Studime Letrare

Studime Letrare

Letërsisë shqipe i është vënë prapa që tridhjetë vjet e këndej një pjesë e kritikës letrare dhe e studimeve të tilla për letërsinë, që nuk shërbejnë për asgjë, që nuk kanë asnjë funksion. Disa studiues tanë të letërsisë nuk kanë arritur të bëhen as epigonë. Janë marrës pa kriter dhe spekulues primitivë. Janë transplantues mekanikë të metodave. Janë plagjiatorë të pasofistikuar. Temë e konferencës shkencore të sesionit të letërsisë, në kuadër të Seminarit XXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, sivjet ishte romani shqiptar, më saktë romani i sotëm shqiptar. Është një fushë që mua më intereson në mënyrë specifike, sepse kam një jetë të tërë që merrem me këtë lloj të shkrimit letrar. Një temë e vështirë, madje e papërthekueshme për një konferencë shkencore, sepse romani i sotëm, jo vetëm ai shqiptar, ka shumë probleme, çështje të hapura, për të cilat ende nuk është arritur të thuhet ndonjë gjë e saktë.