Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Krizë politike? Ajo ekonomike është më e madhe

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Krizë politike? Ajo ekonomike është më e madhe

Kur Patrick Pascal u zgjodh President i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, ai s’e pati hiç të mundimshme të shprehej për agjencinë mediatike që vepron në (për) sektorin e biznesit, WINNE, “se ndihej shumë i lumtur dhe shumë i sigurt në Shqipëri”. Ishte shtatori i vitit 2009, kur i tha këto fjalë. Ne të këtushmit e dimë që atëmot kishim krizë politike, që opozita kish bojkotuar Parlamentin, që nuk dihej se ç’rrugë do merrnin gjërat, etj., etj, por zoti Pascal, me një gjuhë diplomatike, që investitorëve të huaj në vende si ky i yni u bëhet me pahir e tyrja (nuk kuptohet mirë, pse), s’e kish për gjë të nënvizonte të mirat e dobitë e një investimi në Shqipëri. “Në kundërshtim me atë që thonë gojët e këqija të media-s botërore, Shqipëria është një vend i qetë dhe në paqe”, thosh ai në atë intervistë. Muajt e ardhshëm e kanë përgënjeshtruar bujshëm këtë optimizëm të tij dhe shumë deklarata të tjera të bëra në atë intervistë e në atë periudhë. Ah po, një gjë mbetet akoma e vërtetë: tregu në Shqipëri vijon të mbetet në një fazë foshnjore të ekzistencës së vet, e ky fakt përbën prore një avantazh për të gjithë biznesmenët e botës.

Mirëpo, kjo është shumë pak për të ushqyer optimizmin e sipërmarrësve seriozë. Avantazhet e tregut të sapokrijuar të ndjellin e të motivojnë për të qëndruar në një vend të caktuar, por afërmendsh nuk mjaftojnë. Biznesmenët duan shumë më tepër. Dhe mbi të gjitha duan një klimë politike të qetë. Në pamje të parë, zotit Pascal nuk i falet që nuk ka mundur të dallojë qysh në shtator të vitit 2009 spektrin e një destabiliteti politik, që po shfaqej në horizont (e them këtë, pasi biznesmenët janë si minjtë përpara një tërmeti: e ndiejnë të parët atë që është duke ndodhur), mirëpo është, me sa duket, ajo sjellja diplomatike, për të cilën fola pak më sipër, që i bën investitorët e huaj të kujdesshëm në deklaratat e tyre publike.

Për herë të fundit, zoti Pascal ka folur pardje. Për gazetën “Shqip”. Dhe skrupujt diplomatikë nuk e penguan të thosh ca gjëra më shumë e t’u bjerë borive të alarmit mbi rënien drastike të fitimeve në industrinë ushqimore, në sektorin e shërbimeve e të ndërtimit, në industritë minerare dhe të naftës, etj., etj. Investitorët e huaj mbahen larg e shkurajohen “nëse situata politike mbetet e paqartë, duke pasur incidente të tilla si ato që ndodhën në janar”, thotë ai, dhe më poshtë e saktëson idenë me fraza më të qarta: “ne duam mbi të gjitha një klimë të qetë politike”, ose “politika duhet t’i japë fund konfliktit” etj.

Në fakt, të dhëna të tilla dëshpëruese jepen edhe nga Banka e Shqipërisë. “Sipas shifrave të publikuara së fundmi nga BSH-ja”, thotë “Shqip”-i, “investimet e huaja neto gjatë tremujorit të parë të këtij viti pësuan tkurrje deri me tre herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”. Në shifra konkrete, në tremujorin e parë të vitit të shkuar ka pasur një fluks të kapitalit të huaj të barabartë me 154 milionë euro, ndërsa një vit më vonë ky fluks mezi kapi shifrën 57 milionë.

Të kuptohemi, ky është vetëm një indikator i gjendjes ekonomike të vendit; por edhe indikatorët e tjerë po ecin keq e më keq. Është vetëm kriza politike që e provokon këtë gjë? Jo, sigurisht që jo, por një krizë politike që vijon për muaj e muaj me radhë dhe që nuk jep asnjë shenjë zbutjeje (faktorët politikë, megjithëse janë nën trysni, vijojnë të këmbëngulin në të tyren) shndërrohet vetvetiu në pengesën kryesore të rimëkëmbjes ekonomike. Edhe sikur të kishim çdo gjë tjetër ok (burokracia të ish e përkryer dhe eficiente, administrata të ish e korruptuar në nivele minimale, infrastruktura të ish moderne dhe e plotësuar etj., etj.), një klimë e keqe politike do t’na mbante të paralizuar. Në këto rrethana penalizohet vendi, por me logjikën e atyre që ua ka qejfi të bëjnë veç hesape të thata politike, e penalizuara e parë është qeveria. E cila qeveri idiote do kish dëshirë të punonte në rrethana të një konfrontimi të përjetshëm politik? Asnjë. Ah, më falni, vetëm një. Qeveria e Sali Berishës.

Të gjithë po presin që kjo qeveri e zullumeve kolosale të bjerë në trysninë e opozitës, apo të komunitetit ndërkombëtar (ka rrezik që edhe Patrick Pascal e të tjerë si ai të jenë duke pritur të njëjtën gjë, si të ishin socialistë nga Tepelena), por nëse do të kemi durim të presim dhe ca, do të shohim se ajo do të bjerë vetë. Do vijë një moment, që nuk do ta mbajnë këmbët e do të ndodhemi përballë një kolapsi nacional. Atëherë Berisha s’do dijë nga të shkojë, por kostoja do jetë aq e madhe, sa askush nuk do gjejë arsye t’i gëzohet faktit që ai u shporr, më në fund.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama