Zyliha Miloti në 80-vjetor, një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar

14 Janar 2026
Aktorja Zylia Miloti ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në skenë, por me role edhe në prodhimet kinematografike shqiptare. Galeria e personazheve, që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë, që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar. Zyliha Miloti lindi më 11 janar 1946, në Shkodër. Një ditë më parë teatri “Migjeni” i Shkodrës uroi aktoren në 80-vetorin lindjes, por dhe përmes një materiali të publikuar solli në vëmendje aktivitetin artistik dhe vlerësimet e saj në jetën artistike. “Teatri “Migjeni” uron aktoren e shquar Zyliha Miloti , në 80 -vjetorin e lindjes. Edhe 100 vite! Të paçim sa më gjatë në skenën tonë!”, thuhet nga teatri. Zyliha Miloti mbaroi shkollën e mesme “Jordan Misja” në vitin 1965 .
Në vitin 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Mban titullin “Mjeshtre e Madhe”. Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, ajo u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar. Rolet e para kanë qenë dramatike dhe si aktore e humorit ajo i filloj në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”. Ndër të tjera në materialin e teatrit “Migjeni” thuhet se ka rreth 60 vite karrierë artistike në Teatrin e Estradës.
“Galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar. Rreth 60 vite karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 260 premiera. Në çdo premierë rolet e saj kanë spikatur për interpretim të shkëlqyer dhe kanë qenë të arritura. Përveç këtyre ajo ka marrë pjesë në teatrin e dramës dhe në një numër të madh filmash të kinostudios “Shqipëria e re” dhe të atyre pas viteve ’90. Gjithë jetën e saj pa u larguar asnjë ditë nga kjo estradë e që prej vitit 1967 ajo ka interpretuar plot gjallëri në shfaqet e planifikuara të asaj kohe në fshat, malësi si dhe në të gjithë Shqipërinë”, thuhet në materialin e teatrit. Zyliha Miloti ka qenë gjithmonë shumë energjike në rolet që ajo ka interpretuar me kaq siguri dhe madhështi, jo vetëm në estradë por edhe në dramë e komedi, pa harruar pjesëmarrjen e saj në filma, opereta, etj. Ajo vazhdon të jetë aktive edhe sot në skenën e teatrit.
