
Trump bën thirrje të dënohet George Soros: – Ai dhe djali i tij mbështesin protesta të dhunshme në gjithë vendin! Nuk do lejojmë psikopatët të shkatërrojnë Amerikën
27 Gusht 2025
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj miliarderit George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social.
Trump i kërkoi drejtësisë amerikane që të ngrejë akuza ndaj tyre në bazë të ligjit RICO, i cili përdoret për ndjekjen penale të organizatave kriminale.
“George Soros dhe djali i tij super-radikal majtist duhet të akuzohen sipas ligjit RICO për mbështetjen e protestave të dhunshme dhe shumë veprimeve të tjera anembanë vendit”, shkroi Trump.
Më tej, ai i quajti Sorosin dhe ekipin e tij “psikopatë” dhe u dërgoi një paralajmërim mbështetësve të tyre në bregun perëndimor të SHBA-ve: “Kini kujdes, ju po ju vëzhgojmë!”. Ai shtoi: “Nuk do t’i lejojmë këta të çmendur të shkatërrojnë Amerikën, pa i dhënë kurrë mundësinë të ‘marrë frymë’ dhe të jetë E LIRË”.
George Soros, 95 vjeç, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të iniciativave progresiste në botë përmes Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, të cilat ai i themeloi pas dekadave të suksesit financiar në vitet ’70 dhe ’80. Fondacionet mbështesin programe për qeverisje të mirë, ndërtim demokracie dhe politika publike liberale në mbarë botën. Që prej vitit 2023, filantropia e familjes Soros drejtohet nga djali i tij, Alexander Soros.