Vaksinimi i mjekëve në Kukës, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë i përgjigjet ofertës së kryeministrit Rama

16 MARS 2021

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vaksinuar mjekët. Në një shkresë zyrtare për mediat, thuhet se Kosova nuk e ka refuzuar ndihmën nga Shqipëria, por shtohet se në fokus është nisja e sa më shpejtë e vaksinimit në Kosovë.

“MSH nuk ka refuzuar këtë ndihme simbolike, por është e kuptueshme që fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë. Deri tash, MSh nuk ka marrë ndonjë liste të personelit shëndetësor të deklaruar për të shkuar për vaksinim të organizuar në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Po ashtu, sipas raportimeve, Ministria e Shëndetësisë Kosovë nuk ka pasur komunikim me shkresa, përveç kontakteve mes ministrave dhe se gjesti i Qeverisë së Shqipërisë është mirëpritur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave dhe faktit qe MSh ka mirëpritur këtë gjest të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë..”

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur po ashtu se ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës që në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të përpilojnë listën e personelit që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri, por shtohet se nuk kanë pranuar ende ndonjë listë të tillë.

“MSh ka kërkuar nga SHSKUK-ja që në bashkëpunim me IKSHPK-në të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, një numër simbolik sa është ofruar nga Shqipëria. Pra, varet edhe nga vullneti i personalit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani.”

Gazeta Sot