Vdiq 5 mijë vjet më parë, shkencëtarët zbulojnë “pacientin zero” të murtajës

29 QERSHOR 2021

Shkencëtarët kanë identifikuar një pretendent të ri, të cilin e kanë quajtur “pacientin zero” të murtajës që shkaktoi “Vdekjen e Zezë”. Një njeri që vdiq më shumë se 5,000 vjet më parë në Letoni ishte infektuar me llojin më të hershëm të njohur të sëmundjes, sipas provave të reja.

Murtaja përfshiu Evropën në vitet 1300, duke zhdukur gjysmën e popullsisë. Valët e mëvonshme vazhduan të godisnin rregullisht për disa shekuj, duke shkaktuar miliona vdekje, shkruan BBC.

“Deri më tani kjo është viktima e murtajës më e vjetër e identifikuar,” tha Dr. Ben Krause-Kyora i Universitetit të Kiel në Gjermani për mbetjet 5,300 vjeçare. Burri u varros me tre të tjerë në një vendvarrim neolitik në Letoni nga ana e lumit Salac, i cili derdhet në Detin Baltik.

Studiuesit sekuencuan ADN-në nga kockat dhe dhëmbët e të katër individëve dhe i testuan për baktere dhe viruse. Ata u befasuan kur zbuluan se burri në të njëzetat e tij ishte infektuar me një formë antike të murtajës, të shkaktuar nga bakteri, Yersinia pestis.

“Ai me shumë gjasë u kafshua nga një brejtës, mori infeksionin primar të Yersinia pestis dhe vdiq disa ditë më vonë, nga shoku septik,” tha Dr Krause-Kyora. Studiuesit sugjerojnë që lloji i lashtë u shfaq rreth 7,000 vjet më parë, kur bujqësia po fillonte të shfaqej në Evropën Qendrore.

Studiuesit sugjerojnë që murtaja u shfaq rreth 7,000 vjet më parë, kur bujqësia po fillonte të shfaqej në Evropën Qendrore. Ata mendojnë se bakteri mund të jetë hedhur në mënyrë sporadike nga kafshët tek njerëzit pa shkaktuar shpërthime të mëdha.

Njerëzit zakonisht preken nga murtaja pasi kafshohen nga një plesht brejtës që mbart bakterin e murtajës ose duke trajtuar një kafshë të infektuar me murtajë. Sëmundja ekziston edhe sot, por është e shërueshme me antibiotikë nëse kapet herët. Hulumtimi është botuar në revistën Cell Reports.

Gazeta Sot