16 vite mësuese por nuk e ka kryer shkollën e mesme

4 Prill 2022

Në mungese të 4 viteve  shkollë të mesme ajo ka katapultuar nga 8-vjeçarja në shkollë të lartë.

Ajo është mësuese në gjimnaz por nuk e ka kryer shkollën e mesme. Prej 16 vitesh profesionin e  ushtron me dëftesë false.

Ky denoncim ka ardhur në ‘Ora Investigim’ në lidhje  me shtetasen  me iniciale F.H, e cila është mësuese në gjimnazin ‘Elez Isuf Ndreu’ në Kamëz.

Pas ardhjes së denoncimit  kemi nisur menjëherë investigimin e këtij rasti.

Në postimet e ndryshme që bën shkolla ‘Elez Isuf Ndreu’në rrjetet sociale duket qartë se mësuesja është pjesë e stafit të shkollës.

Kamera e fshehtë e ‘Ora Investigim’ ka vërtetuar se shtetësja me iniciale F.H vijon të japë mësim në gjimnaz .

Përshëndetje! Doja të takoja mësuesen F.H, jep Histori.

Roja: Duke qenë se është pushim futu shpejt se mos bie zilja.

Në çfarë kati është?

Roja: Në kat të dytë.

Goca, ku e ka klasën mësuese F.H?

Nxënësja: Dera e fundit.

Këtu është klasa e mësuese F****?

Nxënësi: Po.

Mësuesja ku është?

Nxënësi: Nuk ka ardhur.

S’ka ardhur.

Nxënësi: Jo.

Roja: Nuk e dija që nuk ishte. Nesër vjen.

‘Ora investigim’ arriti të sigurojë dëftesen e pjekurisë të mësueses me iniciale F.H.

Në dëftese specifikohet se ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme në Sauk në vitin 1987.

Për të vërtetuar nëse kjo dëftesë është e rregullt ose jo kemi kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Në përgjigjen e këtij institucioni na bëhet me dije se në regjistra amzash, indekse emërore nxënësish  nuk u gjet asnjë e dhenë për mësuesen e gjimnazit.

Skandali thellohet më tej  pasi kjo mësuese në dëftesën e pjekurise të vitit 1987  ka numrin e Amzës 715, ndërkohë sipas regjistrave në arkivë numri më i lartë i Amzës është 567 për periudhën kohore 1996-2005.

Informacion shtesë kërkuam edhe te sekretaria e shkollës në lidhje më këtë dëftesë.

Në përgjigjen e kthyer na bëhet me dije se mësuesja e gjimnazit ‘Elez Isuf Ndreu’ nuk e ka kryer shkollën e mesme, madje edhe numri i Amzës 715 rezulton të jetë në emër të një tjetër nxënësi.

Mesuesja me iniciale F.H ka 16 vite që jep mësim në gjimnaz por ajo personalisht  nuk e ka kryer asnjë vit gjimnaz.

Në mungese të 4 viteve  shkollë të mesme ajo ka katapultuar nga 8-vjeçarja në shkollë të lartë.

Pas publikimit të këtyre fakteve Tv Ora i bën thirrje Ministrisë së Arsimit të bejë verifikimet e duhura për këtë  skandal në sistemin arsimor.

Skandali Albanistan – “16 vite mësuese por nuk e ka kryer shkollën e mesme”.

Nga OraNews