SPAK sekuestron dosjen e tenderit të Porto Romanos

Porti Porto Romano, Durres
27 Shkurt 2026
SPAK ka sekuestruar dosjen e tenderit për projektin e Porto Romanos, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkelje në procedurën e prokurimit.
Sekuestrimi është kryer pranë Autoritetit Portual Durrës, ku ndodhej dokumentacioni i plotë i procedurës.
Tenderi për zhvillimin e projektit në Porto Romano ka një vlerë prej rreth 400 milionë eurosh dhe është zhvilluar në dy faza: parakualifikim dhe kualifikim.
Nga faza e parë e procedurës është skualifikuar një kompani holandeze, ndërsa më 9 mars është paraqitur vetëm një ofertë financiare.
Në garë ka mbetur e vetme një kompani greke, e cila ka vijuar me fazën përfundimtare të tenderit.
Hetimet e SPAK pritet të verifikojnë nëse gjatë zhvillimit të procedurës janë respektuar kriteret ligjore dhe parimet e barazisë në garë.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Portual lidhur me sekuestrimin e dosjes.
Kjo sekuestro e SPAK vjen disa orë pas shkarkimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ndërsa vetë kryeministri Edi Rama ka folur brenda grupit parlamentar socialist për presione të jashtme lidhur me hetimet që po avancojnë në vend.
Në mbledhje e grupit parlamentar, Rama u është shprehur deputetëve se qeveria gjermane po ndërmerr lëvizje që, sipas tij, dëmtojnë interesat e Shqipërisë.
Kryeministri ka përmendur konkretisht ministrin e Jashtëm gjerman, duke pretenduar se Berlini ka ndikuar në nxitjen e hetimeve të SPAK, fillimisht për çështjen e AKSHI-t dhe tani edhe për tenderin e Porto Romanos.
