16 ditë grevë e protestë, ‘Bankers’ ende hesht…

30 Tetor 2025
Paralelisht me grevën e urisë që vijon prej 16 ditësh në zyrat e sindikatës, këtë të enjte naftëtarët e Patos-Marinzës zhvilluan një protestë para zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier.
Me pankarta në duar dhe thirrje si “Ju nuk e meritoni këtë vendburim” dhe “Ju nuk e meritoni sakrificën e këtyre punonjësve”, protestuesit kërkuan që kompania të plotësojë kërkesat e tyre, pasi deri tani është ofruar vetëm dieta ushqimore.
Grevisti Malvin Goxhaj deklaroi se protesta nuk do të ndalet, ndërsa Dorjan Dylmishi theksoi se, edhe pse numri i grevistëve është reduktuar, rezistenca do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.
Në të njëjtën linjë, kreu i Sindikatës, Dritan Shahu, e cilësoi papërgjegjshmëri heshtjen e kompanisë dhe mungesën e ndërhyrjes për negociata nga institucionet shtetërore.
“Ata e kanë marrë vendburimin për ta zhvilluar, por në fakt po e shfrytëzojnë atë dhe bashkë me të edhe punonjësit. Çdo vit ka ulje të fuqisë punëtore dhe amortizim të asaj që është ndërtuar ndër vite,” u shpreh Shahu.
Aktualisht, në grevë urie kanë mbetur 7 naftëtarë nga 10 që ishin në fillim, ndërsa punën e kanë bojkotuar mbi 20 punonjës. Pavarësisht grevës dhe protestave, kompania kineze “Bankers Petroleum” vijon normalisht aktivitetin në fushën naftënxjerrëse të Patos-Marinzës.
