Shqiperia dhe Kosova pjese e Muzeut te Instrumenteve Muzikore Boterore ne Arizona.

16 Gusht 2022.
Shqiperia dhe Kosova pjese e Muzeut te Instrumenteve Muzikore Boterore ne Arizona.
Teksti dhe Fotografia: Hajro Hajro.
Në mesin e afro 30 muzeve të instrumenteve muzikore sa ka sot në gjithë botën është edhe Muzeu i instrumenteve Muzikore (Musical Instrument Museum), në kryeqytetin e Arizonës, Feniks (Phoenix), të SHBA-ve, i hapur në prill të vitit 2010. I themeluar nga Robert J. Ulrich (koleksionist i pasionuar i artit të Afrikës dhe entuziast i muzeve të botës), ish-drejtor ekzekutiv dhe kryetar i Korporatës “Target”, ky është më i madhi dhe më i pasuri muze i këtij lloji në gjithë botën. I vendosur në një ndërtesë dykatëshe në kryqëzimin e bulevardeve Tatum dhe Mayo, muzeu ka një sipërfaqe mbi 18 mijë metra2 dhe aty janë ekspozuar mbi 15 mijë instrumente muzikore dhe objekte shoqëruese, si kostume e të tjera, nga afro 200 shtete të botës.
Me një biletë që kushton 20 dollarë, vizitori, para se të fillojë t’i vizitojë kthinat e shumta me eksponate mahnitëse, pajiset me pajimin GuidePort (një lloj radiomarrësi) dhe me kufje, ngase në çdo kënd ekspozues, poshtë emrit të secilit shtet janë vendosur ekrane ku vizitori mund të shohë dhe të dëgjojë (vetëm pasi t’i aktivizojë kufjet) muzikën e atij vendi.
Vëmendjen tonë e tërheq një kënd jo fort i madh i kthinës së madhe të shteteve të Europës (ngase eksponatet janë klasifikuar sipas kontinenteve dhe shteteve të tyre), ku shkruan Kosovo dhe Albania. Aty nuk janë më shumë se 14 eksponate, nga të cilat 13 vegla muzikore dhe 1 vegël pune, furka, për të cilën jepet shpjegimi se puna me të shoqërohet me muzikë karakteristike. Përposhtë secilit instrument muzikor është shënimi me emrin e instrumentit si dhe vendi nga vjen. Për moshën ndërkaq, pothuaj për të gjitha instrumentet thuhet se u përkasin viteve të fundit të shekullit XX.
Në të majtë, poshtë në dysheme është ekspozuar një tepsi (duket të jetë tepsi bakri e kallajisur) dhe shpjegimi se ajo lëshon tinguj kur vërtitet nga gratë.  Vijnë me radhë dy bilbila (lloj fyelli), çiftelia (Kosovë), sharkia (Shqipëri) e shkruar serbisht Sargija (lexo: shargija), lahuta (Mali i Rrencit, Lezhë), surla (Kukës), zumarja (mbase zurnaja, Lezhë), lahuta (Dukagjin, Shkodër), sharkia (Dibër), daireja (Lezhë, Zadrimë), çiftelia (Lezhë) dhe sharkia dyshe (Lezhë), me shqiponjën dykrenore të gdhendur, ku shpjegohet se shqiponjën me dy kokë e ka përdorur heroi Skënderbeu gjatë luftimeve kundër pushtimit turk.
Teksa qëndron para këtyre eksponateve vizitori sheh në ekran dhe dëgjon nëpërmjet kufjeve një këngë të Gollakut, interpretuar nga Grupi Folklorik Hajvalia dhe një grua shqiptare teksa ekzekuton tinguj me tepsi, pamje që ndërrohen në mënyrë alternative. Përveç instrumenteve muzikore aty janë të ekspozuara edhe disa fotografi, një e fillimshekullit XX ku shihen dy femra të reja rome, njëra me violinë, tjetra me daire, një foto e vitit 1923 me dy djem të rinj shqiptarë (njëri me kostume kombëtare), duke i rënë fyellit dhe një foto e një gajdexhiu nga Elbasani e vitit 2006.
Ndonëse të përfaqësuara me një numër fare të vogël veglash muzikore, nga mbi njëqind instrumente që njihen si shqiptare, prania e dy shteteve shqiptare në këtë muze është e një rëndësie të veçantë, sepse vizitori amerikan, por edhe shumë të huaj që e vizitojnë çdo ditë këtë muze, do ta njohin një pjesë modeste të kulturës muzikore të popullit shqiptar, që përfaqësohet këtu bashkë me kulturat muzikore të qindra shteteve të botës.
Ky muze, ndërtimi i të cilit ka kushtuar mbi 250 milion dollarë është themeluar falë donatorëve.
Kontributi më i vogël që do të mund të bënin shtetet shqiptare, po edhe koleksionistët privatë të instrumenteve muzikore, do të ishte pasurimi i pjesës shqiptare të muzeut me vegla muzikore të sotme e të djeshme që mungojnë aty, po edhe me vegla të lashta muzikore, qoftë edhe me kopje të instrumenteve që janë zbuluar në trojet shqiptare e që janë përdorur nga paraardhësi tanë.
Materiali u Huazua nga Portali “Pro integra)