Qeveria nuk pret Kushtetuesen, miratohet leja për ndërtimin e Teatrit Kombëtar

29 QERSHOR 2021

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ad by Valueimpression

Veliaj u shpreh se Teatri i ri do të jetë më i madh dhe se brenda këtij territori nuk do të ndërtohet asnjë kullë. Godina e re do të ketë dy kate parkim dhe katër salla që do të kenë përkatësisht 635, 150, 350 dhe 500 vende secila.

Një javë më parë Qeveria ka miratuar fondin për ndërtimin e projektit te Teatrit të ri Kombëtar, duke i hapur rrugën nisjes së punimeve.

Postimi i plotë:

KKT e Qeverisë Shqiptare sapo miratoi lejen për Teatrin e Ri Kombëtar të Bashkia Tiranë nga Bjarke Ingels (BIG).

Ecim para!

Ky vendim, vjen në kohën kur Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Kushtetuesja ka shqyrtuar padinë e Presidentit Ilir Meta, për shfuqizimin e kalimit të pronësisë së Teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Megjithatë, ky organ ende nuk ka dalë me një vendim zyrtar në lidhje me këtë çështje, edhe pse disa ditë më parë, trupa gjykuese u mblodh për orë të tëra duke diskutuar.

Teatri Kombëtar u shemb në 17 maj të vitit 2020, rreth orës 04:05 të mëngjesit, dhe pati protesta të shumta në mbarë vendin, nga artistë, shoqëria civile, dhe politika.

Gazeta Sot