Zyrtari i DASH, sot në Tiranë. – “Ne nuk po mbështesim Kryeministrin Rama.

 4 shtator  2019

Kriza politike në Shqipëri dhe rreziku rus në Ballkan kanë sjellë në Tiranë drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, David Kostelancik.

Në axhendë janë takime me liderët kryesorë të partive politike. Keshtu mesohet se ne oren 11:00 ai do te zhvilloje nje takim me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçin.

Ne oren 14:00 do te kete takim me kryedemokratin Lulzim Basha dhe nje ore e gjysme me pas, pra ne 15:30 do te takohet me kryeraren e LSI-se, Monika Kryemadhi.

Zyrtari i lartë amerikan pritet që t’u përcjellë një mesazh të qartë drejtuesve të opozitës për uljen në dialog për të kapërcyer ngërçin, që mund të ndikojë edhe në vendimin për hapjen e negociatave në mes të tetorit.

E ndërsa dy vite më parë ishte Hoyt Brian Yee, ish-zyrtar i lartë i DASH-it që arriti që të zgjidhte krizën, tashmë mbetet për t’u parë nëse Kostelancik, që herët ka qenë edhe pjesë e stafit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë do të arrijë që të ketë sukses në përpjekjen e tij. David Kostelancik ka qenë zëvendësambasador i SHBA në Hungari, ndërsa ka mbuluar edhe marrëdhëniet me Rusinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, teksa edhe çështja e influencës së Moskës në Ballkan mund të jetë pjesë e diskutimeve.

Apeli i fundit për zgjidhjen e krizës në Shqipëri ka qenë ai i Matthew Palmer në detyrën e Zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, i cili është shprehur se krizën duhet ta zgjidhin politikanët shqiptarë brenda institucioneve, ndërsa ka shprehur shqetësim për mungesën e Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese.

“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që Gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”, është shprehur Palmer për “Zërin e Amerikës”.

Gjithashtu, ai ka sqaruar se pozicioni që mbajnë SHBA-të nuk shkon në favor të Kryeministrit Rama. “Ne nuk po mbështesim Kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, është shprehur Palmer.