Koha e kalimit nga ilirishtja ne shqipen e lashte (arberishten)

Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më 395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor (romak). Për më tepër, duke qenë në periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar dalëngadalë. Këto rrethana bënë të mundur që popullsitë vendëse të këtyre trevave t’i shtonin e t’i forconin kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit të mëtejshëm të atyre popullsive, por u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur të shfaqej qysh në periudhën e fundit të lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime të tilla, që hapën rrugën për kalimin e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja jugore në një gjuhë cilësisht të re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja. Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar disa dukuri me karakter të përgjithshëm apo dialektor, që janë karakteristike për gjuhën shqipe dhe dialektet e saj. Ndër këto dukuri me karakter mbarëshqiptar mund të përmenden shfaqja e zanores /y/ dhe e zanores /ë/ të patheksuar, krijimi i kundërvënies lakim i pashquar ~ lakim i shquar me shfaqjen e nyjës së prapme shquese etj. Po gjatë asaj periudhe në dialektin jugor është shfaqur zanorja /ë-/ e theksuar para një bashkëtingëlloreje hundore (khs. nanë ~ nënë, banj ~ bënj etj.), si edhe rotacizmi, d.m.th. ndërrimi /-n-/ > /-r-/ në pozicion ndërzanor (khs. venë ~ verë, danë ~ darë etj.). Që të dyja këto dukuri janë shfaqur qysh para dyndjeve sllave, d.m.th. para shek. VII e kjo dëshmon se në kohën e ardhjes së sllavëve në këto anë ata gjetën aty një popullsi, që fliste një gjuhë të ndarë në dy dialekte kryesore.
Por pyetjes se që kur flitej kjo gjuhë në këto treva, i janë dhënë përgjigje të ndryshme. Disa dijetarë kanë shprehur mendimin se stërgjyshërit e shqiptarëve janë vendosur në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit, duke u shpërngulur, pa u vënë re, nga vise më lindore të Ballkanit pak para apo pas ardhjes së sllavëve në Ballkan. Por shumica e studiuesve nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë parashtruar një varg argumentesh, që në vija të përgjithshme u vunë në dukje te Gjuha e ilirëve. Mjafton të përmendet këtu fakti që në gjuhën shqipe kanë mbijetuar edhe huazime nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër, lakën/lakër etj.; këto huazime e kanë burimin në dialektin dorik, që flitej në Greqinë Veriperëndimore si edhe në kolonitë greke të Adriatikut. Në gjuhën shqipe ka edhe huazime shumë të hershme nga latinishtja, gjë që dëshmon për pushtimin shumë të hershëm romak të trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve. Prania e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja e hershme dëshmon qartë se stërgjyshërit e shqiptarëve qysh në lashtësi kanë qenë fqinjët e grekëve të vjetër dhe nga të nënshtruarit më të hershëm të Perandorisë Romake në Ballkan.
Rrethanat e reja që u krijuan pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, sollën si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme në emërtimin e popullsive të Ilirisë Jugore si midis tyre, ashtu edhe nga të huajt. Kështu, nisi të përgjithësohej dalëngadalë midis popullsive autoktone emri Arbën/Arbër dhe fjalët e prejardhura (i) arbën-esh/arbër-esh dhe arbën-isht/arbër-isht, për të emërtuar përkatësisht vendbanimin, banorin dhe gjuhën e tyre të përbashkët. Mbi këtë bazë edhe të huajt nisën të përdornin emërtimet Arbania/Albania, arban-ensis/albanen-sis (latinët), Arvan-on, arvan-it-is (grekët), Raban < Arban dhe Arë-banas (sllavët), kurse turqit më vonë, nën ndikimin e greqishtes, përdorën trajtat arnaut dhe Arnautlluk.
Të gjitha këto emërtime e kanë burimin tek emri i popullsisë ilire të Alban-ëve, a më saktë të Arban-ëve, që në dokumentet e shkruara dëshmohet për herë të parë në shek. II të erës së re, kur Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij Geografia, libri III, 12, shkruan: “Në tokën e albanëve (Albanoi), Albanopolis”. Popullsia ilire e albanëve a arbanëve banonte në një trevë në lindje të Durrësit. Por pas Ptolemeut emri Arban a Alban në burime të shkruara del vetëm në shek. XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati (1040) dhe Ana Komnena (1081), për të emërtuar treva të Shqipërisë së Mesme (shih Acta et Diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I). Madje, në këtë vepër, (I, faqe III) pohohet: “Në burimet bizantine të shek. XI Alvanon/Arvanon shenjon krahinat malore, që gjenden ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit…”. Kuptohet vetiu që një shtrirje e tillë e këtij emri gjeografik duhet të jetë më e hershme se shek. XI.
