Sindroma e Havanës, zbulohet arma misterioze

Sindroma e Havanës, zbulohet “arma” misterioze

3 SHKURT 2022

E ashtuquajtura ‘sindroma e Havanës’ – e cila deri tani ka prekur më shumë se 200 zyrtarë nga stafi amerikan me bazë jo vetëm në Kubë dhe Kinë, por edhe në Gjermani, Austri dhe Rusi shkaktohet nga një armë që lëshon energji elektromagnetike dhe ultratinguj.

Studimi zbuloi se energjia elektromagnetike e pulsuar, veçanërisht në rangun e radiofrekuencës, “shpjegon në mënyrë të besueshme” karakteristikat thelbësore, megjithëse thotë se ka ende boshllëqe në informacion.

Ai thotë se antenat jo standarde mund të krijojnë efekte në trupin e njeriut. Një burim i tillë mund të fshihet dhe të kërkojë vetëm fuqi të moderuar. Ai gjithashtu mund të udhëtojë nëpër ajër dhe nëpër mure ndërtesash.

“Ne kemi mësuar shumë,” u tha gazetarëve një zyrtar i inteligjencës i njohur me punën e panelit, duke folur në anonimitet sipas kushteve të përcaktuara nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. “Ndërsa ne nuk kemi mekanizëm specifik për secilin rast, ajo që dimë është nëse raportoni shpejt dhe menjëherë merrni kujdesin mjekësor, shumica e njerëzve po përmirësohen”.

Shpërthimi i sindromës në Havanë në vitin 2016 u pasua nga raste të shumta mes zyrtarëve amerikanë dhe kanadezë në Kinë, Gjermani dhe madje edhe në Uashington. Simptomat kryesore janë dhimbja e  veshëve, probleme me shikimin, të përziera, pagjumësi, lodhje dhe marramendje.

Ka disa simptoma që zhduken shpejt por ka disa të tjera që zgjasin për një kohë të gjatë.

Një numër njerëzish brenda qeverisë amerikane besojnë se Rusia mund të jetë përgjegjëse dhe çështja është ngritur në takime, megjithëse nuk është zbuluar asnjë provë përfundimtare për të mbështetur “akuzat”.

Rusët kanë mohuar  se kanë zhvilluar ose kanë përdorur  një armë akustike që mund të synojë trurin. Raporti i shkencëtarëve të specializuar ia atribuon fenomenin misterioz të gjashtë viteve të fundit pajisjeve me përmasa të vogla që “fshihen lehtësisht” dhe  lëshojnë valë të dëmshme elektromagnetike dhe ultratinguj, duke shkaktuar një sërë simptomash që nuk shpjegohen nga ana mjekësore.

Gazeta Shqip