4 Gusht 2026

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka rikthyer në vëmendje çështjen e aksioneve të kazinosë në Air Albania, duke ngritur akuza dhe pikëpyetje të reja lidhur me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama. Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se Olsi Rama dhe një shtetas i identifikuar si Gert Haka janë parë duke lëvizur në Tiranë me një automjet që, sipas tij, lidhet me kompaninë e aksionerit të kazinosë në Air Albania.

Sipas Këlliçit, kjo ngjarje daton në vjeshtën e vitit 2025, periudhë kur një shtetas venezuelian mori në pronësi 99 për qind të aksioneve të kazinosë në Air Albania. Ai shpreh dyshime se shtetasi venezuelian nuk është pronari real i aksioneve, por një person i përdorur si përfaqësues formal. “Venezueliani çudibërës sigurisht nuk është i panjohur për Olsin dhe Gertin; është thjesht prestanome i tyre”, shkruan Këlliçi në postimin e tij. Në vijim të reagimit, numri dy i Partisë Demokratike i drejtohet publikisht Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar sqarime për tre çështje konkrete. Po ashtu, Këlliçi kërkon që SPAK të hetojë këto elemente dhe të japë përgjigje për opinionin publik.

Në reagimin e tij, ai nuk paraqet prova të reja, por kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rrethanat që ngre në postim. “Në vjeshtën e vitit 2025, atëherë kur venezuelani anonim mori 99% të aksioneve të kazinosë në Air Albania, Ols Rama dhe shtetasi Gert Haka shiheshin duke lëvizur nëpër Tiranë me këtë makinë. Venezueliani çudibërës sigurisht nuk është i panjohur për Olsin dhe Gertin; është thjeshtë prestanome i tyre. Sot sërish kam tre pyetje publike për SPAK: 1) Në pronësi të kujt kompanie është ky automjet? 2) Përse e ka ndryshuar targën? 3) Çfarë e lidh Ols Ramën me këtë kompani?”, shkroi dje Këlliçi në rrjetet sociale.

Prapaskenat

Ndërkohë kujtojmë se deklaratat e deputeti demokrat, Belind Këlliçi vijnë në kuadër të akuzave politike që opozita ka artikuluar prej muajsh për çështjen e aksioneve të kazinosë në Air Albania. Deri më tani nuk ka një reagim publik nga Olsi Rama lidhur me pretendimet e ngritura nga Belind Këlliçi. Po ashtu, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga SPAK mbi pyetjet e ngritura në këtë postim. Çështja e aksioneve të kazinosë në Air Albania ka qenë objekt debatesh politike që prej ndryshimit të pronësisë së saj.

Opozita ka kërkuar vazhdimisht hetime për mënyrën se si janë realizuar transaksionet dhe për personat që qëndrojnë pas tyre. Nga ana tjetër, deri në këtë moment nuk ka një vendimmarrje zyrtare që të konfirmojë pretendimet e ngritura nga Këlliçi. Deklaratat e tij mbeten akuza politike dhe kërkesa për verifikim nga organet kompetente. Mbetet për t’u parë nëse SPAK do të ndërmarrë veprime apo do të reagojë lidhur me pyetjet e bëra publike nga nënkryetari i Partisë Demokratike.

Ndërkaq, kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe nënkryetari Belind Këlliçi dolën në një konferencë për mediat ku denoncuan atë që e cilësuan një aferë të rëndë me licencën e kazinosë në kullën “Air Albania”, duke bërë të ditur se dokumentacioni i mbledhur do t’i dorëzohej SPAK. Sipas opozitës, kompania që mori kontrollin e kazinosë kaloi në pronësi të një kompanie të lidhur me një shtetas venezuelian, të cilin PD e konsideron si prestanome të pronarëve të vërtetë.

Këlliçi pretendoi se pas transaksionit fshihen lidhje me Olsi Ramën, ndërsa ngriti dyshime edhe për mënyrën se si kompania plotësoi kriteret financiare për të marrë licencën. Sipas tij, një pronë në Kepin e Rodonit, e blerë për rreth 320 mijë euro, u rivlerësua brenda pak muajsh në afro 26 milionë euro dhe u përdor për rritjen e kapitalit të shoqërisë.

Opozita akuzoi gjithashtu Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Autoritetin e Konkurrencës, Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Komitetin e Investimeve Strategjike se kanë lejuar realizimin e kësaj skeme, ndërsa kërkoi nga SPAK të hetojë të gjithë procedurën. Deri më tani, për këto pretendime nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Olsi Rama, ndërsa Prokuroria e Posaçme nuk ka bërë publike ndonjë qëndrim lidhur me denoncimin e opozitës.

Nga Gazeta Sot