UNESCO: – Dhjetë milionë vende të humbura pune në kulturë

Edhe pse sektori i industrisë kreative dhe i kulturës është njëri prej atyre që ka zhvillimin më të shpejtë në nivel global, po ashtu është edhe njëri prej më të cenuarve. Institucionet dhe sektori privat shpesh e anashkalojnë dhe nuk bazohen në të

Më shumë se 10 milionë vende pune në industrinë kreative kanë humbur gjatë vitit 2020 si rezultat i pandemisë aktuale COVID-19, e ngritja e digjitalizimit të përmbajtjeve kulturore ua vështirëson punën artistëve që të sigurojnë të ardhura. Këto të dhëna janë shpalosur nga zyrtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO.

“COVID-i ka sjellë krizë të paprecedente në sektorin e kulturës. Muzetë, kinematë, teatrot, sallat koncertale gjithandej nëpër botë, sikurse edhe vendet e krijimit dhe përhapjes së kulturës, kanë mbyllur dyert. Për shumë artistë situata ishte e pasigurt e s’mund të mbijetojnë dot dhe kjo e kërcënon diversitetin në kreativitet”, citohej të ketë thënë ditë më parë për “The Guardian”, Audrey Azoulay, drejtoreshë e UNESCO-s.

Edhe pse sektori i industrisë kreative dhe i kulturës është njëri prej atyre që ka zhvillimin më të shpejtë në nivel global, po ashtu është edhe njëri prej më të cenuarve. Institucionet dhe sektori privat shpesh e anashkalojnë dhe nuk bazohen në të.

Krahas kësaj, edhe investimet e qeverive në industrinë kreative nëpër botë kanë rënë edhe para pandemisë përderisa COVID-19 ka sjellë kolapse në të hyra e punësime.

Azoulay u ka bërë thirrje qeverive të vendeve të botës që ta harmonizojnë mbrojtjen e punëtorëve në fushat e kulturës e të artit me fuqinë punëtore në përgjithësi dhe ka propozuar edhe pagën minimale për punonjësit në kulturë, sikurse edhe pensione më të mira dhe pushime mjekësore për artistët e lirë.

“Është krijuar një paradoks kur janë rritur shpenzimet në nivel global dhe qasja në përmbajtje kulturore, por njëkohësisht atyre që prodhojnë përmbajtje kulturore e vepra artistike përditë e më shumë u bëhet më zor të punojnë”, ka thënë asistenti i drejtorit të përgjithshëm të sektorit të kulturës në UNESCO, Ernesto Ottone. Ai ka shtuar së është e domosdoshme të mendohet se si të ndërtohet “një rreth i qëndrueshëm dhe inkluziv për profesionistë në fusha të ndryshme të kulturës dhe të artit, që luan një rol vital në shoqëri, anekënd botës”.

Prej fillimit të pandemisë digjitalizimi ka “zënë vendin e parë dhe është bërë primar si mënyrë për krijimtari, prodhim, distribuim dhe qasje në përmbajtje kulturore”, dhe si rezultat i krejt kësaj “kompanitë online multinacionale e kanë forcuar pozitën e tyre e pabarazitë ndaj qasjes në internet po bëhen gjithnjë e më evidente”.

Edhe pse për shumë artistë profesionistë rrethi digjital nuk ka sjellë të hyra për jetesë, “disa të tjerë kanë shfrytëzuar periudhën e shpërthimit të platformave të streamingut që të zhvillojnë projekte inovative digjitale”.

Pos kësaj, është shënuar edhe një mangësi në barazinë midis meshkujve e femrave, ani pse këto të fundit përbëjnë 48,1 për qind të të punësuarve në sektorin e kulturës, por “vazhdojnë të jenë jo

mjaftueshëm të përfaqësuara në pozita udhëheqëse, kanë më pak qasje në financimet publike, si dhe puna e tyre është më pak e dukshme dhe e njohur”.