5 Korrik 2026

Situata nga zjarri në zonën e Drizës, në Fier, paraqitet problematike, pasi flakët janë përhapur në një sipërfaqe të gjerë dhe po i afrohen zonës së banuar. Autoritetet kanë angazhuar 10 mjete zjarrfikëse dhe 50 efektivë, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe objekteve në rrezik.

Përgjegjësi i Sektorit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Fier, Kreshnik Ymeraj, tha se përhapja e flakëve është favorizuar nga era e fortë dhe terreni i vështirë, çka e bën të pamundur ndërhyrjen efektive me mjetet zjarrfikëse.

“Situata paraqitet problematike. Kjo është një vatër zjarri që ka marrë shtrirje shumë të gjerë për shkak të terrenit dhe erës. Jemi të fokusuar në mbrojtjen e banesave. Po punojmë me 10 mjete zjarrfikëse dhe 50 efektivë. Nuk mund të bëj ende një bilanc mbi sipërfaqen e djegur. Terreni është i vështirë dhe bën të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Pritet ndërhyrja nga ajri për vënien në kontroll të flakëve“, u shpreh Ymeraj.

Gjatë operacionit, ndërhyrja në kohë e Policisë ka bërë të mundur shpëtimin e një automjeti që rrezikonte të përfshihej nga flakët.