Si u bë milionere në euro mamaja rrobaqepëse e zyrtarit të lartë të AKSHI-t. – Kjo është lista e pronave pa fund

12 Shkurt 2026
Në vitin 2021, Sokol Parllaku, një mik i afërt i Daniel Shimës krijon kompaninë “Premium Glass”. I njëjti person, prej vitit 2015 zotëronte edhe kompaninë tjetër “Alu Glass”.
Të dyja me fushë operimi në tregtinë e xhamave, prodhimin e dyerve, dritareve alumini etj. Deri këtu, gjithçka duket krejt normale.
Por papritur, nëna e Daniel Shimës, Merita, futet si aksionere me 60 % të kuotave në kompaninë “Premium Glass”. Ajo bëhet kontrolluese e paketës dërrmuese të aksioneve dhe merr vendimmarrjen në kompani për gjithçka.
Merita Shima, bleu edhe 40 % të aksioneve në kompaninë e themeluar nga Parllaku për vetëm 40 mijë lekë të reja, duke u bërë kështu pronare e vetme.
Për një kompani të re, pa aktivitet, me kapital 100 mijë lekë, kjo në dukje ngjason diçka në përputhje me tregun.
Pas kësaj “Premium Glass” dhe kompania tjetër “Alu Glass” e themeluar nga miku i Daniel Shimës, nisin një fushatë të gjerë blerje trojesh. Këto lëvizje pasohen siç do shohim më poshtë me zhvillimin e pronave me ndërtime.
Investimet nisin në 2020 me blerjen e dy apartamenteve në një prej zonave luksoze në Tiranë, pranë kompleksit Delijorgji. Apartamentet me sipërfaqe 160 metër katrorë secili, shërbejnë si zyra.
Në mars 2021, kompania e zotëruar nga Merita Shima blen 3 mijë metër katrorë tokë në zonën e Kasharit. Në të njëjtën zonë, përmes kompanisë tjetër, blihen 7100 metër tokë duke e çuar totalin në 10 mijë metër.
Ne qershor 2021, subjekti i kontrolluar nga Merita Shima blen sërish një tjetër sipërfaqe toke prej 3.600 metrash në Dobresh.
Ish rrobaqepësja nuk ndalet. Në shkurt 2021 subjekti blen 2200 metër tokë në zonën e Prushit, në periferinë e Tiranës. Në prill dhe në Maj të vitit 2021 blejnë dy parcela me hapsirë 3 mijë metër katrorë në total në “Rrugën Koxhasë” në Durrës ku sigurojnë edhe leje ndërtimi.
Në vitin 2022 blen 3 parcela në zonën e Kasharit me sipërfaqe përkatësisht 2400, 14500 dhe 3700 metër katrorë me vlerë rreth 700 mijë euro.
Pas investimit në toka, kompanitë e lidhura me ish nëndrejtorin e AKSHIT Daniel Shima futen fort në sektorin e ndërtimimt.
Në Mars të vitit 2022, “Alu Glass”, dhe “Premium Glass”, marrin leje nga Bashkia e Tiranës për godinë 8 kate mbi tokë dhe 1 nëntokë.
Në 5 nëntor 2021, kompania “Premium Glass” nënshkruan një kontratë-sipërmarrje me subjektin Nova Konstruksion. Kontrata parashikon plot 9 apartamente dhe 14 poste parkimi. Vlera në kontratë është plot 869.400 euro.
Në korrik 2024, në tokat e blera në njësinë 14 në Tiranë, kompanitë e Shimës sigurojnë një leje për godinë 16 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë.
Trualli ishte në emrin e “Alu Glas”, ndërsa përfaqësimin për sigurimin e lejes e kreu kompania me lidhje në pushtetin lokal “Son Engineering & Construction” e zotëruar nga Erind Bejleri. Subjekti zhvillues i kullës ishte kompania “Terra Construction”, sërish me aksioner Sokol Parllakun, mikun e Shimës.
Në prill 2024 ky grup blen një tjetër truall në rrugën Him Kolli në Tiranë për 770 mijë euro.
Në periudhën 2022 deri në Shkurt 2025, ata rikthehen në rrugën “Koxhas” në Durrës ku përmes transaksioneve blejnë disa parcela me sipërfaqe në total prej 24.500 metrash katrorë.
Në të gjitha, pyetja që mbetet pa pargjigje është se nga erdhi burimi i parave për prona që kalojnë vlerën miliona euro?
Në 7 Dhjetor 2022, pasi kompania e “Premium Glass” e zotëruar nga nëna e Daniel Shimës kishte lidhur kontrata për prona me vlerë miliona euro, ish rrobaqepësja vendos të shesë aksionet.
Blerësi është i njëjti person, ortaku Sokol Parllaku. Aksionet u shitën për 100 mijë lekë të reja, edhe pse, siç zbuluam, subjekti zotëronte asete me vlerë miliona euro.
Tërheqja de-Juro ndodh në momentin kur SPAK kishte nisur hetime për disa tendera në AKSHI dhe me sa duket, Shima po kërkonte të fshihte gjurmët.
Lëvizja e fundit ndodh në 20 nëntor 2025 ku Sokol Parllaku rimerr atributet e deleguara të administratorit tek Redvin Marku. Kjo ndodh pikërisht kur nën zë, po vlonte dosja e bujshme e “AKSHI-t” që u finalizua në Dhjetor 2025 me masat e sigurisë.
Gazeta Dita
