18 Gusht 2026

Një 20-vjeçar nga Franca është gjetur i vdekur mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:15 në shezlongët e një një lokali në Ksamil.

Paraprakisht dyshohet se i riu është vrarë me thikë nga një 29-vjeçar nga Hasi pas një konflikti, motivet e të cilit janë ende të paqarta.

Pas ngjarjes 29-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia vijon punën për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njoftoi sot policia.

Sokrat Vata, autori i vrasjes së 20-vjeçarit francez, Miguel Mendes, rezulton të ketë një të shkuar penale në Britaninë e Madhe. Sipas BBC, në vitin 2024, Vata ishte dënuar me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për një sërë veprash penale që lidheshin me trafikimin e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

Në atë kohë, Vata 27 vjeç, ishte përfshirë në dy ndjekje të veçanta nga policia britanike, në Cambridge dhe Kent. Një prej episodeve kishte ndodhur më 13 prill 2024, në A20 pranë East Malling. Sipas raportimit, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u ndoq nga efektivët. Gjatë ndjekjes, automjeti që drejtonte u përmbys. Vata nuk u kap në atë moment, por brenda automjetit policia gjeti disa qese me kokainë dhe targa automjetesh.

Ndërkohë më 30 prill, ai u përfshi në një tjetër ndjekje policore, këtë herë në Cambridge, ku po lëvizte me një makinë të vjedhur. Gjatë arratisjes, Vata ndaloi për të lënë një pasagjer dhe më pas vazhdoi deri në Clara Rackham Street. Atje braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.