6 Maji 2025

Një zbulim i ri shkencor ka hedhur dritë mbi misterin e krijimit të arit dhe metaleve të tjera të rënda në Tokë, duke e lidhur origjinën e tyre me shpërthimet e fuqishme të një lloji të rrallë ylli të quajtur magnetar.

Sipas një studimi të botuar në ‘Astrophysical Journal’, magnetarët me yje neutronikë me fusha jashtëzakonisht të fuqishme magnetike – mund të kenë qenë burimi fillestar i metaleve të çmuara si ari, platini dhe uraniumi në galaktikën tonë, shumë kohë përpara formimit të sistemit diellor.

Shkencëtarët e përfshirë në studim zbuluan se gjatë shpërthimeve të rralla por shumë të fuqishme, magnetarët lëshojnë sasi të mëdha energjie dhe lëndësh të pasura me neutrone, të cilat krijojnë elementë të rëndë përmes një procesi bërthamor.

Këto shpërthime, edhe pse të rralla vetëm tri janë vëzhguar në 60 vitet e fundit, janë aq të fuqishme sa mund të ndikojnë edhe në atmosferën e Tokës, edhe kur ndodhin dhjetëra mijëra vite dritë larg.

Zbulimi vjen si një përgjigje ndaj pyetjes se si u krijuan metale të rënda në univers, përtej bashkimeve të yjeve neutronikë, të cilat janë të rralla dhe ndodhin shumë më vonë në historinë galaktike.

Vëzhgimet dhe parashikimet e shkencëtarëve janë përputhur në mënyrë mbresëlënëse, duke treguar se një shpërthim magnetari mund të ketë prodhuar më shumë se masa e Marsit në metale të rënda.

Kjo gjetje ndryshon mënyrën se si kuptojmë përbërjen e botës sonë dhe lëndët që ne i përdorim çdo ditë, nga telefoni celular deri te strukturat biologjike të trupit tonë, dhe forcon idenë se jemi, në një kuptim shumë literal, të bërë nga pluhuri i yjeve.