Ekspertët paralajmërojnë: Inteligjenca Artificiale dhe lufta bërthamore kërcënojnë ‘zhdukjen’ e njerëzimit deri në vitin 2100(!)

12 tetor 2026
Keqpërdorimi i inteligjencës artificiale dhe një konflikt bërthamor përbëjnë kërcënimet më të mëdha për zhdukjen e njerëzimit deri në vitin 2100, paralajmërojnë ekspertët në një raport të ri të publikuar në revistën shkencore “The Lancet”.
Raporti identifikon 17 kërcënime katastrofike të ndërlidhura, që përfshijnë teknologjinë, konfliktet, sëmundjet, ndryshimet mjedisore dhe problemet sociale e ekonomike.
Përveç dy rreziqeve që mund të kërcënojnë mbijetesën e njerëzimit, ekspertët rendisin edhe 15 kërcënime të tjera serioze për shëndetin, mes tyre ndotjen e ajrit, ndryshimet klimatike, pandemitë, duhanpirjen, obezitetin dhe problemet e shëndetit mendor.
Vlerësimi u hartua nga 35 ekspertë të fushave të shëndetësisë, ekonomisë, sigurisë, qeverisjes dhe teknologjisë. Studiuesit analizuan të dhëna historike dhe vlerësime të rreziqeve në 204 vende dhe territore, për të identifikuar kërcënimet që mund të shkaktojnë humbje masive të viteve të jetës në shëndet të mirë.
Bashkëdrejtuesi i komisionit, profesori Christopher JL Murray, theksoi se, pavarësisht përmasave të këtyre rreziqeve, njerëzimi ka ende mundësi të veprojë për t’i parandaluar ose kufizuar pasojat e tyre. Ai paralajmëroi se vonesa në marrjen e masave do të rrisë kostot në të ardhmen.
Ekspertët u bëjnë thirrje liderëve botërorë të bashkëpunojnë, të forcojnë sistemet shëndetësore dhe të investojnë në inovacionin teknologjik.
Sipas tyre, vendimet e marra sot do të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm.
Gjetjet do të ndahen në Samitin Botëror të Shëndetit treditor në Berlin, Gjermani.
