1 Korrik 2025

ADN-ja e lashtë nga varret e epokës së gurit në Turqi i ka dhënë fund një debati shumëvjeçar mbi shoqërinë 9000-vjeçare të Çatalhöyük-ut, duke konfirmuar se gratë dhe vajzat kishin rol kyç në këtë shoqëri bujqësore.

“Sot kemi modelin më të vjetër të organizimit social të bazuar në gjenetikë për një shoqëri prodhuese ushqimi, dhe ai rezulton të jetë i përqendruar te femrat,” tha bashkautori Mehmet Somel nga Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme.

Çatalhöyük, në Turqinë qendrore, u ndërtua rreth vitit 7100 p.e.s. dhe u banuar për afro 1000 vjet. Qyteti përfshinte shtëpi të hapura nga çatia, varre nën dysheme dhe një simbolizëm të pasur me murale dhe figura femrash.

Arkeologu James Mellaart, në vitet 1960, e interpretoi bollëkun e figurave femërore si dëshmi të një shoqërie matriarkale që adhuronte një “perëndeshë mëmë”. Në vitet 1990, Ian Hodder sugjeroi se shoqëria ishte më tepër barazimtare, pa dallime të mëdha gjinore.

Në studimin e ri, Somel dhe Hodder analizuan ADN-në e 131 skeleteve të varrosura midis viteve 7100 dhe 5800 p.e.s. Ata zbuluan se anëtarët e afërt të familjes (prindër, fëmijë, vëllezër e motra) varroseshin në të njëjtën shtëpi, ndërsa të afërmit e më largët në ndërtesa fqinje, duke treguar se familjet bërthamë ose të zgjeruara formonin strukturën bazë të banesave. Por u zbulua edhe diçka tjetër: lidhjet ndërbreznore ishin kryesisht përmes linjës mëmësore.

“Nuk po kërkonim në mënyrë të posaçme lidhje mëmësore, por ato dolën qartë,” tha Somel. Kjo tregon se praktikat mashkullore të hasura në Europën e Neolitit dhe epokës së bronzit nuk ishin universale.

Image

Foto: Statujat femërore të gjetura në Çatalhöyük, në Turqi

Gjithashtu, analiza e ADN-së tregoi se foshnjat femra kishin më shumë dhurata varrimi sesa meshkujt, diçka e papritur sipas studiuesve.

Çatalhöyük përfaqëson shoqërinë më të vjetër ku ADN-ja ka zbuluar një organizim të përqendruar te femrat.

“Ne preferuam termin ‘e përqendruar te femrat’ sesa ‘matrilineare’, pasi i pari është më i përgjithshëm dhe më i kujdesshëm për të mos nxjerrë përfundime të tepruara,” tha Somel.

Arkeologu Benjamin Arbuckle shtoi se, po të kishim të dhëna të ngjashme në favor të meshkujve, do të ishte nxjerrë pa hezitim përfundimi për një shoqëri patriarkale.

Image

Zbulimi i Çatalhöyük-ut bie në kontrast të fortë me modelet patrilineare të Europës së Neolitit dhe ngre pyetje interesante mbi kur, si dhe pse ndodhi ky ndryshim i madh social.

Studiuesit po analizojnë tani skelete nga shoqëri edhe më të hershme në rajon për të parë nëse Çatalhöyük ishte përjashtim apo rregull.