, vështrimin e kanë lutës dhe gjestikulacionin të përmbajtur.

Policët pra nuk rrinë në kryqëzim për të parandaluar kundërvajtjen, por pak më tutje për ta ndëshkuar atë. Ndëshkimi, e jo parandalimi, është tanimë në mentalitetin e policisë shqiptare. Ndëshkimi sigurisht që bën pjesë në tagrin e policëve, por ndëshkimi i një kundërvajtjeje në rrethanat që kundërvajtja mund të parandalohet nuk ka të bëjë fare me ruajtjen e rendit; përkundrazi, ka të bëjë me gjobëvënien. Policët tanë janë thjesht gjobëvënës. Ai bllok i policëve të qarkullimit rrugor më bëhet mú si blloku i Ilir Metës; e di që s’kanë shumë lidhje, por ja që kështu më bëhet. Në fakt, blloku e gjobëvënia janë një praktikë e gjithë burokracisë shqiptare, e cila është një burokraci me bllok në dorë, që të zë pritë për të të kapur gabim.

Jo të gjithë kapen. Ca nuk kapen. Nuk mund të kapen. Sepse nuk ndalojnë. Dhe e dini se ç’bëjnë policët pas kësaj? Regjistrojnë targën, e bëjnë një telefonatë diku. Pyesin se kujt i përket makina me targën në fjalë. Thjesht për ta ditur, jo për ta paditur. As që u shkon në mendje. E marrin me mend që makina të tilla janë të atyre që e kanë grurë muhabetin me pushtetin. Zakonisht janë gangsterë të lidhur me ministra. Policët dhjesin gjak prej qeveritarëve me eskortë e prej gangsterëve me makina të shtrenjta me targa që mbahen mend. Ata s’e kanë zakon të krruhen as me njerëz të tjerë, që s’kanë pushtet e s’kanë targa të fortësh, por që kanë ndikim. Kush ka ndikim, sipas tyre? Kush del shpesh në TV. Ka kohë që portretet televizive janë me rëndësi këtejpari. Policët e ndalojnë një makinë pa e ditur se kush është në timon. Shpesh thonë dhe frazën cliché “ju lutem, dokumentat zotëri”, dhe kur shohin se me kë kanë të bëjnë (e kanë parë në TV pra), ata e lënë mënjanë kapardisjen arrogante, qëndrimin e shkujdesur, të folmen non-chalante, dhe thonë: “po ju pse s’u prezantuat qysh në fillim, zoti ….?”

Pse e kam zënë me policët? Nuk e kam me policët. Nuk është se i justifikoj, por nuk e kam me ta. Nuk është se dua ta bëj timin atë arsyetimin, se “ata nuk kanë ç’bëjnë tjetër, pasi duan të ushqejnë fëmijët”, por nuk e kam me ta. Nuk e kam me ta, ngaqë gjërat duhen marrë me radhë e me sërë. E prandaj e kam mbi të gjitha me faktin se si nuk doli një ministër rendi në këtë vend, a një kryeministër, a një udhëheqës politik, që të ketë kurajën t’u thotë të gjithë policëve të rendit, të qarkullimit e të dreqit me të birin, se “nuk duhet t’i hapni rrugë asnjë autoriteti tjetër, përveç atij të ligjit”, dhe se “në betejën tuaj në mbrojtje të autoritetit të ligjit me autoritete që mbahen më të rëndësishëm se sa vetë ligji do të më keni mua në krah”.

Kuptohet, argumenti në fjalë është thjesht një përthyerje, ndoshta jo më e rëndësishmja, e një dukurie, që qëndron në themel të pafuqisë e prapësisë sonë kolektive e tradicionale: njerëzit me pushtet këtejpari e kanë parë gjithnjë veten mbi ligjin, dhe kanë pasur mirëkuptimin tonë në këtë mes; midis pushtetit e ligjit, shqiptarët sublimojnë të parin. Nëse ndonjë leader, a parti, a ndonjë agjenci, a ndonjë institucion, etj., etj., don ta kapë demin prej brirësh, duhet të fillojë duke bërë bash këtë: duhet vënë ligji në vendin e nderit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama