Turqia përfshihet në fushatën e Ramës edhe me investime në kulturë

10 prill 2021

Turqia përfshihet sërish në fushatën zgjedhore të Kryeministrit Rama duke përfshirë përveç shëndetësisë, edhe fushën e kulturës dhe turizmit.

Një ministër i qeverisë turke ishte dje në Gjirokastër vetëm dy javë parë ditës së zgjedhjeve. Kryeministri Rama priti dje në Gjirokastër ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, me të cilin u nënshkrua projekti i përbashkët i restaurimit të shtëpive monument kulture në Gjirokastër e Berat.

Kryeministri i tregoi ministrit turk një xhami të vjetër në Gjirokastër, e cila ishte rikonstruktuar nga TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim), e cila është hapur vetëm dy ditë më parë. Rama theksoi se në kuadër të kësaj vizite, “u nënshkruan edhe marrëveshjet që synojnë forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e turizmit, artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftën kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit”.

Kryeministri e priti ministrin turk në një godinë karakteristike gjirokastrite, e restauruar së fundmi dhe e çelur dy ditë më parë. Marrëveshje të veçanta u nënshkruan mes ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Kryeministri Rama ka marrë nga Turqia edhe premtimin për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Vakëfeve, Burhan Ersoy, u shpreh pak kohë më parë se edhe në vitin 2021 do të vazhdojnë me kujdes restaurimin e veprave të periudhës osmane në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Siri, Hungari dhe Siri.

Si Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve për herë të parë jemi duke bërë restaurim në Shqipëri. Xhamia e Plumbit, si një monument i lashtë i periudhës osmane, është një vepër shumë e vjetër dhe e bukur. Do të bëjmë një punë të suksesshme”, u shpreh Ersoy.

FUSHATA

Kryeministri Rama vijoi dje takimet e tij në Sarandë, Delvinë dhe Himarë. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë me banorë të Himarës, ku i ka treguar se me ligjin 20/20 i hapet rruga regjistrimit për herë të parë të tokave bujqësore në bregdet, për atë kategori që nuk regjistronin dot pronat e tyre dhe nuk merrnin certifikatat e pronës.

Teksa shpjegonte këtë ligj, Rama nuk ngurroi të sulmonte opozitën dhe Presidentin Ilir Meta. Rama tha se sipas tij, Meta është kandidat në Qarkun e Vlorës dhe shtoi se ata duhen kundërvotuar e lënë me vetëm 1 ose 2 mandate deputetësh.

“Në Dhërmi, faktikisht po krijohen kushtet, edhe Vunoi, sa të bien në temperaturën normale, do jenë pika shumë të forta të turizmit elitar, do të sjellin shumë të ardhura. Ne e kemi futur në brazë çështjen e pronës, ka filluar edhe dhënia e titujve.

Zgjidhja është gjetur. Ndërkohë që unë do të kapja aspektin tjetër, lista e tyre është në radhë të parë një listë pronëmarrësish, jo punëmarrësish, por pronëmarrësish. Janë personazhe që kanë lidhje që ju i dini, me gjithë botën e errët të grabitjes së pronave, të spostimit të tyre dhe përfaqësojnë interesa të qarta të tjetërkujt ata, prandaj kanë ardhur në Qarkun e Vlorës, që nga tuneli e deri në Ksamil.

Kjo është një arsye më shumë, që këtu ata duhen kundërvotohen fuqishëm sepse janë shumë të rrezikshëm dhe kanë treguar çfarë bëjnë me pronat. Ju e mbani mend revoltën e Orikumit, është po ajo bazë. Kështu që, jini shumë të qartë për këtë dhe thojuni njerëzve të jenë vigjilentë, jo se ata do të ftojnë zgjedhjet, por duhet kundërvotuar fort, të lihen me 1 ose 2 deputetë.

Të krasitet ajo pemë e kalbur që duan të mbjellin këtu politikisht. Për kandidatin tjetër, Ilir Metën, s’dua të zgjatem shumë, e patë çfarë ndodhi, është vendosur në Vlorë, është qartësisht në një vazhdë që nuk flet për asgjë të mirë. Në ato takimet e skutave që e dini ju. Me prokurorë të larguar nga vetingu, duhen kundërvotuar shumë fort, vota këtu për PS është për të vazhduar këtë punë dhe kundërvotuar shumë fort, është e domosdoshme mendoj unë”, tha Rama.

Gazeta Panorama