Telefonata historike/ Ministrja Meliza Haradinaj jep lajmin e rëndësishëm për Kosovën

1 Tetor 2020

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, e ka ftuar ministren kosovare të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, që ta vizitojë Izraelin, në një bisedë telefonike, e cila është konsideruar historike nga shefja e diplomacisë së Kosovës.

“Diskutuam mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ajo ia ka rikonfirmuar Ashkenazit “qëllimin për të hapur Ambasadën në Jerusalem”,ndërkohë ka treguar se ka pranuar ftesë nga ai “për ta vizituar Izraelin”.

“Së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jerusalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje”.

Gazeta Sot