3 Nentor 2025

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Erion Veliajt për të vijuar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.

Në një studio televizive u diskutua pikërisht ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, të cilin analisti Arjan Curri e quajti si një vendim politik. Sipas tij Ramës nuk i duheshin zgjedhjet në Tiranë.

“Unë pashë sot që gjyqtarët e majtë dhe një e djathtë votojnë pro Veliajt. Ka një strategji të vetë Ramës për ta lehtësuar Veliajn duke i rënë nga ana e drejtësisë për ta liruar politikisht.

Unë e shoh sërish Ramën si regjisor, sepse Ramës sipas meje nuk i duheshin zgjedhje për Tiranën. Ai ndryshon strategjinë kur e di që nuk ka komoditet për drejtimin e vendit. Të kishte dhe zgjedhje do ishte një kokëçarje shumë e madhe. Vendimi i gjykatës është politik.

Pushteti i tij personal nuk iu cenua. Vetëm ai e ka pushtetin. Qeverisja e tij nuk i duhet zgjedhje. Rama ka ngrirë gjithë dinamikën politike”, u shpreh Curri.