4 Gusht 2026

Policia e Cërrikut ka goditur një rast të krimeve kundër mjedisit, ku gërryerja e paligjshme e shtratit të lumit Devoll ka sjellë devijimin e rrjedhës së tij dhe ka rrezikuar përmbytjen e tokave bujqësore në fshatin Gostimë

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar në flagrancë L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç, shtetas indian me banim në Cërrik, si dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës. Ndërkohë, është shpallur në kërkim K. H., 22 vjeç, administratori i subjektit për llogari të të cilit kryhej aktiviteti i kundërligjshëm.

Sipas hetimeve, subjekti që drejtohej nga 22-vjeçari përdorte mjete të rënda për gërryerjen e shtratit të lumit Devoll, duke dalë jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që dispononte. Si pasojë e ndërhyrjeve, rrjedha e lumit ishte devijuar, duke krijuar rrezik serioz për përmbytjen e tokave bujqësore në zonën e Gostimës.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi një ekskavator dhe një kamion teknologjik, të cilët përdoreshin për kryerjen e kësaj veprimtarie.

Hetimet zbuluan gjithashtu se 46-vjeçari i arrestuar kishte ndërtuar pa leje pranë zonës ku ushtronte aktivitetin subjekti i administruar nga i afërmi i tij, 22-vjeçari i shpallur në kërkim.

Përveç procedimit penal ndaj personave përgjegjës, subjekti është ndëshkuar edhe administrativisht nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Cërrik.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për kapjen e administratorit 22-vjeçar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.