12 Tetor 2026

Afresket dhe arti i pikturave në mur janë ndër më interesantët dhe patën një zhvillim të jashtëzakonshëm me epokën e Rinascimento – Rilindjes në Itali.

Një ndër afresket më të bukura në botë gjendet në Mantova, të Italisë, në Pallatin Te. Pallati është një vilë e jashtëzakonshme, sot muze, ndërtuar rreth vitit 1525 me dëshirën dhe urdhrin e markezit të Mantovës, Federico II Gonzaga, e konceptuar dhe realizuar nga arkitekti dhe piktori italian Giulio Romano.

Konsiderohet një ndër kryeveprat e artit, me sallat e saj të shumta, secila prej tyre me tematikë të ndryshme.

Më e njohura, e vlerësuara dhe e admiruara kryesisht është Salla e Gjigantëve, me një afresk të jashtëzakonshëm të realizuar nga Giulio Romano në vitet 1532–1535. Në këtë mrekulli, tema e marrë nga Metamorfoza e Ovidit paraqet momentin kur Zeusi shkatërron gjigantët, të cilët po tentonin të ngjiteshin në Olimp për ta rrëzuar nga froni.

Ky afresk krijon një vijimësi dhe përfshin të gjithë muret, këndet dhe kupolën pa ndërprerje arkitektonike tradicionale, duke krijuar një iluzion mjaft të fuqishëm optik, me një hapësirë të pafundme. E gjithë salla ka një akustikë të veçantë, si pasojë e formës gjeometrike dhe harqeve, me efekte rezonance, ku edhe pëshpëritjet dëgjohen në mënyrë perfekte nga çdo kënd.

Dyshemeja sot është rikonceptuar dhe është ndryshuar pas viteve 1700, kur u realizua edhe rikonstruksioni i veprës së artit. Fillimisht, Romano e kishte realizuar në mënyrë të tillë, të përshtatshme me gjithë veprën, dhe ishte realizuar me një mozaik me gurë lumi, duke ndjekur në mënyrë perfekte skenën për të shtuar iluzionin optik.

Salla konsiderohet më spektakolarja e gjithë pallatit-muze, si për dinamizmin dhe fuqinë shprehëse që shkaktohen nga figurat e mëdha, por edhe si rrjedhojë e një mjeshtërie në ideimin dhe realizimin piktoresk e artistik, duke krijuar idenë e pafundësisë, duke shuar kufijtë arkitektonikë.

Iluzioni që Romano krijon me këtë vepër madhështore është i jashtëzakonshëm, duke e bërë spektatorin të ndihet pjesë e ngjarjes që po ndodh në ato mure, duke prodhuar ndjesitë e habisë, mrekullisë dhe përhumbjes.

Skena fikson momentin kur nga qielli shpërthen hakmarrja hyjnore ndaj gjigantëve, me Zeusin që në grushta mban rrufetë e tij, me pranë Herën, perëndeshën bashkëshorte, dhe furinë e tij që zbret poshtë ndaj gjigantëve, të cilët gjenden në shkatërrimin e tyre.

Palazzo Te, në brendësi të tij, ka një sërë sallash, me tematikë ornamentale të veçantë secila, ku shquhen Salla e Kuajve, Salla e Amore e Psiche me tematikë nga Apuleio, Dhoma e Fitoreve, Salla e Afërditës, ajo e Perandorëve, Salla e Diellit dhe Hënës, Dhoma e Zodiakut dhe Erërave, Dhoma e Muzave, Salla e Shqiponjave etj.

Një tjetër afresk i magjishëm është ai në Kishën e Sant’Ignazio di Loyola në Romë. Kisha jezuite është një thesar arti, veçanërisht kur ngre sytë lart dhe admiron afreskun Gloria di Sant’Ignazio, lavdia e Sant’Ignazio, me një lojë të pabesueshme perspektivash. E gjatë 81 m dhe e gjerë 43 m, me një sipërfaqe prej 2000 m², konsiderohet ndër më të mëdhatë në botë. Andrea Pozzo e realizoi për 3 vjet këtë punë kolosale, në vitet 1691–1694, dhe krijoi një magji që tejkalon artin e pikturës, por solli në jetë një iluzion optik të jashtëzakonshëm, pasi tavani është i sheshtë, por me elementet arkitektonike të pikturuara ai realizoi atë që duket si një kupolë gjigante, e cila, në fakt, nuk ekziston aspak.

Elementet fetare, pra figura e Krishtit dhe e Shën Ignatios, ndodhen në qendër, e nga zemra e Krishtit del rrezja e dritës që shkon mbi katër kontinentet.

Ato përfaqësohen nga 4 gra: Evropa mbi një kalë, që simbolizon dominimin e kontinentit mbi gjithçka; Azia mbi një gamile; Afrika mbi një krokodil dhe Amerika mbi një vajzë indiane me shigjetë në dorë, mbi një pumë.

Mjeshtëria e realizmit është e jashtëzakonshme, me ngjyra të forta, të ndritshme e të larmishme. Më tej gjendet një tjetër kupolë, gjithashtu një iluzion i krijuar nga Pozzo. Personazhet biblike në afresket e mrekullueshme të kësaj kishe, një ndër 7 kishat papale të Romës, ndër më të rëndësishmet e të vizituarat në botë, tregojnë histori e simbolika për t’u lexuar me kureshtje dhe me mesazhe të jashtëzakonshme.