Zbardhet marrëveshja për Kodin Zgjedhor: S’ka konsensus për ndryshimin e sistemit. Ja çfarë kanë lëshuar palët në tryezë

5 qershor 2020

Zbardhet marrëveshja e firmosur mes palëve politike për Reformën Zgjedhore. Panorama.al ka siguruar draftin konsensual që është firmosur sot mes palëve në mbledhjen e Këshillit Politik.

Sipas draftit të miratuar sot, është vendosur që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i nënshtrohet procesit të reformimit, ndërkohë që do të krijohet posti i zv.kryetarit të KQZ-së, që do të kujdeset për procesin e zbatimit të projektit të identifikimit biometrik të votuesve.

Ndërkohë që pranë KQZ-së do të jetë dhe dy eksperte te huaj që do të ndihmojë në përgatitjen, trajnimin dhe zbatimin e procesit të identifikimit biometrik.

Sistemi nuk preket

Partitë politike kanë rënë dakord që të mos ndryshojnë sistemin zgjedhor. Në dokumentin e siguruar nga Panorama.al theksohet se “për këtë pikë palët nuk kanë arritur konsensus”.

Ndërkohë që opozita është tërhequr nga kërkesa e saj për Qeveri Tranzitore para zgjedhjeve.

Në këtë draft, palët kanë rënë dakord që Kolegji Zgjedhor të përbëhet vetëm nga anëtarë që kanë kaluar procesin e vetingut, ndërsa PD është tërhequr nga kërkesa e saj për të përfshirë në këtë proces Gjykatën Kushtetuese.

Komisionet e votimit

Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi i saj për të depolitizuar komisionet e votimit dhe ato të numërimit. Ndërkohë që në draftin konsensual të firmosur nga palët theksohet se Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve do të kenë të njëjtën strukturë si në zgjedhjet e shkuara.

Blerja e votës

Ndërkohë, në dokument thuhet se Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë me mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të pranueshme reciprokisht kur dhe ku është e mundur të adresojë rekomandimet kryesore të ODIHR në lidhje me: (1) blerjen e votave; (2) presion ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimi dhe abuzimi i burimeve të administratës, shtetërore dhe financiare; (4) përplasje me grupet kriminale; (5) liria e votës dhe fshehtësia; dhe (6) manipulimi dhe falsifikimi i rezultateve zgjedhore.

Mungesa eventuale e progresit në këto propozime NUK do të parandalojë ose vonojë një marrëveshje dhe miratimin e saj në Parlament të masave siç është rënë dakord në pikat 1-9”, thuhet më tej.

/ Panorama.al