Si u krijua Çmimi Nobel për Paqen?
12 Tetor 2026
Vullneti i Alfred Nobelit, çmime vjetore për ata që i kishin sjellë dobinë më të madhe njerëzimit.
Çmimi Nobel për Paqen vendoset nga Komiteti Norvegjez i Nobelit, një grup prej pesë anëtarësh të emëruar nga Parlamenti i Norvegjisë, bazuar në vullnetin e Alfred Nobelit të vitit 1895.
Teksa kalojnë në një proces përzgjedhjeje, çmimi i jepet personit ose organizatës që ka bërë punën më të mirë për vëllazërinë midis kombeve, zvogëlimin e ushtrive ose promovimin e kongreseve të paqes.
Me mijëra njerëz në mbarë botën, përfshirë anëtarë parlamentesh, krerë shtetesh dhe profesorë universitarë, mund të paraqesin kandidatë deri më 31 janar çdo vit. Komiteti shqyrton kandidatët me ndihmën e ekspertëve dhe merr vendimin përfundimtar përmes konsensusit ose votimit.
Drejtori i Institutit Norvegjez të Nobelit për Paqen, Kristian Berg Harpviken, tregon se si përzgjidhen kandidatët:
“Ne marrim shumë nominime, i vlerësojmë me shumë imtësi dhe paraqesim një listë të gjatë të nominimeve, të vlefshme për Komitetin Nobel. Ata zgjedhin një listë me emra me dhjetëra kandidatë. Atëherë, unë vetë, në cilësinë e sekretarit të komitetit, jam përgjegjës për rishikimet e kandidatëve që janë përzgjedhur në listë”.
Çmimi Nobel në Mjekësi u nda mes tre shkencëtarëve që studiojnë mekanizmat që truri përdor për të aktivizuar ose çaktivizuar veprimtarinë e qelizave individuale nervore.
Karl Deisseroth (54 vjeç), Peter Hegemann (71 vjeç) dhe Georg Nagel (73 vjeç) kanë kryer kërkime mbi kanalet jonike të kontrolluara nga drita dhe mbi optogjenetikën. Ata punojnë në universitete në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara. Komiteti i Nobelit vlerësoi punën e tyre, duke theksuar se metoda “tani po përdoret në laboratorë anembanë botës për të zbuluar misteret e trurit”.
Teksa Çmimi Nobel në Fizikë iu dha fizikanit belgo-amerikan Francis Halzen për kontributin e tij në Observatorin e Neutrinove “IceCube” dhe për zbulimin e neutrinove me energji të lartë me origjinë astrofizike. Kryetari i Komitetit Nobel për Fizikën tha se “këmbëngulja dhe vizioni shkencor i Halzen kanë hapur rrugën për një lloj të ri astronomie”.
Zgjidhën një mister mbi 100-vjeçar, dy shkencëtarë fituan Çmimin Nobel në Kimi. Henri B. Kagan dhe Kenso Soai u shpallën fitues për zbulimet e tyre mbi efektet jolineare dhe autokatalizën në sintezën organike asimetrike. Puna e dy kimistëve u vlerësua për një problem shkencor më shumë se një shekull të vjetër: si mund të shfaqet spontanisht homokiraliteti në reaksionet kimike. Kryetari i Komitetit Nobel për Kiminë, Heiner Linke, i cilësoi reaksionet e zhvilluara nga dy shkencëtarët si “spektakolare”, duke theksuar rëndësinë e tyre për të kuptuar mënyrën se si mund të krijohet asimetria në proceset kimike.
Anne Carson, poetja dhe eseistja kanadeze, u shpall fituesja e Çmimit Nobel në Letërsi këtë vit.
Akademia e Nobelit tha se Carson u vlerësua “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.
Ndër librat e saj përfshihen “Eros the Bittersweet” (Erosi: I ëmbël dhe i hidhur), një vështrim mbi kënaqësinë dhe dhimbjen e dëshirës në letërsinë e lashtë greke; romani në vargje “Autobiography of Red” (Autobiografia e së Kuqes); “Men in the Off Hours” (Burrat në orët e lira), një përmbledhje poezish dhe prozash që fitoi çmimin kanadez “Griffin” për poezinë në vitin 2001; si dhe “Norma Jeane Baker of Troy” (Norma Jeane Baker e Trojës), vepër që krahason Marilyn Monroe me Helenën e Trojës.
Gjykatësja nga Afrika e Jugut, Navanethem Pillay, fitoi Çmimin Nobel për Paqen “për përpjekjet e saj për të promovuar paqen dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Kreu i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Joergen Watne Frydnes, theksoi se Pillay ka hapur rrugën drejt “një rendi juridik global më gjithëpërfshirës”, duke theksuar se ajo e ka bërë këtë me një guxim të jashtëzakonshëm.
“Fituesja e këtij viti e ka zgjeruar ndjeshëm fushëveprimin dhe ndikimin e së drejtës ndërkombëtare. Përkushtimi i saj ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor është burim shprese dhe frymëzimi për të gjithë ata që përpiqen të krijojnë një botë më paqësore.”
Komiteti i Nobelit tha se “një fije e përbashkët lidh punën e saj të hershme në mbrojtje të Nelson Mandelës dhe të tjerëve që kundërshtuan aparteidin, me shërbimin e saj si gjykatëse në disa nga çështjet kryesore gjyqësore ndërkombëtare të kohës sonë”.
Shuma monetare e çmimit për këtë vit është 12 milionë korona suedeze ose rreth 1.2 milionë dollarë. Çmimi dorëzohet në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.
Çmimi Nobel për Paqen u krijua nga shpikësi suedez i dinamitit, Alfred Nobel, përmes testamentit të tij të nënshkruar më 27 nëntor 1895. Ai la pjesën më të madhe të pasurisë së tij për të krijuar një fond, nga i cili do të jepeshin çmime vjetore për ata që i kishin sjellë dobinë më të madhe njerëzimit.

