SPAK me kërkesë të re për arrestim, ja kush janë ushtarët e “Lubisë” që pritet të largohen nga pushteti

Belinda-Balluku
28 Gusht 2026
Arrestimi i Ergys Agasit duket se është një sinjal i keq për ish-zv/kryeministren Belinda Balluku dhe bandën e saj në qeveri, Partinë Socialiste dhe administratë. Pas më shumë se tetë muajsh në kërkim, biznesmeni Agasi është arrestuar në zonën e Plepave në Durrës këtë të mërkurë. Z. Agasi një nga personazhet kryesore të dosjes së SPAK për tenderët e AKSHI-t, i njohur dhe si koordinatori i krimit.
Agasi kërkohej që prej dhjetorit të vitit të kaluar, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjatë operacionit të 16 dhjetorit 2025, agjentët e BKH-së dhe Policia ushtruan kontrolle në ambiente të lidhura me të, por biznesmeni nuk u gjet dhe prej atij momenti qëndroi në arrati. Për arrestimin e tij janë angazhuar RENEA dhe FNSH, teksa është kapur ndërsa udhëtonte me makinë nga Elbasani drejt Durrësit.
Sipas burimeve, ai është lokalizuar në Elbasan, ku dhe dyshohet se ka qëndruar këto kohë. Policia e ka ndjekur deri në zonën e Plepave, ku dhe ka ndërhyrë. Arrestimi i tij mbyll kështu një arrati që nisi me shpërthimin e një prej dosjeve më të rënda të viteve të fundit për prokurimet publike.
Agasi nuk është një biznesmen periferik në hetimin e SPAK. Ai dhe biznesmeni Ermal Beqiri janë konsideruar nga organi i akuzës si figura kyçe të mekanizmit të dyshuar kriminal që vepronte rreth tenderëve të AKSHI-t. Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik dhe autoritetet franceze po shqyrtojnë kërkesën shqiptare për ekstradimin e tij. Por me ndalimin e Ergys Agasit, goditja i afrohet drejtpërdrejt Belinda Ballukut. Ky veprim shihet si një paralajmërim i qartë për grupin e saj brenda qeverisë, Partisë Socialiste dhe administratës. Disa ditë më parë Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shtyrë me tre muaj të tjerë afatin e hetimeve ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Hetimet ndaj saj përfshijnë dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera në disa episode të ndryshme. Sipas prokurorëve, çështja konsiderohet si komplekse për shkak të volumit të lartë dhe numrit të madh të tenderëve që po i nënshtrohen verifikimit.
Zgjatja me tre muaj bëhet e mundur bazuar në ligj, për t’i dhënë kohë grupit hetimor të kryejë veprime shtesë për zbardhjen e plotë të rrethanave. Balluku është e pandehur për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe gjithashtu nën hetim për të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Së fundmi, asaj i janë shtuar akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka sekuestruar një vilë luksoze në Dhërmi, e cila dyshohet se është pasuri e fshehur, e përfituar si ryshfet gjatë periudhës që ajo drejtonte “Albcontrol”.
Ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim i daljes jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike. Edhe pse mazhoranca rrëzoi më parë kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, Prokuroria e Posaçme pritet t’i drejtohet sërish Kuvendit për të kërkuar heqjen e imunitetit dhe masë më të ashpër sigurie për zonjën Balluku pas shtimit të akuzave të reja.
Efekti “Domino”, rënia e Ballukut rrezikon rrjetin e saj në qeveri dhe administratë
Ndërkohë me rënien politike të Belinda Ballukut, e gjithë piramida e ndërtuar prej saj në institucionet kryesore të vendit është futura në një zonë të lartë rreziku. Besnikët e ish-ministres, të cilët mbulojnë poste kyçe nga kabineti qeveritar e deri te drejtoritë më të rëndësishme publike, tashmë përballen me dy skenarë të pashmangshëm: shkarkimin nga detyra ose përballjen me drejtësinë në dyert e SPAK. Konkretisht ndryshimet e fundit në kabinet qeveritar që bëri kryeministri Edi Rama nuk kanë shuar hijen e influencës së Ballukut, duke i bërë ministrat e lidhur me të objektivin e radhës për t’u larguar.
· Petrit Malaj (Ministër i Financave): Një nga promovimet më transparente të Ballukut (fillimisht i emëruar prej saj në krye të AKBN-së dhe më pas Ministër Financash). Balluku e përfshiu atë drejtpërdrejt në listën e sigurt (fituese) për deputetë në Qarkun e Fierit, ku ajo vepronte si drejtuese politike. Me rënien e “tutores” së tij politike, pozita e Malaj në krye të Financave mbetet krejtësisht e pambrojtur.
· Enea Karakaçi (Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës): I konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të Ballukut, emërimi i tij në krye të ministrisë shihet si përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi sektorin strategjik. Por me largimin e “tutores” së tij politike, pozita e Karakaçit mbetet e lëkundur.
· Albana Koçiu (Zëvendëskryeministre): E sponsorizuar nga Balluku për t’u ngjitur në hierarki, ngritja e saj në postin e zv/kryeministres shihet si pjesë e kompromiseve brenda mazhorancës. Rënia e Ballukut heq mbrojtjen politike mbi të.
· Besfort Lamallari (Ministër i Brendshëm): Një tjetër emër i linjës së Ballukut, i cili sipas burimeve e ka mbështetur fuqishëm atë gjatë fushatave zgjedhore. Pozicionimi i tij në krye të punëve të brendshme e bën atë drejtpërdrejt të rrezikuar nga një valë e re spastrimesh qeveritare.
Drejtorët e administrates, të rrezikuar nga dosjet e SPAK-ut
Në nivelin e dytë të administratës, rrjeti i ish-ministres nuk rrezikon vetëm postet, por edhe lirinë për shkak të dosjeve hetimore dhe aferave me tenderët publikë:

Pra shembulli i arrestimeve të mëparshme në radhët e drejtuesve të agjencive tregon se rrethimi po mbyllet
Pa ombrellën politike të Ballukut, si drejtuesit e agjencive ashtu edhe ministrat e linjës mbeten krejtësisht të ekspozuar ndaj shkarkimeve nga Rama dhe fletë-arresteve nga SPAK-u.
