Zelensky kerkesen me te thjeshte njerzore per BE: – Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini

Nga OraNews

1 Mars 2022,

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të dëshmojë se është në anën e Ukrainës, teksa ky shtet lufton me Rusinë.

Përmes një fjalimi me video, Ai i ka bërë një kërkesë zyrtare që Ukraina t’i bashkohet bllokut evropian.

“Bashkimi Evropian do të jetë shumë i fuqishëm me ne, kjo është e sigurt. Pa ju, Ukraina do të jetë e vetme”, ka thënë Zelensky.

Ndërsa prapa tij ishte flamuri ukrainas Zelensky tha se sot për disa qytetarë të tij mund të jetë dita e fundit.

Ukraina, tha ai, po paguan një çmim shumë të lartë për idealet evropiane: “Mijëra njerëz të vrarë, dy revolucione, një luftë dhe pesë ditë pushtim në shkallë të gjerë”.

“Nuk po lexoj një skenar, sepse koha e skenarëve për Ukrainën ka përfunduar. Tani kemi të bëjmë me vdekjen në jetën reale. Ne po luftojmë për të drejtat tona, për liritë tona, për jetët tona… dhe tani po luftojmë dhe për mbijetesë”, tha ai.

Zelensky tha se Ukraina po jep jetën për të qenë po aq “e barabartë sa ju. Po sakrifikojmë njerëzit tanë më të mirë, më të fortë”

Ai tha se po fliste mes bombardimeve dhe se në mëngjes dy sulme me raketa kishin goditur Sheshin e Lirisë në Kharkiv, një qytet afër Rusisë dhe me lidhje të gjata miqësore.

“Ne duam të shohim fëmijët tanë gjallë. Ne po luftojmë për mbijetesë. Ne po luftojmë për të qenë anëtarë të barabartë të Evropës. Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë ndaj vdekjes dhe drita do të fitojë ndaj errësirës. Lavdi Ukrainës”, ka thënë ai.