Zef Preçi: – Skema e Ballukut nxjerr në pah ndikimin e oligarkëve në qeveri

3 Nentor 2025
Hetimi i SPAK për tenderin e tunelit të Llogarasë, që ka vënë nën hetim ministra dhe zyrtarë të lartë, përfshirë Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, shihet si maja e ajsbergut të një fenomeni më të thellë që ka kapluar vendimmarrjen shtetërore në Shqipëri. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se ky rast nuk është një incident i izoluar, por një tjetër dëshmi e ndikimit në rritje të lobeve të biznesit dhe oligarkëve mbi qeverinë.
Sipas një analize të zhvillimeve ekonomike të dekadës së fundit, konstatohet një rritje e konsiderueshme e peshës së grupeve të interesit, oligarkëve dhe madje edhe segmenteve të krimit të organizuar në vendimmarrjen qeveritare. Ky ndikim manifestohet në mënyrën se si shpërndahen fondet buxhetore tha Preçi, jepen lejet, licencat dhe statuset e investitorëve strategjikë, duke kulmuar së fundmi me diskutimet mbi “paketën e maleve”.
Nga ky këndvështrim, historia e tunelit të Llogarasë dhe përfshirja e dyshuar e ministres Balluku nuk përbën një risi. Shqetësimi kryesor u shpreh eksperti i ekonomisë qëndron në faktin se raste të tilla shpesh futen nën një emërues të përbashkët ligjor, si “shkelja e barazisë në tendera”, që parashikon dënime të lehta dhe simbolike.
Zef Preçi: Së pari duhet thënë që zhvillimet ekonomike të Shqipërisë, sidomos gjatë dekadës së fundit, konfirmojnë një rritje të peshës dhe ndikimit të lobeve të biznesit, oligarkëve, ndoshta dhe segmenteve të krimit të organizuar, siç tregojnë dhe raportimet zyrtare tashmë për persona në hetim, mbi vendimmarrjen e qeverisë sa i takon shpërndarjes së fondeve buxhetore, lejeve, licencave, fshatrave turistik, pra investitorët strategjik, tash së fundmi deri tek paketa e maleve. Kështu që parë në këtë këndvështrim, historia me tunelin e Llogarasë dhe përfshirjen e dyshuar të zonjës Balluku, nuk pasqyron asgjë të re. Ajo që mua si studiues, më shqetëson është fakti që futen të gjitha në një emërues të përbashkët që quhet ‘shkelje e barazisë në tendera dhe ankande’. Shkelje e barazisë së qytetarëve në tendera dhe ankande, për të cilën parashikohen dënime të lehta, krejtësisht simbolike, në një kohë që historia me me koncesionet e shëndetësisë, ku gjykata detyroi, SPAK-u detyroi hetimin që ta konsiderojë grup i strukturuar armiqësor, mendoj që është emëruesi i përbashkët i shumicës së këtyre veprave. Pra, me ose pa vetëdije, me apo pa interesa drejtpërdrejta financiare, me apo pa interesa politike, për fat të keq, zyrtarët e lartë janë të përfshirë gjerësisht në vendimmarrje klienteliste që në thelb çojnë në inefiçencë të fondeve publike, pasurim të paligjshëm dhe njëkohësisht deformojnë thelbin e kapitalizmit, të konkurrencës. Kështu që, parë në këtë këndvështrim, unë e shoh historinë e tunelit të Llogarasë si një histori të zakonshme shqiptare, për të cilën uroj dhe shpresoj që SPAK-u të ketë kapacitetet dhe të ketë vullnetin për t’i shkuar deri në fund. Për të kuptuar që s’mund të përdoren as fondet buxhetore, as copa e Shqipërisë si mjet këmbimi për të zgjatur pushtetin, për të zgjatur sundimin, në një kohë që pritshmëritë dhe baza ligjore dhe institucionale është krejt e ndryshme. Në të njëjtën kohë, unë personalisht shpreh shqetësimin përse këta zyrtarë të lartë, përfshirë zonjën Balluku, nuk ndjekin rrugën normale të dorëheqjes për t’u përballë si qytetarë me akuzat që janë, me dyshimet që ka organi përkatës i akuzës, në rastin konkret Prokuroria Speciale, por strehohen tek partia, tek qeveria e të tjera.
Unë ashtu si dhe ju, gjatë këtyre viteve jam përballur me arrestimin në sallë të zotit Tahiri dhe me hapa të tjerë proceduralë që e kanë vënë parlamentin në vështirësi kur ka qenë puna e me radhë. Unë nuk e shoh shqetësimin aty. Shqetësimin e shoh tek ngadalësia me të cilën ecin hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, edhe te fakti që nuk shoh të gjenden paratë ku kanë përfunduar dhe të rikthehen në buxhet. Në fund fare, ne punën e drejtësisë e masim me sa para kthehen në buxhet dhe njëkohësisht me në ç’mënyrë reagon publiku, për fat të keq nuk reagon. Në ç’mënyrë qeveria reagon dhe nuk thotë më me mollë e me dardha, sepse praktikisht vetëm njëri ka ngelur që nuk është më për mollë dhe për dardha, se të gjithë të tjerët janë lehtësisht të atakueshëm dhe për fat të keq, kjo situatë vazhdon të rëndohet.
