Ditët në vijim pritet të sjellin zhvillime shumë të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit, duke bërë që të ngushtohet laku edhe më shumë për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar. Gazeta ka mësuar se në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është drejt mbylljes dosja për korrupsionet në shëndetësi. Koncesionet në këtë sektor, konsiderohen një problematikë e madhe në vendin tonë, ku edhe pse janë hedhur miliona lekë sërish qytetarët nuk marrin shërbimin e duhur. Shkeljet e rënda që janë kapur nga “rrjeta” e SPAK, do të çojnë drejt prangave  një “peshk të madh”.

Mësohet se shumë shpejt do të arrestohet një ish-ministër i qeverisë “Rama”. Theksojmë këtu se personazhi në fjalë është braktisur edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi kur ai ka marrë fjalën.  Gazeta “Sot” ka zbuluar se indiciet kanë ardhur dhe nga dëshmitë e marra nga SPAK të ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Alfred Çareri pak kohë më parë lidhur me koncesionet në shëndetësi.  Pas grumbullimit të dokumenteve dhe shqyrtimit të kontratave dhe vendimeve, prokurorët e SPAK kanë nisur marrjen në pyetje të punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave. Mësohet se, është marrë në pyetje edhe Saimir Kadiu. Ndërkohë, që pas Kadiu, mësohet në pyetje është marrë për gjashtë orë ish zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrapaj në lidhje me hetimet në kuadër të koncensionit të sterilizimit me vlerë 100 mln euro. Ai është pyetur për rreth 6 orë nga prokurorët e SPAK-ut lidhur me procedurat që janë ndjekur nga institucioni ku ai ishte vartës në dhënien në dhënien e këtij koncesioni, dëshmi kjo që pritet të fundosë personat e përfshirë në këtë aferë.

– Gjithashtu, nga burime kofidenciale kemi mësuar se ka një presion të jashtëzakonshëm nga politika për institucionet e drejtësisë për të mos u marrë me këtë çështje. Por SPAK nuk do të ndalet nga asnjë presion, pasi ai u ngrit me ndihmën e SHBA dhe amerikanët vazhdojnë të investojnë shumë.

SPAK alarmon politikën

Po ashtu, gazeta ka mësuar se në tryezën e Prokurorisë Speciale janë mbi 200 dosje, të cilat po hetohen për veprën penale të korrupsionit. Sipas informacioneve aktualisht SPAK ka nën hetim rreth 348 procedime. Mësohet se nga këto procedime janë të mbartura që nga viti 2020, nga të cilat 134 kanë të bëjnë me veprat penale të korrupsionit. Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës, Prokuroria Speciale në total për të hetuar ka rreth 215 dosje, nga këto gjysma e tyre kanë të bëjnë me abuzimet me tenderat, ndërsa pjesa tjetër për korrupsion. Pra nëse i bëjmë mirë kalkulimet, janë mbi 100 dosje për korrupsion që janë në hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kjo do të thotë se janë shumë ish-ministra, ish-deputetët dhe deputetë aktualë, ish-krerë bashkish dhe krerë aktualë, si dhe drejtorë e ish-drejtorë të lartë që rrezikohen të merren të pandehur, për shkak e janë përfshirë në abuzim me tendera dhe në korrupsion.

80% e dosjeve në hetim janë sekrete

Edhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja e paralajmëroi një muaj më parë se po ngushtohet “laku” për politikanët dhe pushtetarët e korruptuar. Ai zbuloi se 80% e dosjeve në hetim janë sekrete dhe se asnjë nga personat e hetuar nuk ka dijeni. “SPAK ka në fokusin e saj zbatimin e rekomandimeve për garantimin e zbatimit të ligjit. Duhet të garantohet që SPAK të garantojnë burimet dhe bashkëpunimet e duhura. Kemi bashkëpunuar ngushtë me institucionet ligjzbatuese. Koncepti i hetimit proaktiv nuk është vetëm fillimi i hetimit kryesisht por që ti të hetosh pa e ditur tjetri që po hetohet. 80% e rasteve që kemi në dorë janë hetime proaktive dhe as nuk e dinë që po hetohen, kështu që kemi qenë shumë të fokusuar.

Të përfshirë ka edhe persona e zyrtarë të lartë”, deklaroi ai.

Gazeta Sot