Pra, emri Arban a Alban, i shqiptuar nga banorët vendës Arbën(ë) me theksin mbi rrokjen nistore, në përputhje me rregullsitë e theksimit të emrave shumërrokësh në shqipen e lashtë, ashtu si Durrës < Dyrrhachion, Ishëm < Isamnus etj., duhet të jetë shtrirë qysh mjaft kohë para shek. XI në viset në veri edhe në jug të trevës së banuar në lashtësi nga popullsia ilire e Arbanëve a Albanëve. Për këtë dëshmojnë, ndër të tjera: 1. K. Jireçeku pohon se trevat e Shqipërisë së sotme në kohë të mesme sllavët i kanë quajtur Raban < Arban a Arëban-as dhe gjuhën përkatëse rabënë-ski. Të kihet parasysh edhe një dokument i shek. XIII, ku bëhet fjalë për një ndodhi në një fshat afër Raguzës dhe ku një dëshmitar pohon: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën albanesca.” 2. Në dialektin jugor emri Arbën(ë) del në trajtën Arbër(ë) me shndërrimin e /-n-/-së ndërzanore në /-r-/, ashtu si te Vlonë ~ Vlorë, venë ~ verë etj. Dhe në përgjithësi është pranuar që ky ndërrim fonetik (rotacizmi) nuk i ka prekur huazimet sllave të shqipes, pra, është vërtetuar para depërtimit të sllavizmave në shqipe. 3. Në dokumentet e gjuhëve fqinje të shekujve të parë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë shqiptarët, pa dallim krahine, përmenden me trajta fjalësh, që lidhen me emrin e lashtë Arban a Alban (shih këtu më sipër).
Shtrirja dhe përgjithësimi i hershëm i emrit Arbën/Arbër në trevat e ndryshme, ku flitej arbënisht/arbërisht, dëshmon për një vetëdijshmëri të atyre që flisnin këtë gjuhë, se i përkisnin një etnosi të vetëm. Siç pohon A. Buda, “Kjo ishte një dukuri që nuk kishte të bënte me pushtime, por me krijimin e një bashkësie ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të përbërë nga trevat historike të shqiptarëve. Fakti se me emrin e njëjtë etnik Arbën shqiptarët emërtohen në mënyrë të njëjtë si nga burimet mesjetare të hershme greko-bizantine (shek. XI e këndej), nga burimet perëndimore të së njëjtës periudhë, si edhe nga ato serbe e bullgare (shek. XII-XIII), pavarësisht nëse ishte fjala për trevat më jugore apo më veriore e lindore shqiptare, tregon tashmë për konsolidimin e tipareve të kësaj bashkësie etnike në etapën e saj më të lartë, si “kombësi”, proces i pasqyruar pikërisht në këtë emërtim të përbashkët”.
Faktorët që do të kenë ndikuar në përhapjen dhe përgjithësimin e emrit Arbën/Arbër dhe të fjalëve të prejardhura (i) arbënesh/arbëresh dhe arbënisht/arbërisht në veri dhe në jug të viseve ku banonte fisi ilir i Arbanëve, mbeten të paqartë. Ndër këta faktorë mund të kenë qenë ndoshta edhe pozicioni gjeografik i atij fisi dhe marrëdhëniet e tij me banorët e trevave të tjera, ku popullsia flisnin të njëjtën gjuhë. Por fjalët Arbën/Arbër, i arbënesh/i arbëresh dhe arbënisht/arbërisht gjatë shekujve të fundit kanë dalë jashtë përdorimit në Shqipëri dhe kanë mbetur në përdorim pothuaj vetëm tek arbëreshët e Italisë dhe në një numër të kufizuar fshatrash të krahinave të Vlorës e të Kurveleshit. Edhe arbëreshët e Greqisë gjatë shekullit të fundit po quhen arvanit-as, sipas greqishtes arvanit-is, që e ka burimin tek Arban (me shndërrimin e rregullt /-b-/ > /-v-/ të greqishtes). Gjithsesi, tek autorët e vjetër veriorë të shek. XVI-XVII, fjalët Arbën dhe i arbënesh/e arbënesh-e ndeshen rregullisht dhe vetëm gjatë shekujve të fundit ato kanë ardhur duke u zëvendësuar gjithandej në trevat e banuara nga shqiptarët me fjalët shqip, shqip-tar,Shqip-ëni/Shqip-ëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama