Snajper në tarracë dhe forca të shumta policie, çfarë po ndodh te Kryeministria?

25 Janar 2026
Sipas burimeve zyrtare, rreth 1350 efektivë policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës, me fokus të veçantë sigurinë e godinës së qeverisë, e cila është blinduar.
Policia ka marrë masa shtesë për skenarë të mundshëm dhune, përfshirë hedhjen e mjeteve piroteknike, ndërsa në tarracën e Kryeministrisë raportohet se janë vendosur snajperë.
Mbi 1300 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.

Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë që do të qëndrojnë pas Kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh, ndërsa godina e Kryeministrisë është ‘veshur’ me gardh metalik.

Policia e Tiranës i ka kërkuar PD-së se duhet të përcaktojë edhe një orar të mbylljes së protestës, por selia blu nuk ka kthyer përgjigje.
Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë.
