Alban Eftimiu i Edi Ramës, përfituesi i tenderave të Ballukut fundosi ish.zv/kryeministren, ja si bashkëpunonin për vilat në jug, tenderat si shpërblim për dhëndrin dhe arkitektin e kryeministrit

11 Shtator 2026
Vila e sekuestruar në Palasë , e cila sipas SPAK-ut është në “pronësi faktike” të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ishte projektuar që në fillim për të qenë sa më luksoze, me pishinë dhe vaska hidromasazhi si ato të hoteleve të shtrenjta në ishullin e famshëm grek Santorini. Mësohet se një akt-ekspertimi telefonik i kryer mbi telefonat e sekuestruar të Arbër Abazaj dhe arkitektit të njohur të Edi Ramës Alban Eftimiu, ka çuar SPAK dhe BKH-në drejt derës së vilës. Eftimiu është një emër i lidhur prej vitesh me Edi Ramën.
Ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës gjatë kohës kur Rama ishte kryebashkiak, duke pasur rol në planifikimin e zonave të zhvillimit, intensitetin e ndërtimeve dhe vendimmarrjet urbane. Emri i tij është përmendur edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar të vitit 2012 lidhur me përfitues të lejeve të ndërtimit gjatë periudhës së drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga Rama. Pas vitit 2013, aktiviteti i tij në fushën e planifikimit urban dhe projektimit vijoi përmes kompanive “Atelier 4” dhe “SEED Consulting”, të cilat janë shfaqur në një sërë projektesh dhe tenderash publikë.
Në periudhën kur Belinda Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kompanitë e lidhura me Eftimiun u përfshinë në disa projekte të rëndësishme infrastrukturore. Gjatë kohës kur Belinda Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, “SEED Consulting” u përfshi në konsorciumin që fitoi në shtator të vitit 2020 tenderin për studim-projektimin e Tunelit të Llogarasë, ndërsa “Atelier 4” dhe kompanitë e lidhura me Eftimiun janë shfaqur edhe në tendera për studim-projektimin e loteve të Unazës së Madhe.
Më pas “SEED Consulting” ka marrë pjesë edhe në kontrata për mbikëqyrjen e punimeve. Pra, arkitekti i lidhur me Edi Ramën dhe kompanitë e tij shfaqen në disa prej projekteve të mëdha të infrastrukturës të zhvilluara nën drejtimin e Ballukut. Pikërisht në këtë periudhë, sipas të dhënave të bëra publike, Eftimiu ka pasur role dhe interesa në kompanitë që kanë marrë pjesë në këto procedura.
Bisedat
Nga bisedat e zhvilluara mes Belinda Ballukut dhe biznesmenit të kompanisë “Alko Impex”, Arbër Abazi dhe arkitektit Alban Eftimiu, ka dalë qartë e provuar se vila është ndërtuar dhe arreduar sipas shijeve, gustos dhe këshillave të dhëna nga Belinda Balluku. De fakto ish-zv/kryeministria është pronare legjitime e vilës në formën e Jahtit në “Green Coast”. Ndërsa de jure me letra dhe kontrata, rezulton të jetë ish-futbollisti i kombëtares Shqiptare, Igli Tare. Ky i fundit është përdorur nga Belinda Balluku, edhe për fshehjen e një vile luksoze që ndodhet në kompleksin luksoz “Black Rock”.
Bisedat në Whats app mes arkitektit Eftimiu, Belinda Ballukut dhe biznesmenit, Arbër Abazi, tregojnë jo vetëm këshillat por japin dhe një tablo fotografike dhe video për mënyrën e punimeve, gjendjen e tyre dhe deri tek format e punimit e arredimit të vilës. Në këto biseda nuk mungojnë as katalogët projektimi të vilës në anën e jashtme dhe të brendshme, di dhe skica se ku duhej vendosur pishina, lulet, shkallet e shumë detaje të tjera. Në këto biseda të administruara në dosjen e SPAK, del se Belinda Balluku, jep këshilla ose miraton planin e punimeve.
Çfarë tregojnë dy e-mailet?
Dy e-maile, janë pjesë e provave të Prokurorisë së Posaçme, të cilat i janë dërguar Ballukut nga studio “Atelier 4”. Ato datojnë në shtator të vitit 2020, një muaj përpara se të firmosej kontrata e sipërmarrjes nga Igli Tare, personi që sipas SPAK-ut ka shërbyer për të fshehur pronësinë e vërtetë të vilës. Vila e saj mesa duket ndan të njëjtin territor me një tjetër, e cila mendohet se i përket sipërmarrësit Arbër Abazi.
Ky i fundit dyshohet të ketë marrë përsipër investimin për përfundimin e vilës, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij të ndërtimit, “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese në tetor të 2021 për një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, në një tender afro 2.7 miliardë lekësh (me Tvsh). Ndërtimi në momentin kur janë nisur dy email-et, duket të ketë qenë në fazë ende të hershme, por nga përmbajtja e tyre, Balluku shfaqet të ketë qenë e interesuar që të ketë një ide të plotë e të qartë, se si do të dukej vila, e cila ka përfunduar në vitin 2025.
Madje lihet të kuptohet se studio e arkitekturës i ka dërguar më herët një tjetër variant. “Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënie në një nivel me ujin, që të shijohet në maksimum infinity pool. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë”, shkruhet në email. Por projekti parashikon edhe vaska hidromasazhi sipas modeleve të një Luxury Hotel, “Rocabella’ në ishullin grek Santorini, i njohur për klientelën e pasur të tij.
“Në 2 krahët anësore të shtëpive niveli i hyrjes dhe i suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini)”, është sugjerimi i studios, e cila e njofton se do t’i ofrojë disa variante për dhomat “suitë”. “Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek master bedroom janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me teak për një felling pak më të ngrohtë e pak si jaht”, shkruhet në tekst.
Në e-mail studio i thotë se shumë shpejt do t’i dërgojë projektin të realizuar në render dhe “nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”. Pas 4 ditësh, më 18 shtator, përmes një tjetër emaili, studio “Atelier 4”, i dërgon Ballukut një dokument me 11 fletë që përmban planimetrinë dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave të emërtuara si “Vilat binjake”. Vila në Palasë, ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë.
